Policia e Dibrës ka goditur një grup që ushtronte aktivitetin e paligjshëm të kontrabandimit të shtetasve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së.
Janë arrestuar 4 persona, u shpallën në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tyre dhe u procedua në gjenjde të lirë një shtetas tjetër.
U arrestuan
Blutë bëjnë me dije se si rezultat i operacionit “Smuggling” u bë arrestimi i:
Ahmet M., 23 vjeç, me origjinë nga Siria, i cili kishte rolin e organizatorit në këtë veprimtari kriminale;
Durim D., 39 vjeç, banues në Tiranë; kishte rolin e ndihmësit të grupit për transfertën të pagesës.
Artemisa A., 20 vjeçe; Jesmira K., 26 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë;
U shpall në këkrim
M. A., me origjinë nga Siria, i cili siguronte mjetet e transportit për kalimin e kufirit
A. M., me origjinë nga Siria, i cili ndihmonte dhe shoqëronte emigrantët, kryesisht ata nga Siria, për kalimin e kufirit me Kosovën, me qëllim kalimin në vendet e BE-së.
“Gjatë operacionit, këta shtetas janë kapur në flagrancë në një hotel, gati për të transportuar 5 shtetas sirianë. Në vijim të veprimeve është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, shtetasi P. P., 68 vjeç,” informon policia.
Si funksiononte grupi
Nga hetimet e kryera dhe provat e grumbulluara ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin kalimin e shtetasve me origjinë siriane, nga Turqia nëpërmjet Greqisë, futjen në territorin shqiptar, strehimin e tyre në hotele të ndryshme në Tiranë, gjetjen e personave për të kryer transportimin e tyre, duke ndjekur rrugën e Arbrit në drejtim të qytetit të Peshkopisë, me qëllim kalimin e tyre për në Kosovë, Serbi dhe Hungari. Shuma e parave që çdo emigrant i paligjshëm paguante varionte nga 4000 deri në 6000 euro, të cilat i kryenin nëpërmjet kompanive për shërbimet e transfertave të parave.
Në vijim të hetimeve është dokumentuar se këta shtetas janë autorët e dy rasteve të tjera të tentativës për të transportuar emigrantë të paligjshëm, gjatë muajve janar dhe shkurt. Në momentin që janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Dibër, këta shtetas, duke përfituar nga errësira dhe terreni i vështirë kanë braktisur mjetet dhe janë larguar.
Po si rezultat i këtij procedimi, në muajin dhjetor 2021 janë arrestuar në flagrancë nga Policia shtetasit S. K. dhe N. K., të cilët janë kapur duke transportuar shtetas sirian.
Gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të këtij operacioni janë kapur dhe shoqëruar gjithsej 35 shtetas sirian.
Çfarë u sekuestrua
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 automjete, një laptop, 12 telefona celularë, 1000 euro dhe 5 pasaporta.
Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal dhe kapjen e atyre të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.