Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, foli për mediat pas ndeshjes dhe tregoi përshtypjet e para pas sfidës. Ai kishte rezerva për gjykimin në rastin e të verdhit të kursyer ndaj Bitrit, teksa kritikoi edhe Hakajn për atë veprim, sipas tij joprofesional.
A jeni i kënaqur me rezultatin e ndeshjes?
Kishim ardhur për fitore, por mendoj se u bë një gabim nga arbitri, sepse një lojtar i Partizanit duhej të ndëshkohej me karton të kuq (Bitri). Duhej ta shihte në VAR dhe ndoshta forcat në fushë do të barazoheshin dhe do të kishte fituar më i miri.
Më pas, nga mënyra se si rrodhën ngjarjet, mendoj se ne jemi të kënaqur me këtë barazim dhe do të vazhdojmë të shohim përpara. Kampionati është i gjatë. E përgëzoj shumë edhe Partizanin, sepse ka ndryshuar shumë si skuadër dhe mendoj se do të ngjitet në nivelet ku i takon. Ne si Vllazni do të luftojmë deri në fund për objektivat tanë.
Sa i vështirëson objektivat tuaj rezultati i kësaj ndeshjeje?
Sigurisht që i vështirëson. Mendoj se Partizani është përmirësuar dhe kjo është një gjë e mirë, sepse kampionati bëhet më dinamik dhe lufta do të jetë më e madhe. Mendoj se kemi ende rrugë dhe nuk ka mbaruar asgjë akoma, janë edhe 15 ndeshje.
Pas minutave të vrullshme të Vllaznisë, e prisnit atë ndryshim të rrjedhës së ndeshjes?
Ne fillimin ishim të vrullshëm, siç ishte ndeshja ndaj Teutës, kur bëmë tre gola në pak minuta dhe të njëjtin skenar po mendoja edhe me Partizanin, por kartoni i kuq e detyroi trajnerin të ndryshojë skemën e lojës dhe shënimi i golit nga Partizani hapi gjithçka. Të dyja skuadrat bënë lojë të mrekullueshme. Vllaznia e meritoi barazimin dhe mendoj se ishte rezultat i drejtë.
Çfarë i kërkoni skuadrës në vazhdim?
Atë që kemi kërkuar që në fillim. Të jetë e fokusuar dhe sigurisht e motivuar. Të luftojmë deri në fund me dinjitet për të arritur objektivat tanë. Kampionati nuk ka mbaruar, ka shumë ndeshje, dhe mendoj se është luftë e gjatë. Besojmë ende te titulli kampion.
Çfarë i thatë skuadrës në dhomat e zhveshjes?
I përgëzova djemtë, sepse bënë një lojë të mirë, u munduan dhe luftuan fort, por u bënë edhe gabime, që grupi teknik do t’i vërë në dukje. Ndoshta në momente te caktuara lojtarët duhet të reagojnë në mënyrë më profesionale. Të jenë të kujdesshëm, sepse një karton i kuq na penalizoi në këtë ndeshje. Ne duhet ta motivojmë dhe mbështesim skuadrën. Është një grup shumë i mirë dhe ende do të ketë shumë luftë për të bërë deri në fund.
Keni një koment për tifozët, që erdhën të shumtë në numër dhe ishin mjaft të organizuar?
I përshëndes. Ata nga ndeshja në ndeshje po organizohen dhe ne si klub po mundohemi t’i mbështesim me të gjitha forcat brenda mundësive dhe ata po na e shpërblejnë me mbështetjen e skuadrës në transferta dhe në Shkodër gjithashtu. Jam optimist se çdo ditë e më tepër do të kemi më shumë tifozë në mbështetje të ekipit./Panoramasport