Nga Taulant Halili/ Boldnews.al
Vizita e Rexhep Taip Erdogan, e arriti qëllimin e sotëm në Shqipëri, jo për faktin e veprave ‘bamirëse’ e as atë të kërcënimit të zhdukjes së çdo gjurme të Fetullah Gulenit në Shqipëri, por për sfumimin e plot të përkujtimit të 554 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Pothuajse në çdo media dhe dritare mediatike, sot vëmendja ishte e gjitha tek sulltani, e tek tuk në statuse Facebooku përkujtohej vdejka e heroit tonë, ai i cili i kushtoi jetën luftës kundër pushtimit osman.
Ajo që pamë sot ishte një shfaqje e shëmtuar jo vetëm e kryeministrit tonë, lartmadhërisë së tij Edi Rama i I-rë, por edhe i k-analistëve e gazetarëve tanë të ‘nderuar’, që nuk lanë hapësirë mediatike e postimin në rrjete sociale pa lavdëruar e pa i thurur mite të ‘madhit’ Erdogan.
Sot pamë që Shqipëria e 500 viteve luftë, ju dorëzua në vetëm 12 orë e gjitha sulltan Erdoganit, e kjo falë k-anasitëve me pagesë në media dhe vetë pashait Edi Rama, të cilët jo vetëm e lavdëruan, e mitimizuan, por bënë dhe atë që edhe turqit e xhonturqit bashkë nuk e bënë kurrë, e çuan të bënte homazhe mbi varrin e heroit tonë, një poshtërim që asnjë shqiptar nuk e kishte borxh.
Turkoshakët e panumërt nuk lanë dritare mediatike e rrjet social pa reklamuar 42 milionë eurot që vetë Turqia nën përkujdesjen e Sulltanit dha për banesat në Laç.
Atë pra që në 500 e kusur vite turqit nuk e arritën kurrë e morën sot. Morën Kurbinin krenarinë shqiptare për të cilën ne deri dje thoshim: Kurbinin nuk e morën kurrë.
E morën sot pa luftë, por me para, tradhëti e për më tepër me proagandë, a sa lirë, pa çmim, pa gjak, e për më tepër pa luftë.
E morën sot sepse Hamzai na paskërka lënë pasardhës edhe më të këqinj se vetja, edhe më djallëzorë.
E morën sot, jo se shqiptarët u dorëzuan, por se numri në rritje i turkoshakëve e Hamzallarëve në Shqipëri është rritur, disa nga interesi, disa nga paratë e disa të tjerë nga mungesa e gjakut shqiptar.
E nëse sot në Shqipëri duhej të ishte një ditë e shënuar e ditë përkujtimore për vdekjen e njeriut që për herë të parë krijoi një shtet brenda territoreve shqiptare, ne sot varrosëm për herë të dytë dhe në mënyrë barbare heroin tonë kombëtare.
Sot shtetarët tanë i vunë një lopatë dhe të zezë historisë së Skëndërbeut, pasi pikërisht në ditën kur vendi, media e çdokush nga ne duhet të fliste shqip dhe të tregonte po shqip bëmat dhe historin e heroit, ne vendosëm të flasim turqisht, pikërisht në gjuhën e Erdoganit…
‘Eh moj shqypni e mjera shqypni, kush të ka qit me krye në hi’… Poemë që vetë ne shqiptarët e rishkrujatëm po sot për shqiptarët …