Lulzim Basha përshëndeti këtë të Martë arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka për aferën e inceneratorëve, por shtoi se hetimi do jetë i plotë pa u marrë të pandehur dhe “peshqit e mëdhenj”.
Sipas tij, këtu përfshihen, kryeministri Edi Rama, Ëngjëll Agaçi, Damanin Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, kryebashkiakët e Fierit e Elbasanit dhe Klodian Mërtiri.
“Sot është dita kur Lefter Koka është arrestuar, që Edi Rama, Ëngjëll Agaçi, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, së bashku me Klodian Mërtirin, Erion Veliajn dhe kryetarët e dy bashkive të tjera të thërriten dhe të merren urgjentisht sipas ligjit, të procedohen sipas ligjit, sepse pa ta Lefter Koka, sigurisht që nuk do të arrinte dot të kryente këtë vepër monstruoze dhe këtë krim të rëndë mbi xhepat e shqiptarëve”, deklaroi Basha jashtë selisë blu.
Reagimi
“Arrestimi i sotshëm i ish-ministrit të Edi Ramës, Lefter Koka, është një tjetër provë që fakton drejtësinë e denoncimeve të Partisë Demokratike. Sot është dita të kujtojmë se është dita të kujtojmë se ishte Partia Demokratike e cila në shkurt të vitit 2018-të, nisi procesin e denoncimeve dhe të interpelancave parlamentare, përkundër gjithë zhumnajës, blerjes së heshtjes publike duke përfshirë influencimin përmes parave të inceneratorëve pothuajse të gjithë mediave shqiptare. Për 400 milionë euro që iu janë zhvatur taksapaguesve shqiptarë. E pra sot, arrestimi i ministrit të Ramës provon se akuzat tona kanë qenë të drejta. Se denoncimet tona kanë qenë të bazuara. Thënë kjo, nuk ka qytetar shqiptarë ta besojë se ky është peshku i madh. E dinë të gjithë që 17 vendime qeverie brenda dite, nuk i nxirrte dot një ministër kushdo qoftë ky. Emrat e vërtetë që qëndrojnë pas kësaj afere, pas këtij abuzimi me 400 milionë euro të shqiptarëve, janë ato të Edi Ramës, të Damian Gjiknurit, të Erion Veliajt, Klodian Mërtirit, Arben Ahmetajt dhe surogatëve të tjerë, dy kryetarëve të tjerë të bashkive të tjera. Ndaj sa kohë që nuk ka veprim të plotë, nuk ka drejtësi të plotë për këtë aferë të tmerrshme korruptive e cila ka varfëruar edhe më shumë xhepat e shqiptarëve”, tha Basha.
“Nuk mund të themi se sot është një ditë triumfi, për drejtësinë. Është ndoshta fillimi i një procesi, por që nuk mund të përfundojë pa i dhënë përgjigje pyetjeve se çfarë bëhet me kokat e kësaj afere, me kreun e qeverisë që kaloi 17 vendime qeverie brenda një dite. Paratë e kujt po pastronte ministri i Ramës që është arrestuar sot? Kjo dëshmon edhe njëherë rëndësinë që ka komisioni hetimor për inceneratorët, dëshmon edhe njëherë rezistencën, arsyet për rezistencë që iu bë ngritje së këtij komisioni dhe rikthen vëmendjen e qytetarëve faktin që ne, Partia Demokratike po e bëjmë këtë betejë për interesat e shqiptarëve, për xhepat e shqiptarëve, në krahun e shqiptarëve, por po tregohet qartë që me refuzimin për t’ju përgjigjur në kohë me dokumentacionin e kërkuar dhe me dëshmitarët e kërkuar fajtorët janë vetëzbuluar para opinionit publik. Ky është momenti për t’i thënë çdo shqiptari që Komisioni Hetimor për Inceneratorët dhe beteja e nisur që në shkurt të vitit 2018, madje që në 2017 për denoncimin e kësaj skeme mafioze, kjo betejë do të vazhdojë dhe se pavarësisht prej vullnetit të plotë apo jo të drejtësisë të cilës i kërkoj sot të veprojë pa hezitim për të vënë para përgjegjësisë të gjithë duke filluar nga kokat dhe jo duke u kënaqur vetëm me 1, 2 apo 3 pjesëmarrës në këtë skemë gjigande korrupsioni. Pavarësisht nga gjithë kjo Partia Demokratike, deputetët tanë në komisionin e hetimit për inceneratorët do të vijojnë betejën tonë për transparencën pikërisht në funksion të zbardhjes së kësaj skeme gjigande kriminale që nga njëra anë ka rënduar qytetarët sepse ju të gjithë e dini që qytetarëve dhe bizneseve, taksat e pastrimit u janë rritur e ju janë shtuar. E dini fare mirë se kjo nuk ka sjellë as cilësi më të mirë ajri, asnjë higjenë më të madhe në qytetet tona. Përkundrazi, ka sjellë ndotje më të mëdha sepse e gjithë skema e inceneratorëve është një skemë mafioze e ndërtuar për të vjedhur shqiptarët dhe për të dëmtuar shëndetin e tyre. Nuk mund të mos e shpreh se ky hap i parë i ndërmarrë sot padiskutim është i mirëpritur, por nga ana tjetër dua ta them fare qartë në emër të Partisë Demokratike se pa shkuar tek peshqit e mëdhenj të kësaj afere, gjithçka do të mbetet një farsë dhe në vend që të ndërtojë rrezikon që të rrënojë besimin e drejtësisë. Ndaj, e nxis drejtësinë në këtë ditë kur ka hedhur këtë hap të marrë të mos ndalet me kaq, mos ta fusë për kalendar greke siç i thonë procesin e hetimit, por të shkojë menjëherë tek autorët që e kanë bërë të mundur siç e thashë firmosjen e 17 akteve qeveritare me një ditë. Sot është dita kur Lefter Koka është arrestuar, që Edi Rama, Ëngjëll Agaçi, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, së bashku me Klodian Mërtirin, Erion Veliajn dhe kryetarët e dy bashkive të tjera të thërriten dhe të merren urgjentisht sipas ligjit, të procedohen sipas ligjit, sepse pa ta Lefter Koka, sigurisht që nuk do të arrinte dot të kryente këtë vepër monstruoze dhe këtë krim të rëndë mbi xhepat e shqiptarëve”, shtoi ai.