Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha konfirmoi se pjesë e takimit të tij me zyrtarin amerikan Gabriel Esvobar këtë të Enjte, u fol dhe për sanksionet “non grata”.
Në një prononcim për gazetarët nga selinë blu pas takimit, Basha u pyet: Zoti Basha a patët një diskutim për shpalljen e Zotit Berisha “non grata” nga Shtetet e Bashkuara në rast se Zoti Escobar ka prova dhe do ti paraqesi ato për institucionet e drejtësisë së Shqipërisë?
“Padiskutim që çështja e pandëshkueshmërisë, sikundër politikat e sanksioneve ‘non grata’ ishin pjesë e diskutimit. Ndërsa për sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit, jam i bindur që do të keni mundësi të dëgjoni drejtpërsëdrejti nga zoti Escobar qëndrimet e DASH”, deklaroi kryetari i PD-së.
Rreth 1 orë ka zgjatur takimi mes Gabriel Escobar, Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor dhe kryetarit të PD-së Lulzim Basha.
Pas takimit, në një prononcim për mediat, Escobar ftoi Bashën në një takim në Uashington. Edhe kryetari i PD-së konfirmoi se po planifikon një vizitë në Uashington.
Deklarata e plotë
Pas takimit me Escobar, Basha u shpreh:
“Ishte kënaqësi e veçantë të mirëpres sot në ditën ndërkombëtare të Luftës Kundër Korrupsionit, përfaqësuesin e Lartë të shteteve të Bashkuara të Amerikës zotin Escobar. Lufta kundër korrupsionit është përcaktuar si një interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është edhe më shumë interes Kombëtar i Shqipërisë. Është ajo për të cilën Partia Demokratike, ka luftuar dhe është përpjekur më shumë se gjithçka tjetër në këto 8 vite. Që nga iniciativat tona për dekriminalizimin e politikës, tek miratimi i ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi sipas përcaktimeve të Venecias, me insistimin e Partisë Demokratike, tek ligji për SPAK-un dhe BKH-në, po kështu të miratuara me iniciativën dhe ndryshimet Kushtetuese dhe ligjore të Partisë Demokratike dhe mbështetjen amerikane, tek iniciativa jonë për Vettingun e politikanëve për të pastruar politikën nga krimi i organizuar, të gjitha këto dëshmojnë se Partia Demokratike ka qenë, është dhe mbetet e vendosur në luftën kundër korrupsionit, që është kyçi për zgjidhjen e gjithë problemeve që ka Shqipëria sot. Nga demokracia e plagosur rëndë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, tek sundimi i ligjit dhe dhënia fund të pandëshkueshmërisë dhe siç e kemi parë tashmë me një hap të shpallur, siç është ai i sanksioneve siç edhe ai ndaj individëve dhe kompanive që mbështesin politikanët e korruptuar në Kosovë, edhe sa i përket pra midis politikanëve të korruptuar, oligarkëve dhe krimit të organizuar. Prioritetet e Partisë Demokratike kanë qenë këto, betejat e Partisë Demokratike kanë qenë këto dhe është kënaqësi e jashtëzakonshme që të shohim një rikthim të fuqishëm si prioritet të parë dhe kryesor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan dhe në Shqipëri, të një beteje që e kemi luftuar për vite me radhë. Me zotin Escobar, diskutuam për të gjitha çështjet e aktualitetit politik shqiptarë, natyrisht edhe për situatën në rajon, me theks të veçantë, sigurisht për ato çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve dhe në veçanti me Kosovën. Ku ia bëra të qartë zotit Escobar, qëndrimin e Partisë Demokratike për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës. Në përputhje me përkushtimet e ndërmarra sipas paketës Ahtisari që çojnë në pavarësinë e Kosovës dhe në përputhje me angazhimet që të gjithë shtetet që e kanë njohur Kosovën kanë në raport me integritetin territorial të saj. Jam i kënaqur t’iu raportoj se në këtë qëndrim që paraqita kam marrë mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë të zotit Escobar. Diskutuam padiskutim edhe për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e reformave ku kyç mbetet një drejtësi e pavarur që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar. Natyrisht ku e dini që këtu Partia Demokratike ka disa iniciativa kushtetuese dhe ligjore duke përfshirë vettingun e politikanëve dhe shumë shpejt ashpërsimin e dënimit të politikanëve të zgjedhur me votat e krimit si një hap i parë për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri”.
Pyetje: Patët një diskutim për shpalljen e zotit Berisha “non grata” në SHBA dhe në rast se zoti Escobar ka prova dhe do t’i paraqesi ato për institucionet e drejtësisë?
Basha: Padiskutim që çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit ndërsa sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të Departamentit të Shtetit jam i bindur që do të keni mundësinë të dëgjoni drejtpërsëdrejti nga Escobar qëndrimet e Departamentit Amerikan të Shtetit?
Pyetje: Keni planifikuar ndonjë udhëtim në Washington duke qenë se e morët ftesën?
Basha: Është një ftesë e përsëritur dhe e mirëpres me kënaqësi dhe padiksutim po planifikoj një vizitë në Washington në mënyrë që të shtyjmë përpara jo vetëm objektivat politike të Partisë Demokratike, por atë që është sot agjenda e çdo familje shqiptare, dalja nga kjo gjendje pezullie, dëshpërimi, plogështie që ka shkaktuar 25 prilli dhe ecjen përpara të Shqipërisë me reformat politike, me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë që garancitë janë spirancat e mirëqenies ekonomike dhe punësimit. Dy objektivave kryesore të shqiptarëve, dy objektivave kryesore të Partisë Demokratike. Ju faleminderit!