Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe do të godasin me sanksione Rusinë, pavarësisht nëse në paketën e sanksioneve përfshihet SWIFT.
CNN raportoi se blloku ishte i pavendosur nëse do ta ndërpresë Rusinë nga SWIFT, një rrjet pagesash me siguri të lartë që lidh mijëra institucione financiare në mbarë botën.
Por një diplomat i BE u tha gazetarëve në një konferencë se kombinimi i paketës së të martës së bashku me paketën e re që do të hyjë në fuqi nga e premtja, do të “përqendrohet me të vërtetë për të goditur udhëheqjen në Moskë dhe ata rreth zotit Putin dhe për të përfituar nga kjo luftë”.
Liderët e BE-së pritet të diskutojnë këto sanksione gjatë një samiti urgjent në Bruksel të enjten në mbrëmje.
Diplomati i tha CNN se ata prisnin që “udhëheqësit të përqendroheshin në ndarjen e mendimeve dhe qëndrimeve të tyre politike mbi gjërat e mëdha dhe jo në diskutimin në detaje të masave të caktuara”.
“Ne duam paketën më të madhe të mundshme që synon sektorët industrialë, kontrollet e eksportit, financat, ndoshta një politikë vizash. SWIFT është një element, por nuk është fokusi i vëmendjes,” u tha diplomati gazetarëve.
Diplomati theksoi se SWIFT është “në tavolinë” dhe do të konsiderohet ende pavarësisht nëse përfshihet në paketën e re.
“Prioriteti i parë është tani kjo paketë sanksionesh shumë maksimaliste e BE,” thanë ata.
SWIFT mund të jetë i nevojshëm “për gjëra që janë shumë të rëndësishme për disa vende anëtare të BE,” tha diplomati, duke shtuar se nuk do të thotë domosdoshmërisht “është i përjashtuar”.
Më herët sot, ministrat e jashtëm të Ukrainës, Letonisë, Estonisë dhe Lituanisë kërkuan që Rusia të shkëputet nga SWIFT.
“Ne duam që kjo luftë të ndalet këtu dhe tani. Dhe ne nuk do të mbyllim dyert e përparme dhe dyert e pasme, të cilat e bëjnë të vështirë ndalimin e kësaj lufte të nisur nga zoti Putin sa më shpejt të jetë e mundur”, paralajmëroi diplomati.
Diplomati theksoi nevojën për të mbajtur “disa dyer të hapura” që mundësojnë dialogun e kërkuar “për të ndalur një luftë”.
Pavarësisht se u pyet disa herë, diplomati nuk foli pse presidenti rus Vladimir Putin nuk është në shënjestër të drejtpërdrejtë të sanksioneve.
Vendet anëtare të BE-së që janë “më afër Ukrainës” gjithashtu meritojnë ndjeshmëri, tha diplomati, duke vënë në dukje se ata “tash janë përballur, në shekullin e 21-të, me diçka që mendonim se e kishim lënë pas në shekullin e kaluar”.
Ndërkohë, Britania e Madhe shpalli sanksionet ndaj Rusisë.
Raportohet se kryeministri Johnson ka deklaruar se oligarkët rusë nuk do kenë vend ku të fshihen në Londër dhe do të ngrihen asetet e mëdha të bankave ruse në Angli.
Mësohet se është ndaluar aktivititeti i kompanisë “‘Aeroflot” në Britani dhe e njëjta gjë vlen edhe për Bjellorusinë.
Këto janë sanksionet që kryeministri Boris Johnson sapo ka njoftuar se Britania e Madhe do të vendosë ndaj Rusisë:
-Të gjitha bankat kryesore ruse do të kenë aktivet e tyre të ngrira dhe do të përjashtohen nga sistemi financiar i Mbretërisë së Bashkuar. Kjo do t’i ndalojë ata të kenë akses në pagesat e sterlinës dhe kleringut përmes MB. Kjo përfshin një ngrirje të plotë dhe të menjëhershme të bankës VTB
-Legjislacioni do të ndalojë kompanitë e mëdha ruse dhe shtetin të mbledhin financa ose të huazojnë para në tregjet e Mbretërisë së Bashkuar
-Ngrirja e aseteve do të vendoset për 100 individë ose subjekte të reja
-inja ajrore Aeroflot do të ndalohet të aterojë në Britaninë e Madhe
-Do të ketë një pezullim të licencave të eksportit me përdorim të dyfishtë për të mbuluar gjërat që mund të përdoren për qëllime ushtarake
-Brenda ditëve, Mbretëria e Bashkuar do të ndalojë eksportet e artikujve të teknologjisë së lartë dhe pajisjeve të rafinerisë së naftës
-Do të ketë një kufi për depozitat që rusët mund të bëjnë në llogaritë bankare të Mbretërisë së Bashkuar
-Mbretëria e Bashkuar ka një qëllim të “punojë me aleatët” për të mbyllur pagesat e Swift, por “është një sfidë”, tha Johnson.
-Sanksione të ngjashme financiare do të shtrihen në Bjellorusi për rolin e saj në sulmin ndaj Ukrainës
-Mbretëria e Bashkuar do të sjellë pjesë të projektligjit për krimin ekonomik përpara pushimeve të Pashkëve