Endri Tafani, një prej aktivistëve në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me atë se çfarë ndodhi dje te zona e “5 Majit” në Tiranë, ku u shembën banesat e disa qytetarëve, ndërsa Policia reagoi dhunshëm ndaj banorëve, duke i larguar nga shtëpitë.
Skema është pothuajse e njëjtë, si e shembjen e banesave te Unaza e Re, ashtu edhe te ish-Stacioni i Trenit, sikundër ndodhi në 2018 edhe me Teatrin Kombëtar.
Policia ndërhyn dhunshëm, largon banorët nga shtëpitë, ata që kundërshtojnë shoqërohen në Komisariate, fadromat kthejnë në gërmadha ndërtesat, dhe më pas shfaqet Kryebashkiaku i Tiranës që sulmon qytetarët duke i cilësuar si një pakicë që po pengon zhvillimin e qytetit.
Tafani në postimin e tij bën një krahasim mes asaj që ka ndodhur në Shqipëri në 2018-2022 me kohën e nazizmit në vitet 1933-1945.
Postimi nga Endri Tafani
Kur luftonim për Teatrin e thonim që nëse nuk kundërshtojmë shtetin për arbitraritetin nesër mund të jetë radha e shtëpive tuaja, njerezit nuk besonin.
Në zonën 5 Maji në Tiranë po përsëritet i njëjti skenar i ndërhyrjes me dhunë të shtetit. Pa rënë dakort paraprakisht me banorët, ua prish shtëpitë duke I lënë në mes të rrugëve.
E si për të hedhur kripë mbi plagë, këtë gjë e bën në mes të dimrit e të ftohti a thua se nuk pritej dot vera per atë punë.
Na mungon kohezioni e bashkëpunimi si shoqëri dhe jemi të dënuar t’i luftojmë vetëm betejat tona.
Siç tregonte dhe prifti gjerman Martin Niemoeller për veprimet e nazistëve dhe reagimin e shoqërisë. …
Kur erdhën nazistët për të marrë komunistët, unë heshta se nuk isha komunist.
Kur u burgosën socialdemokratët, unë heshtja, sepse nuk isha socialdemokrat.
Kur erdhën dhe filluan të kërkonin aktivistë sindikalë, unë nuk protestova sepse nuk isha sindikalist.
Kur erdhën për të marrë hebrenjtë, unë nuk protestova sepse nuk isha hebre.
Kur erdhën për mua, nuk mbeti njeri që të protestonte.
E vërtetë në Berlin 1933-1945
E vërtetë në Tirane 2018-2022
Ajo që të dhemb më shumë në ngjarjen e sotme është koncepti mjeran që kanë shumica e shqiptarëve kur thonë që “shteti ka të drejtë”.
“Nuk bie dakort mbi çmimin (qesharak!) që të caktojnë për shtëpinë? Hajt se të nxjerr shteti përjashta me dhunë e mirë ta bën. Nuk mund të mbash peng planet e shtetit ti. U bëre ti..”.
Këta mjeranë janë dhunuesit tanë origjinale. Mund ta themi me plot gojën janë dhunuesit tanë, sepse votojnë që të vijnë dhe mbajnë në pushtet tipa të dhunshëm, që nuk pyesin fare për qytetarët, “sepse janë shteti”.
Eshte një koncept totalisht i dhunshëm, i trashëguar nga diktatura, koncept nga i cili nuk shkëputen dot një pjesë e mire e shqiptarëve dhe vuajmë pasojat sot e kësaj dite.
Ironikisht një vend komunist si Kina është shumë më i kujdesshëm në trajtimin e pronës së individit. Ligjet në Kinë janë të prera. Nëse pronari ndërtesës nuk bie dakort mbi çmimin atehere nuk mund të prishet banesa e tij në asnjë mënyrë.
Kina komuniste kështu është shumë më përpara nesh në këtë drejtim. Ironike…
Në këtë rast nuk mund të lihet pa përmendur dhe hipokrizia e “konsultimit me publikun”. Një temë e sterfolur dhe e sterlodhur me të cilën hanë buke 99% të OJF-ve dhe që të gjithë e dimë që është një hipokrizi e gjallë. Është mëse è qartë që është thjesht larje goje për tu dukur bukur me letrat e propagandën.
Ashtu siç është dhe nisma me e fundit “konsultimi me publikun” e shpallur nga Rama.
E thënë shkurt, Shtetarët shqiptare janë të dhunshëm dhe hipokrite. Pasqyrë e gjallë e atyre shqiptareve që i votojnë dhe i mbajnë në pushtet.