Në vijim të takimeve në Shkodër, në mbështeje të kandidatit për kryebashkiak të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia, ish-Kryeministri ka zhvilluar një takim me forumin rinor të PD-së, dega Shkodër.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Berisha tha se jemi në një revolucion demokratik paqësor, i cili është jetik për shoqërinë shqiptare.
“Regjimi aktual i Edi Ramës e çoi demokracinë përpara alternativës: “To be or not to be” të jesh apo mos jesh. Sepse ky regjim me një seri qëndrimesh u bë një shpresëvrasës i vërtetë, i ëndrrave tuaja, i idealeve tuaja, i dëshirave tuaja.
Me qëndrimet e tij ky regjim, shkreton në kuptimin e vërtetë të fjalës çdo ditë e më shumë shoqërinë shqiptare. Për një komb s’ka shkretim më të madh se sa ti ikë rinia. Një komb me fëmijë që të rinjtë i ikin është një komb në shkretim, një komb pa të ardhme dhe në fakt këtë bën Edi Rama çdo orë, çdo ditë, çdo javë çdo muaj.
Rinia studentore u përball me këtë regjim në një betejë jetike, të fuqishme. Me një organizim të madh, me një vendosmëri dhe guxim të pashoq. Studentët në takime siç e dini e gozhduan diktatorin me guxim të hekurt dhe logjikw të ftohtë. E megjithatë ajo lëvizje nuk fitoi. Nuk fitoi, jo se ajo nuk ishte e fuqishme, por sepse kauza e saj e drejtë nuk kishte mbështetjen e duhur politike.
E kam ndjerë veten më të lënduar se asnjëherë sepse studentët kërkonin që forcat politike të mos afroheshin me ta. Por shikoni, njëra forcë politike ishte shkaku i të gjitha atyre për të cilat studentët protestonin. Kurse forca tjetër politike e opozitës kishte treguar cinizëm dhe indiferencë absolute ndaj të gjithë atyre faktorëve që i nxorën studentët në rrugë. Kishin të drejtë “larg nesh mos u përpiqni të përfitoni nga lëvizja jonë”. Ky ishte mesazhi më i hidhur jo për PS por për PD-në e cila de facto para asaj lëvizjeje qëndronte si pseudo opozitë.
Me Belindin dhe studentë të rinj të tjerë, jemi përpjekur shumë ato ditë të gjendemi në anën e studentëve, por përsëri ata kishin refuzuar si asnjëherë tjetër forca të tjera politike. Normalisht opozita e tërë duhet të ishte aty. Por duhet të ishte aty kur ta meritonte. Kur ajo të kish bërë avokatinë e tyre, çdo ditë, çdo muaj, çdo vit për vendimet kundër atyre që merreshin nga qeveria, për ligjet që votoheshin në parlament. Kjo nuk ndodhi. Nuk ndodhi sespe nuk e lejoi pozicioni”, tha Berisha.
Duke i kërkuar të rinjve dhe të rejave të mbështesin kandidatin Spahia, Berisha tha “mos rrini të tretë, bëhuni të parë me votën tuaj”, duke iu referuar si të 3-të kandidatit Xhemal Bushati, që mbështetet nga Lulzim Basha.
“Mos e humbisni votën ta çoni në një rezultat të tretë. Nuk ju shkon kjo ju nuk i shkon as qytetit. Nuk i shkon as PD-së në ngjitje të madhe. Nuk i shkon vullnetit tuaj për të qenë opozitarë të vërtetë, pranda bashkohuni, bëni gjithçka me të gjitha njohjet që keni, që kjo javë të jetë java e bashkimit të demokratëve në mënyrë që mos mbetet asnjë demokrat i tretë në votën e tij, të gjithë në të parën.
Ju ftoj pas këtyre zgjedhjeve dhe kurorëzimit të tyre me fitoren e shkëlqyer të Bardh Spahisë, ta vazhdojmë betejën tonë duke shumëfishuar mbështetësit tanë. Ju jeni misionarë të vërtetë. Nuk është i lehtë ky mision. Elektorati shqiptar ka edhe aspektet ndonjëherë të një mozaiku. Një përqindje jo e vogël e vëllezërve dhe motrave tona nga dëshpërimi kronik nuk votojnë. Edhe unë kam takuar, dhe i takoj. Njerëz që thonë skam votuar ndonjëherë, nuk votoj.
Me ata duhet të bëjmë një punë të madhe, duhet ti bindim që të votojnë. Duhet që secili prej nesh duhet të përpiqet të gjejë, nga këta qytetarë që nuk votojnë. Sepse këta qytetarë harrojeni që nuk votojnë. Këta në rast se votojnë votojnë për ne. Ndaj dhe është meritë e madhe juaja që ata ti bindni të votojnë. Në elektorat ka të tjerë që shesin votën. E shesin nga halli. Ka prej tyre që skano bukë për fëmijët. Por një gjë duhet ti bindni, se shitja e votës sjell vetëm plaçkitje më ët madhe për ta. Sjell vetëm varfëri më të madhe për ta”, tha Berisha.