Kombëtarja shqiptare ka nisur që prej ditës së djeshme përgatitjet dhe stërvitjen në kuadër të dy ndeshjeve të fundit ndaj Anglisë dhe Andorrës, të vlefshme për kampionatin botëror “Katar 2022”. Në konferencën për mediat kanë dalë ditën e sotme Qazim Laçi dhe Frederic Veseli, të cilët kanë folur për këto dy sfida që kuqezinjtë do të luajnë fillimisht ndaj anglezëve në Uembli më 12 nëntor ndërsa tre ditë më vonë ndaj Andorrës më 15 nëntor.
Qazim Laçi iu përgjigj fillimisht interesit të gazetarëve, teksa u shpreh i lumtur për rikthimin në Kombëtare pas dëmtimit, si dhe theksoi se grupi po përgatitet dhe po punon fort që të japë maksimumin ndaj Anglisë. Ai foli edhe për nivelin e ekipit, duke thënë se konkurrenca është rritur.
“Ndihem shumë mirë tani. Kisha një dëmtim, e kalova shpejt. Jam shumë i motivuar që erdha këtu dhe ndihem çdo herë krenar që vij me ekipin Kombëtar. Dhe po pres me shumë shpirt e zemër për ndeshjet”, tha ai.
“Besoj nga e gjithë ana taktike, do të rregullojmë dhe do të punojmë si në mbrojtje, si në mesfushë, si në sulm pasi kemi kundërshtar që do të jetë shumë i fortë. Do të punojmë shumë mirë në këto dy-tre ditë dhe do të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv”, u shpreh Laçi.
“Të luash me ekipin e Anglisë, do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe e vështirë, por edhe ne do të përgatitemi shumë mirë, të marrim një rezultat dhe e kemi treguar veten tonë në të gjitha ndeshjet që kemi bërë, të vazhdojmë të japim maksimumin në këto dy ndeshje. Do jetë hera e parë që do të luaj në një stadium të tillë si Uembli. Kur vij me Kombëtaren emocionet janë të forta dhe jemi shumë të lumtur kur jemi këtu”, theksoi Laçi.
Frederic Veseli, i cili luan me ekipin e Salernitanës në Itali u shpreh se në ekip atmosfera është e mirë dhe se djemtë besojnë se mund t’ia dalin, pasi edhe në ndeshjen e fundit ndaj anglezëve, ekipi ka bërë një paraqitje të mirë.
Ai foli edhe për mbrojtjen kuqezi, si një nga shtyllat e kësaj Kombëtareje, teksa foli edhe për mungesën e Gjimshitit.
“Atmosfera është e mirë deri tani dhe për mrekulli besojmë çdo herë. Më tepër se mrekulli është një ëndërr, kemi dhe pak shanse dhe do të japim maksimumin tonë. Na ka mbetur edhe pak peng ndeshja me Poloninë, ku kemi pasur vërtetë mundësinë për të marrë të paktën një pikë sepse e kemi treguar veten në fushë”, theksoi ai.
“Edhe në ndeshjen e fundit me Anglinë, besoj se kemi bërë një paraqitje të mirë. Gati të gjithë lojtarët e mbrojtjes luajnë në Serinë A, një kampionat ku niveli i mbrojtësve është shumë i famshëm. Është kënaqësi të luash kundër Harry Kane dhe të tjerëve. Secili të japë maksimumin e vet, ne të gjithë kemi vetëbesim dhe mirëkuptim njëri me tjetrin dhe kush luan më mirë dhe kush ka më shumë fat, e fiton ndeshjen”, u shpreh Veseli.