Familjarët 3-vjeçarit në lagjen Sheq i Vogël të Fierit nuk kanë qetësi derisa të zbardhet e vërteta sesi i mbyt fëmija i tyre në kopshtin privat.
Prindërit e tij të shoqëruar nga familjarë të ngushtë ishin sot në prokurorinë e Fierit për të takuar drejtuesin e saj, por dolën prej andej bosh.
“Na thanë hajdeni dhe takoni prokurorin dhe prokurori doli që ishte në gjykatë”, tha mes dhimbjes dhe zhgënjimit e ëma.
Dhimbjen e shton dhe më tej fakti se kopshti hapi dyert si të mos kishte ndodhur asgjë këtë të hënë, edhe pse edukatorja e tij është arrestuar për ngjarjen.
Duke mos besuar në versionin e vetëmbytjes së fëmijës, siç thonë burime nga grupi hetimor, ata thonë se drejtori i kopshtit i ka gënjyer edhe për kamerat e sigurisë, pasi rezultoi që vendi ku pretendohet se është mbytur djali nuk ka të tilla.
“Presidenti i kopshtit na ka gënjyer, ka ardhur te shtëpia. Ka thënë që ka kamera kopshti në çdo cep dhe na mashtroi. Kur vajtëm dje tha ka vetëm 6 kamera. Vendi ku thotë ai është vrarë çuni nuk ka mundësi në botë të jetë vrarë. Kapse të ngelnin në dorë, si mund të vritet një fëmijë 15 kg? Kopshti sot është hapur, kaq i pashpirt qenka ai kriminel. Dua drejtësi për djalin tim”, u shpreh e ëma e 3-vjeçarit Donalda Kodheli.
“Jam gjyshi i nipit, atë ditë ka qenë vetëm një edukatore, aty ka dhe fëmijë autikë. Të zbardhet ngjarja deri në fund. Ka qenë pakujdesi, o ka rënë nga shkallët, Zoti e di”, tha gjyshi i të ndjerit.
“Na ndihmoni të shikoni vendin e ngjarjes, kopshti është i hapur. Na konfirmoni që ai fëmijë është varur atje. Kemi bërë kallëzim dje në polici. Jam përsëri i pakënaqur me policinë që kopshti është hapur. Si mund të hapet kur një fëmijë ka vdekur atje? Po na bëhet vrasja radhë. Na sollën një ndërmjetës, Vangjel Ndrekon. I thashë kërkoj një garanci nga ty. A ka vendi ku është varur fëmija ka kamera? Tha po. Ne duam të na zbardhin të vërtetën, nuk jemi vrasës, ne jemi të vrarë. Nuk ka qenë aksidentale fare”, u shpreh daja.