Një ditë pas prezantimit të hartës së re gjyqësore, ka ardhur dhe kundërshtitë e para. Dhoma vendore e avokatëve të Korçës, e cila e kishte kundërshtuar këtë ide ende pa u zyrtarizuar drafti, thotë se një reduktim i tillë gjykatash fut në kolaps sistemin.
Arben Lena, kryetar i DHVA Korçë, thotë se për këtë çështje ka solidaritet dhe nga kolegët në Tiranë e rrethe, teksa shton se në janar mund të ketë dhe aksione konkrete prej tyre deri në bojkot.
“Është një problem që ne e kemi ngritur që në filimin e hedhjes se idesë se reduktimit të gjykatave dhe aktualisht jemi para një drafti të miratuar nga KLGJ dhe Ministria e Drejteësisë në të cilin synohet një reduktim drastik i gjykatave, gjykatat e shkallës së parë kalojnë në 12, kemi vetëm 1 gjykatë Apeli, 2 gjykata Administrative të shkallës së pare dhe një gjykatë Apeli Administrative. Kemi një skemë që unë nuk e din se kujt do i shërbejë por sigurisht që nuk do i shërbejë popullit, marrjes së drejtësisë efikase nga populli. Është e pamundur që sistemi i drejtësisë të funksionojë me këtë skemë, me këtë mënyrë organizimi gjykatash pavarësisht se cilat janë qëllimet e krijimit të këtij drafti por është një skemë që shumë shpejt do bjerë në kolaps. Pretendohet që shërbimet, përfshirë edhe ato të drejtësisë, të jenë sa më afër qytetarit dhe ai postulati “Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar” në qoftë se deri tani e kemi pasur në raste të pakta, besoj që tani kjo drejtësi e vonuar do jetë mëse evidente dhe e prekshme gjithandej. Ashtu siç e përmendi edhe drejtuesja e KLGJ dje, sistemi gjyqësor dhe gjykatat janë në minimumin e kapacitetit të tyre”, tha ai në një prononcim nga gazetarët.
“Dje vetë kryetarja e KLGJ solli si shembull Gjykatën Administrative të Apelit në të cilën një gjyqtar ka 3000 dosje. Me një llogari të thjeshtë, ditë pune efektive janë 220. Në rastin më të mirë që një gjyqtar të lexojë një dosje, të arsyetojë vendimin dhe të japë një vendim të drejtë i duhet minimumi 1 ditë. Atëherë brenda një viti një gjyqtar duke mos i vajtur dosje të tjera përfundon 220 dosje. 3000 dosje një gjyqtari të Apelit i duhen 15 vite që ti përfundojë. Aksesi i qytetarëve në drejtësi është pothuajse i pamundur dhe jo efektiv dhe kjo skemë po i zhyt akoma më keq në një joefektivitet të plotë. Dje kam patur kontakte me kolegë të mi, dhe kemi shprehur të gjithë indinjatën tonë në lidhje me ketë problem dhe me sa jam informuar nga kryetari i Dhomës së Avokatisë Haxhiaj është hedhur ideja e një bojkoti të cilin ne e kemi bërë edhe herë të tjera kur ka qenë puna edhe me skemat e sigurimit dhe detyrimin e caktimit të një page minimale jonormale për avokat.Në muajin janar në varësi të përgjigjes mund të marrim edhe masa të reja në lidhje me këtë problem që po zhvillohet”, shtoi.