Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi këtë të Enjte nga foltorja e Kuvendit se buxheti për bujqësinë do të jetë më i ulët se i vitit të shkuar. Ndërsa pretendimet e mazhorancës që pretendojnë të kundërtën, i cilëson përralla.
Basha akuzoi qeverinë se po godet prodhimin vendas, ndërsa shtoi se buxheti nuk është i qytetarëve, por i qeverisë dhe klientëve të saj.
“Ndërsa këtu pseudomazhoranca bëhet gati të votojë sy mbyllur për mënyrën se si do të shpenzohen taksat e qytetarëve vitin e ardhshëm dhe ato në vijim, përfaqësuesit e fermerëve që përfaqësojnë 40% të të punësuarve në Shqipëri, kanë harxhuar para nga xhepat e tyre për të udhëtuar drejt Tiranës, që t’u dëgjohet zëri. Mos tu shkelet sakrificia, mos tu hidhet tutje mundi, t’u respektohet vështirësia që kanë për të bërë punën e tyre, për të nxjerrë bukën e gojës, për të shkolluar fëmijët, për t’i dhënë këtij vendi 20% të prodhimit të brendshëm bruto. Shifër kjo më e larta në rajon dhe në Europë, që tregon se sa peshë ka bujqësia në ekonominë tonë, e që vetëm për këtë arsye duhet të dëgjohen përpara se të ngrihen kartonat, me sytë e veshët mbyllur. Janë njerëz që vetëm japin, vetëm kontribojnë, dhe në këmbim nuk marrin asgjë, krahasuar me kolegët e tyre në rajon, pa përfshirë fare Europën. Sepse arkat e shtetit që ata vetëm i mbushin me taksa të larta të dretjpërdrejta e të fshehura, ky kryeministër dhe ministrat e tij i zbrazin pa teklif”, tha Basha.
“Aq të papërfillshëm janë këta qytetarë për ju, që gdhihen dhe ngrysen me shqetësimin e të nesërmes, me ankthin e konkurrueshmërisë së produkteve të tyre, me pamundësinë për t’u përballur me produktet e rajonit që subvencionohen shumë herë më shumë se këtu, saqë jo vetëm nuk i dëgjoni, por i ofendoni me teatrin që ngjallë krupën, ku përdorni edhe gaztorët e oborrit tuaj, që nginjen nga koncesionet dhe syshkeljet tuaj, që i kanë shndërruar në oligarkë arrogantë. Ata protestojnë sot, siç kanë protestuar me të drejtë çdo vit, që mos të gjenden përballë rrugës së vetme ku i çoni me shpërfilljen tuaj, te flakja e produkteve dhe largimi nga Shqipëria. Protestojnë sepse ndryshe nga sa përrallisni lart e poshtë, buxheti për bujqësinë për këtë vit, do të jetë më i ulët se i vitit të shkuar. Protestojnë sepse përveç rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore që po e ndjejnë në xhepat e tyre, do të përballen edhe me rritjen shtesë me 10 % të çmimit, meqënëse ju vendosët të shtoni me 10% TVSH-në, e po ashtu po hiqni 6% e TVSH-së së kreditueshme. Protestojnë sepse në vend të mbështesni prodhimin vendas, po e godisni në të gjitha hallkat e zinxhirit të ekonomisë së ushqimit. Por mbi të gjitha, protestojnë sepse ju nuk jeni konsultuar me askënd për këto masa që po e dëmtojnë bujqësinë, po i dëmtojnë familjet që jetojnë me tokën dhe blegtorinë, dëmton bizneset që kanë investuar në këtë sektor, protestojnë sepse nuk keni dëgjuar grupet e interesit përpara se të merrni angazhime që do të prodhojnë efekte negative të drejtpërdrejta në veprimtarinë e tyre. Dhe përsëri, fatkeqësisht kontrasti midis asaj që deklaroni dhe asaj që bëni është shumë i qartë, dhe shihet në zemëratën e atyre burrave dhe grave që mblidhen pak metra nga kjo ngrehinë, sepse janë përpara Parlamentit të vendit më bujqësor në Europë, ku bujqësia ka një impakt prej 20% në prodhimin e brendshëm, dhe jep mbështetjen më të vogël në Europë për fermerët”, shtoi ai.
“Dhe paradoksalisht, qeveria që nuk dëgjon fermerët, që nuk dëgjon asnjë grup interesi, pasi ka arritur të lërë të pakënaqur të gjitha grupet e interesit, shoqata prodhuesish vendas, eksportuesish, investitoresh, tregtaresh, rekord historik ky në fakt që tregon shumë për cilësinë e politikave tuaja, është e njëjta qeveri që ka votuar në këtë sallë ligjin për bashkëqeverisjen. Pra, keni bërë ligj parullën propagandistike që kujtoni me nostalgji, ç’thotë populli bën partia, por kur vjen nevoja për të pyetur ata që qeverisini, me të cilët medemek bashkëqeverisni, ju ktheheni në bunkerë të interesave të një pakice mikroskopike njerëzish. Sepse ky nuk është buxheti i qytetarëve, por buxheti i klientëve tuaj, me të cilët keni ndërtuar një model ekonomik putinist, të ngritur mbi klientelizmin dhe korrupsionin të kudondodhur, siç tregon çdo raport dhe çdo studim ndërkombëtar. Një model putinist që bazohet mbi kontrollin asfiksues të ekonomisë, që nuk prodhon mirëqenie për qytetarët. Sepse pavarësisht se keni rritur taksat dhe tarifat më shumë se çdo qeveri tjetër, që nga koha e Tanzimatit, pavarësisht se keni marrë borxh më shumë se të gjitha qeveritë bashkë nga viti 1991 deri në vitin 2013, rezultati i vetëm që prodhoni është varfërimi, që kërcënon 50% të bashkëqytetarëve tanë, dhe shpopullimi, që është plaga më kërcënuese e shoqërisë tonë, e cila po mpaket dhe po plaket me shpejtësi marramendëse, ndërkohë që prioriteti i vetëm që ju keni janë PPP-të dhe koncesionet klienteliste, të shoqëruara nga poshtërsitë hileqare si ato që vuri në dukje Kontrolli i Lartë i Shtetit, me tendera rrugësh pa pasur fonde, me prokurime të paparashikuara në buxhet dhe të pamiratuara nga parlamenti”, vijoi Basha.