Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi mendon se PD duhet të hyjë me një kandidat në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, qoftë i Bashës apo i Berishës.
Në një intervistë për Ora News, ai tha se qëllimi i vetëm që duhet të ketë opozita duhet të jetë kundërshtia ndaj Edi Ramës dhe regjimit të tij.
Shehi: Pakënaqësia ndaj Edi Ramës është kaq e madhe sa që ne mund të mbijetojmë politikisht duke i hipur kësaj lloj mushke. Kjo është diçka që na bashkon. Pro nëse përqendrohen votat në një pikë, kjo është mënyra për ta mbledhur dhe zgjedhuar opozitën. Këto fjalët e mëdha që “është dera e hapur”, si qenka dera e hapur kur ti do t’ia mbyllësh pjesës tjetër? Ne e kemi raportin me qytetarin, jo me aktivistët tanë. Raportin e kemi me qytetarin dhe betejën e kemi me Edi Ramën dhe njerëzit e tij.
Po e bëjmë luftën me njëri-tjetrin, po harxhojmë kaq shumë energji saqë s’po mbetet më për Edi Ramën, po bën qejf ky, po tallet me ne.
A do të ketë një përçarje nëse shkohet drejt një skenari tjetër dhe rrjedhimisht në një humbje të 6 bashkive? A duhet të mbajë dikush nga opozita përgjegjësi?
Shehi: Sigurisht që duhet të mbajë, siç duhet të mbante për humbjet e zgjedhjeve në 25 prill, por nuk po mban njeri, ky është realiteti. Unë do t’i ftoja të gjithë kolegët të rimendojnë pozicionet e veta, në një pozicion më të qetë dhe më afatgjatë. Unë do preferoja këtë skemë, është e thjeshtë, esenciale dhe na jep mundësi ta riprodhojmë veten pas një humbjeje të madhe. Pastaj kush do t’i përdorë zgjedhjet për të treguar që unë peshoj më shumë se pala tjetër, me sa duket ky është halli më i madh, le të vazhdojë të vërë 2-3 kandidatë. Pala tjetër ka shumë avantazhe. Ka inercinë e fitores që pati para disa muajsh, ka shtetin, administratën, paratë, korrupsionin, gjithë forcat e krimit dhe policisë. Një humbje tjetër do krijonte probleme të tjera brenda opozitës. Lodhen njerëzit.
A ke pasur komunikim me Bashën pas 25 prillit?
Shehi: Absolutisht! Kemi diskutuar një herë 4 ditë pas zgjedhjeve i kam thënë idetë e mia që nuk i pëlqyen. Idetë e mia ishin të thjeshta. Ka ardhur dita siç burrat tregohen kur rrinë, burrat tregohen edhe kur ikin. Çdo njeri bën ciklin e vet politik, e tillë është politika me ulje, me ngritje. Ka momente që duhet të rrish, ka momente që duhet të largohesh. Fatkeqësisht ose nuk jam i zoti unë t’i shpjegoj gjërat mirë, nuk është se më dëgjojnë shumë, por realiteti është që po ndodh kjo që po ndodh.