Derisa Gjermania ka tashmë një koalicion të ri qeverisës, disa analistë po debatojnë midis tyre nëse synimet ambicioze të politikës së jashtme, që qeveria e re në Berlin i prezantoi në nëntor, sugjerojnë një ndryshim të madh të strategjisë ndërkombëtare të këtij vendi, dhe që mund të ketë pasoja edhe mbi politikën e jashtme të vetë Bashkimit Evropian.
Përkrahësit e forcimit të integrimit ushtarak evropian – dhe sidomos të kapaciteteve ushtarake ta pavarura të BE po e shohin interesin e koalicionit të ri për një politikë të jashtme më të vendosur, veçanërisht kundër agresionit rus në Ukrainë, si një shenjë se një unioni mund të jetë në gjendje të ndërtojë ushtrinë e tij.
Por teksa anëtarë të ndryshëm të koalicionit të ri, ranë në parim dakord me idenë e një “Ushtrie Evropiane” në fushatat e tyre elektorale, mbështetësit e saj duhet të mos mbajnë dhe aq shpresë për krijimin e saj.
Partitë që përbëjnë koalicionin e ri qeveritar në Gjermani, shmangën me skrupulozitet përmendjen në marrëveshjen e tyre të koalicionit konceptin delikat të një ushtrie evropiane, pasi ajo krijon ndjesinë e humbjes së sovranitetit kombëtar, dhe përdoret shumë shpesh nga euroskeptikët si një argument kundër tyre.
Në vend të saj, ata po zgjedhin të punojnë drejt garantimit të “sovranitetit evropian”. Por kjo qasje do të kërkojë sërish një integrim ushtarak evropian,i cili vazhdon të përballet me probleme të qëndrueshme politike, logjistike dhe të financimit.
Edhe vetë historia sugjeron se kjo nismë mund të jetë e vështirë të realizohet, pasi ka pasur shumë përpjekje të dështuara për të ngritur një ushtri të Bashkimit Evropian. Madje dikur Shtetet e Bashkuara iu kundërvunë me forcë përpjekjeve të tilla.
Për shembull, kur kryeministri i atëhershëm i Britanisë së Madhe Tony Blair dhe presidenti francez Jacques Chirac nënshkruan në vitin 1998 një marrëveshje në Saint-Malo për të krijuar një forcë ushtarake evropiane, administrata e Bill Clinton deklaroi se kjo strukturë do ta shndërronte NATO-n në një relike të së shkuarës.
Kundërshtimi i Uashingtonit ndaj këtij projekti mbeti i njëjtë edhe ndër 2 dekadat që pasuan. Në vitin 2018, administrata Trump denoncoi publikisht planet për ndërtimin e një ushtrie të BE-së.
Mbi të gjitha, rezistenca ndaj krijimit të një ushtrie të unionit është e fortë në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore si Polonia dhe Letonia, pasi këto vende që janë anëtaret më të reja të NATO-s dhe BE-së, kanë frikëse çdo strukturë ushtarake e BE-së mund të zëvendësojë institucionet ekzistuese të NATO-s, dhe për pasojë të reduktojë praninë ushtarake të SHBA-së në rajon.
Historia e përpjekjeve të dështuara, e shtyu me shumë gjasa presidentin francez Emmanuel Macron dhe më pas kancelaren gjermane Angela Merkel, që të shmangin premtimet specifike mbi këtë çështje, kur shpallën në vitin 2018 mbështetjen e tyre mbi një kapacitet teorik ushtarak të BE-së në të ardhmen.
Madje edhe Traktati franko-gjerman i Ahenit në vitin 2019, të cilin Merkel e cilësoi hapur si një hap drejt formimit të ushtrisë së BE-së, nuk përfshiu ndonjë hap të qartë drejt krijimit të saj. Ndërkohë sot liderët e partive të koalicionit të ri qeverisës në Gjermani, janë të vetëdijshëm për këtë histori, dhe mund ta kenë zbutur enkas gjatë negociatave retorikën e tyre mbi integrimin ushtarak të vendeve të BE-së.
Me angazhimet e saj për ta forcuar sovranitetin evropian, qeveria e re gjermane mund të rrisë me sukses mbështetjen ndërkombëtare për programet ekzistuese të integrimit ushtarak evropian. Këto nisma përfshijnë programin e Bashkëpunimit të Strukturuar të Përhershëm të BE-së (PESCO), që synon të koordinojë më mirë blerjen e pajisjeve ushtarake në të gjithë BE-në, të integrojë zinxhirët e furnizimit ushtarak, si dhe Konceptin Kuadër të Kombeve të NATO-s.
Por këto nisma nuk synojnë të kontribuojnë drejtpërdrejt në formimin e një ushtrie të BE-së, dhe nuk ekziston asnjë iniciativë për integrimin ushtarak, me synimin e qartë e afatgjatë të ndërtimit të një ushtrie të Bashkimit Evropian. Për më tepër, as zbatimi i tyre nuk ka qenë i lehtë.
