Nga BoldNews.al
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, hodhi vështrimin në celularin e saj në rubrikën e parashikimit të motit dhe vendosi të pezullojë mësimin në të gjithë shkollat e vendit për tre ditët e para të javës së ardhshme.
Sipas saj, temperaturat në Shqipëri pritet të mbërrijnë në minus 17 gradë Celcius dhe ajo e stafi i saj vendosën të merrnin masën ekstreme, në atë që Kushi e konsideroi si mbrojtje për shëndetin e fëmijëve.
Një nismë të tillë e mori para tre vjetësh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili gjithashtu pa në celularin e tij se temperaturat në fillim të janarit 2019 do të shkonin minus 16 gradë.
Në atë kohë, Veliaj e justifikoi vendimin me situatën e vështirë të infrastrukturës së shkollave, të cilën, sipas tij, e kishte lënë paraardhësi në krye të Bashkisë së Tiranës.
Por, tashmë, kur kryebashkiaku televiziv nuk harron në asnjë shfaqje propagandistike për të treguar se si ka përmirësuar situatën në shkollat e kryeqytetit, nuk shprehu asnjë kundërshtim për vendimin e ministres së Arsimit, Kushi.
Natyrisht, gjendja e shkollave të arsimit parauniversitar në kryeqytet, por edhe në të gjithë Shqipërinë, është në një situatë shumë të rëndë.
Këtë e tregoi edhe vendimi i Ministres së Arsimit, e cila u orientua nga parashikimi i motit në celular për të vendosu pezullimin tre-ditor të mësimit.
“Sipas parashikimeve meteorologjike, në ditët në vijim priten temperatura tepër të ulëta, të cilat janë temperatura të jashtëzakonshme për një vend si i yni. Madje në disa zona do të arrijë deri në – 17 gradë celsius. Për këtë arsye, duke qenë se prioriteti ynë absolut në çdo kohë është shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë, kemi vendosur që shkollat të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën, dhe orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore”, shkruan Kushi në një postim në rrjetet sociale.
Njoftimi bie ndesh me propagandën masive qeveritare, lidhur me investimet në shkolla, si edhe ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si menaxhohen miliarda të fondeve publike në procedura tenderuese mbi përmirësimin e infrastukturës dhe ngrohjes në ambjentet e sistemit parauniversitar në të gjithë Shqipërinë.
https://www.youtube.com/watch?v=jaW79x7SfRI&feature=youtu.be
Video e postuar në FB nga Evis Kushi
Vendimi i ministres Kushi, me qëllim për të mbuluar dështimin e qeverisë, përfshin edhe shkollat private, të cilat, duhet pranuar, kanë kushte shumë më optimale për mësimin, përfshirë ngrohjen dhe ambjente komode.
Nga ana tjetër, ministrja Kushi, por edhe shefi i saj, kryeministri Edi Rama, nuk kanë dhënë asnjë sinjal se si do të arrijnë prindërit që të menaxhojnë fëmijët, sidomos ata të arsimit fillor, gjatë tre ditëve të imponuara të pushimit, ndërkohë që vetë do të jenë në punë.
Pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019, qeveria vendosi të pezullojë përkohësisht mësimin në shkolla, duke krijuar njëkohësisht hapësirë që të paktën njëri prej prindërve të qëndronte me leje të paguar në shtëpi, me qëllim shoqërimin e fëmijëve.
Por, ai ishte një rast i izoluar. Pezullimi i mësimit në arsimin parauniversitar për shkak të motit në në janarin e vitit 2021 dhe tashmë, në fillim viti 2022, nuk është shoqërua me leje të paguar për prindërit.
Këta të fundit, së bashku me fëmijët e tyre, janë ata që e pësojnë më shumë nga keq-administrimi qeveritar i infrastrukturës shkollore.
Ndërkohë, vendimi i Kushit për pezullim disa-ditor, i cili ndoshta mund të zgjasë edhe më shumë, përpiqet të fshehë një situatë tjetër të vështirë në shkolla-atë të dështimit qeveritar me pandeminë dhe projektin e shumë-propaganduar të “mësuesve zëvendësues”.
Në fillimet e pandemisë së Covid-19, në mesin e vitit 2020, Ministria e Arsimit njoftoi se kishte bërë gati një armatë mësuesish zëvendësues, të cilët do të plotësonin çdo boshllëk të krijuar nga munesa e mësuesve primarë, të cilët prekeshin nga virusi Sars-Cov-2.
Aktualisht, raportimet mediatike janë të mbushura me shkolla, anekënd vendit, të cilat kanë pezulluar mësimin, për shkak të përhapjes së Covid-19 në radhët e mësuesve, ndërkohë që nuk ka zëvendësues.
Për t’i hedhur një tyl dështimeve të plota qeveritare, si me investimet në infrastrukturë, ashtu edhe me menaxhimin e pandemisë, qeveria, nëpërmjet ministres Kushi, vendosi pezullimin e mësimit në të gjithë Shqipërinë.