Gazment Bardhi deklaroi këtë të Mërkurë se dyert për të hyrë në selinë e Partisë Demokratike janë të kyçura për shkak të punimeve që po kryhen.
Deklarata vjen pasi deputetë demokratë – pjesë të Komisionit të Rithemelimit të PD-së, tentuan të hyjnë në selinë blu, por i gjetën dyert e kyçura. Bardhi tha se çdo deputet i PD-së lejohet të hyjë, por fillimisht duhet të lajmërohet administratën për shkak të punimeve që po kryen.
“I lejuar të futet çdo anëtar, çdo deputetë, e rëndësishme të mos shoqërohet me trafikantë droge”, theksoi ai.
Bardhi u shpreh se kolegët e tij bënë një shou mediatik duke provuar a ishin kyçur dyert e PD-së. “Janë të njëjta dyer, thjesht janë veshur me adeziv”, u shpreh.
“Shou mediatik që patë në shkallët e PD tregon dhe njëherë që për disa shou dhe tallja e vijueshme për demokratët ka zëvendësuar betejën me regjimin e Ramës. Kemi konfirmuar dhe dje se ne godinën e PD, në ambientet e brendshme, janë duke u kryer punime. Ky është fakt publik, s’ka nevojë për të trokitur në dyert e PD. Po shtohen ambientet e punës. Disa kanë betejën për karrigen, ndërkohë institucionet e partisë janë në betejë me regjimin e Ramës. PD ka qenë dhe do jetë e hapur për çdo demokrat të sakrificave që punon me mund e djersë. Pd do jetë e mbyllur për çdo trafikant droge që ka qenë krah Berishës dhe mbështetësve të tij. Aktet e dhunës dhe gjuha e dhunës e përcjellë gjatë gjithë këtyre ditëve nga disa kolegë s’është gjuha dhe akte që i shërbejnë demokratëve, por Ramës. Aktet e dhunës janë e vetmja forcë që i ka ngeur pakicës në PD. Është fakt i njohur se shumica dërrmuese e anëtarve të pd, këshillit kombëtarët dhe 5004 delegatët e PD kanë zgjedhur interesin e Shqipërisë dhe kanë ndaluar në mënyrë përfundimtare që fenomeni i bunkerizimit të Berishës i shpallur non grata nga SHBA, të bëjë që gjithë PD të kthehet non grata. Skenarë me akte dhunë kanë për të dështuar. Nga 18 Dhjetori jemi të fokusuar në betejën që kemi me regjimin e Edi Ramës”, tha ai.
Ai konfirmoi se më 8 Janar, kur Komisioni i Rithemelimit të PD ka njoftuar protestë para selisë, do jetë në seli.