Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin e bërë nga ish-kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe dhe vartësit e tij të arrestuar për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Ish-kryebashkiaku socialist bëri rekurs në Gjykatën e Lartë për të fituar lirinë, por kërkesa e tij u refuzua.
“Gjykata vendosir mospranimin e rekurseve të paraqitura nga personat nën hetim Fatos Tushe , Flamur Peqini, Gazmend Çela, Bektash Nexha, Bujar Murati kundër vendimit nr.24, datë 28.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftim.
Edhe më herët ish kreu i Bashkisë Lushnjë, i akuzuar për “Shpërdorim detyre” në dyshimin e abuzimit me fondet publike dhe detyrën, ka kërkuar ndryshim të masës, teksa para Gjykatës ka mohuar akuzat, duke pretenduar pafajësi.
Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, rezulton se Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste. Përgjatë një viti hetimesh, SPAK pretendon se kryebashkiaku i Lushnjës, ka kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve tenderin prej 23 milionë lekësh. Sipas SPAK ndonëse fituese u shpall ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i kryebashkiakut.
Një tjetër episod kundër ish kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës, dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”. Me urdhër të Spak, disa muaj më parë policia hyri në ambientet e bashkisë duke ekzekutuar 11 urdhër arrestet SPAK, duke vënë në pranga keybashkiakun Tushe; Flamur Peqinin; Ibrahim Lamin; Bujar Muratin; Gazmend Çelën; Bektash Nexhën dhe Blerta Turkun.