Ndarja në PD u bë akoma më e dukshme edhe pas protestës së 8 janarit në Selinë Blu ku nuk munguan edhe përplasjet e dhunshme. Protesta u pasua nga një sërë përjashtimesh dhe kjo pritet të sjellë edhe ndarjen e madhe të grupit parlamentar të PD-së.
E ftuar në “Log” në ABC, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka treguar se si do të veprohet me ndryshimet që pritet të ndodhin me Grupin Parlamentar të PD-së.
Zonja Nikolla tha se në të gjitha rastet mënyra sesi do të veprohet është e caktuar në Rregulloren e Kuvendit.
Ajo shpjegoi se deputetët kanë të drejtë të vendosin të lirë nëse duan të largohen nga një Grup Parlamentar për të shkuar në një tjetër. Vetëm se ky kalim mund të ndodhë gjashtë muaj nga regjistrimi.
“Deputetët kanë të drejtë të vendosin të lirë për t’u larguar nga një grup për të shkuar në një tjetër. Vetëm se koha duhet të jetë në mes 6 muaj. Pas gjashtë muajsh hyjnë në fuqi ndryshimet. Në Kuvendin e Shqipërisë, peshën specifike e kanë grupet parlamentare…”
Edhe nëse do të ketë ndryshime në sallë, sa i përket mënyrës se ku do të ulen deputetët, Nikolla sqaroi se është e përcaktuar me rregullore që tagri për këtë çështje i takon kryetarit të grupit. E pyetur nëse ish-kryeministri mund të marrë kohën e mbështetësve të tij nëse ata janë të gatshëm në Parlament, Nikolla sqaron se kjo nuk mund të bëhet sepse e ndalon rregullorja.
Pra Berisha do të ketë 10 minuta kohë për të folur dhe nëse ai dhe mbështetësit e tij do të duan të krijojnë një grup më vete parlamentar, për ta realizuar këtë do duhet të ketë jo më pak se shtatë deputetë.