Origjina e koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19 mund të mos zbulohet kurrë, thanë agjencitë e inteligjencës amerikane në raportin e tyre.
Megjithatë, agjencitë kanë ardhur në përfundimin se virusi nuk është krijuar si një armë biologjike.
Në një vlerësim të përditësuar për origjinën e COVID-19, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së tha se të dyja teoritë: transmetimi nga kafsha të njeriu dhe dalja nga një laborator i virusit janë të besueshme mirëpo nuk ka informacion të besueshëm për të bërë një vlerësim përfundimtar.
Kina e ka kritikuar raportin.
Të dhënat u bënë publike në një raport të deklasifikuar, i cili është një përditësim i një raporti të cilin administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e publikoi në muajin gusht.
Raporti tha se komuniteti i inteligjencës mbetet i ndarë për origjinën e virusit.
Katër agjenci kishin “besim të ulët” se koronavirusi kishte origjinën nga një kafshë e infektuar.
Por, një agjenci tha se kishte “besim mesatar” se infeksioni i parë njerëzor ka shumë të ngjarë të ishte rezultat i një aksidenti laboratorik, ndoshta duke përfshirë eksperimentimin ose trajtimin e kafshëve nga Instituti i Virologjisë në Vuhan të Kinës.
Raporti tha gjithashtu se zyrtarët kinezë nuk ishin në dijeni të ekzistencës së virusit përpara shpërthimit fillestar të COVID-19 në qytetin e Vuhan, në fund të vitit 2019.
Por, sipas gjetjeve të inteligjencës amerikane, Kina po vazhdonte të pengonte hetimin dhe nuk ndante informacione.
Autoritetet kineze e kishin ndërlidhur përhapjen e virusit me një treg ushqimesh në Vuhan, duke bërë që shkencëtarët të nxjerrin teori se virusi kaloi nga kafshët te njerëzit.
Por, në fillim të këtij viti, mediat amerikane publikuan raporte të cilat thonin se ekzistojnë prova se virusi mund të kishte dalë nga laboratori në Vuhan, mbase si pasojë e një aksidenti.
Në muajin maj, presidenti Biden urdhëroi zyrtarët e inteligjencës të hetojnë origjinën e virusit, duke përfshirë edhe teorinë e rrjedhjes së tij nga laboratori.
Kina e ka kundërshtuar një teori të tillë.
Ambasada e Kinës në Uashington i tha agjencisë Reuters se “përpjekjet amerikane që për origjinën e COVID-19 të mbështetet në aparatin e saj të inteligjencës në vend të shkencëtarëve, është një farsë politike”.
Që nga marsi i vitit 2020, rreth 240 milionë raste të COVID-19 janë konfirmuar në mbarë botën, me më shumë se 4.9 milionë vdekje.
/rel/