Sidomos PESCO është përballur me vonesa serioze dhe të përsëritura të shkaktuara nga pengesa të tilla si pandemia e Covid-19. Për më tepër, projektet e PESCO-s varen nga fonde që vijnë nga shumë burime, përfshirë Fondin Evropian të Mbrojtjes (EDF), i cili nisi në korrik të këtij viti, nga BE dhe buxhetet kombëtare.
Por deri në korrik, 20 projekte të PESCO-s nuk kishin marrë ende asnjë financim nga buxhetet kombëtare. Ndërkohë, EDF financon zhvillimin e pajisjeve të përbashkëta ushtarake për ushtritë e anëtarëve të BE-së. Por përfitimet nga ky financim do të vijnë vetëm disa vite më vonë, duke pasur parasysh kohën që duhet për të përmirësuar prodhimin e pajisjeve ushtarake.
Nga ana tjetër, integrimi ushtarak në shkallë më të gjerë, do të duhet që t’i adresojë këto të meta të mëdha të natyrës logjistike, me të cilat përballen tashmë programet më të vogla si PESCO. Por pavarësisht pengesave të tilla, mbetet ende njëfarë interesi evropian mbi integrimin në rrafshin ushtarak.
Ndërsa presidenti amerikan Joe Biden mban një qëndrim më pajtues ndaj Bashkimit Evropian në krahasim me paraardhësin e tij, ngjarjet e fundit i kanë zbehur shpresat e evropianëve për një angazhim të ripërtërirë të SHBA-së në rajon, dhe kanë nxitur më shumë mbështetje për sovranitetin evropian.
Një përshpejtim i pjesshëm i integrimit ushtarak evropian, mund ta ndihmojë gjithashtu qeverinë gjermane të koalicionit të përmbushë ambiciet e saj për sovranitetin evropian.
Sipas “Rishikimit të Punëve të Jashtme Evropiane”, PESCO ka pasur njëfarë suksesi në “de-fragmentimin e tregut të mbrojtjes në Bashkimin Evropian”.
Për më tepër, administrata Biden ka sinjalizuar mbështetjen e saj për një projekt si PESCO, në një lëvizje që sugjeron se ajo nuk është në thelb kundër një ushtrie evropiane ashtu siç kanë qenë administratat e mëparshme amerikane.
Ndërkohë PESCO është përforcuar më tej nga Nisma Evropiane e Ndërhyrjeve, një grupim që organizon seminare të nivelit të ekspertëve për të përmirësuar integrimin e “kulturës strategjike” të Evropës pa qenë një njësi formale e BE-së apo e NATO-s.
Por integrimi ushtarak evropian mund të nxisë akoma më shumë zhvillime të tjera. Pesë anëtarë të BE-së (duke përfshirë një vend që nuk është anëtar i NATO-s) janë angazhuar në parim që një ditë të zgjerojnë grupet tashmë ekzistuese të BE-së, apo njësitë ushtarake shumëkombëshe që reagojnë me shpejtësi në raste krizash.
Komisioni Evropian ka diskutuar krijimin e një force të përbashkët ndërhyrje prej 5 mijë trupash deri në vitin 2025. Në përgjithësi duket se ka një vullnet në këtë aspekt,të cilin qeveria e re gjermane mund ta përdorë nëse dëshiron vërtet që të ndjekë angazhimet e saj për ta forcuar sovranitetin evropian.
Ndërsa përçarjet e koalicionit të ri gjerman mund ta dëmtojnë këtë proces, propozimet e reja për krijimin e grupeve të zgjeruara të betejës në BE, dhe zhvillimet materiale në integrimin ushtarak evropian, duhet të shihen si hapa drejt kapacitetit ushtarak të BE-së, edhe pse jo drejt një ndërtimit të një ushtrie të mirfilltë të BE-së.
Ekzistojnë ende disa probleme të rëndësishme që duhen kapërcyer. Faktorë të tjerë përfshijnë edhe çështjen se sa mirë i trajtojnë anëtarët e BE-së problemet e financimit dhe blerjeve në fushën e integrimin ushtarak, dhe për më tepër nëse administrata e Joe Biden do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e saj.
E ardhmja e integrimit ushtarak në BE, mund të varet gjithashtu edhe nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit 2022. Në rast se qeveria e re e koalicionit në Gjermani, do ta ketë të pamundur të punojë me një president siç është Emmanuel Macron, këto plane mund të ngecin (ose më keq akoma të dalin tërësisht jashtë axhendës).
Nëse më shumë kandidatë euroskeptikë si Eric Zemmour ose Marine Le Pen arrijnë të fitojnë presidencën në Francë, çdo përparim në integrimin ushtarak evropian do të jetë praktikisht i pamundur. Ideja e një kapaciteti ushtarak të BE-së, ka ende gjasa të entuziazmojë edhe për ca kohë mbështetësit e sovranitetit ushtarak evropian. Por debati mbi dobinë dhe fizibilitetin e kësaj ushtrie do të zgjasë po aq gjatë.