Dhënia e një huaje nga prokurori i Lushnjës Arben Dyla në shumën 50 mijë euro, me interes 60 mijë euro për 5 vjet, u konsiderua si kontratë fiktive që kishte qëllim blerjen e një apartamenti – ndërkohë që bazuar në deklarimet e kursimeve në vite u konstatua balancë negative 5.2 milionë lekë për kryerjen e këtij transaksioni.
Prokurori i Lushnjës, Arben Dyla u shkarkua nga detyra më 9 shtator 2021 prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK pasi u dyshua për nënshkrimin e një kontrate huaje fiktive në vlerën 50 mijë euro që kishte si qëllim përfitimin e një apartamenti, si dhe u konstatua pamundësi financiare në vlerë të konsiderueshme për kryerjen e këtij transaksioni.
Trupi gjykues i KPK që kreu procesin e rivleresimit për prokurorin Dyla kryesohej nga Brunilda Bekteshi, me Relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun.
Arben Dyla e ka filluar karrierën si prokuror në vitin 2001 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat. Në vitin 2008 ai është transferuar për të kryer funksionin në Prokurorinë e Lushnjës.
Nga dokumentacioni i administruar në dosjen e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI-së ka rezultuar se në dhjetor të vitit 2016 prokurori Dyla i ka dhënë hua ndërtuesit A.K. vlerën 50 mijë euro, me afat 5-vjeçar dhe me interes mujor 2% mbi kapitalin, që në fund përllogaritej të arrinte në shumën 60 mijë euro. Në kontratë është parashikuar se shlyerja e kapitalit të investuar dhe e interesave të huasë që në total arrijnë shumën 110 mijë euro, do të kryhej mënyrë të menjëhershme pas pesë viteve. Në vendim thuhet se veprimet janë kryer jashtë sistemit bankar.
I pyetur nga Komisioni lidhur me këtë marrdhënie financiare, subjekti ka sqaruar se shtetasin A. K. e ka njohur fillimisht si bashkëqytetar nga Kavaja dhe më pas si biznesmen të suksesshëm. Dyla ka deklaruar se huaja me këtë interes i është dhënë biznesmenit A. K. me kërkesën e këtij të fundit, pasi i kishte llogaritë bankare të bllokuara.
Sipas Dylës, i ndodhur në këto kushte A.K. nuk mund të merrte kredi dhe se kishte qenë pikërisht interesi i lartë që ai kishte ofruar, që e kishin joshur për t’i besuar këtij shtetasi gjithë “kursimet e jetës”. Subjekti ka shtuar se huamarrësi kishte garantuar se pas pesë viteve ai do të kishte përfunduar me sukses proceset gjyqësore me shoqërinë italiane “S. C.” s.p.a., nga do të përfitonte në total vlerën 20 milionë euro dhe se shuma 110 mijë euro do të ishte e papërfillshme.
Dyla ka deklaruar se huaja që ai i kishte dhënë shtetasit A.K. do të përdorej me qëllim për të siguruar vazhdimin e aktivitetit tregtar të dy shoqërive të tij; përballimin e shpenzimeve gjyqësore në gjyqin me shoqërinë “S. C.” s.p.a.; si dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj disa subjekteve tregtare me qëllim për të hequr sekuestrot bankare të llogarive të tij.
Megjithëse subjekti ka dorëzuar dokumentacion për të provuar pretendimet e tij, Komisioni konstaton se nuk është arritur të vërtetohet destinacioni i përdorimit të shumës së marrë hua prej 50 mijë euro për vazhdimin e aktivitetit nga A.K., apo për mbulimin e shpenzimeve të tij gjyqësore. Ndërkohë, Dyla ka arritur të provojë pamundësinë e shtetasit A. K. për marrjen e kredive në sistemin bankar pasi llogaritë e tij kanë rezultuar të bllokuara.
Si garanci për shumën e dhënë hua, A.K. ka vendosur një apartament me sipërfaqe 150 m2 në Kavajë që e kishte porositur tek një shoqëri ndërtuese së bashku me disa pasuri të tjera për vlerën totale 500 mijë euro.
Në kontratën e huasë është përcaktuar ndër të tjera se në rast të mosshlyerjes së shumës së dhënë, huamarrësi përveç pasurisë së lënë si garanci mund t’i paraqesë huadhënësit edhe pasuri të tjera të paluajtshme që ai disponon, me qëllim shlyerjen e huas dhe interesave.
Referuar kësaj kontrate, Komisioni vëren se është përcaktuar që apartamenti të dorëzohej prej huamarrësit vetëm në rastin kur nuk do të shlyhej shuma 110 mijë euro pas pesë viteve. Ndërkohë, Dyla e ka deklaruar këtë pasuri si adresë banimi që në vitin 2016. “[…]pra, ka banuar në këtë pasuri menjëherë me lidhjen e kontratës së huas, […] dhe se nuk ka kryer asnjë shpenzim mobilimi, pasi apartamenti ka qenë i pajisur me mobilje, për shkak se më parë ka banuar familja e shtetasit A. K.”, sqarohet në vendim.
I pyetur nga Komisioni lidhur me këtë fakt, Dyla ka sqaruar se A.K. e kishte lënë apartamentin në përdorim pasi nuk do të paguhej interesi çdo muaj. Ai ka pretenduar se në kontratë nuk përcaktohet që në rast të moshlyerjes së huasë do të merrej në dorëzim apartamenti 150 m2, por se ishte parashikuar që huamarrësi mund të paraqiste edhe pasuri të tjera me qëllim shlyerjen e huasë.
“[…]Interesi im prioritar, si në kohën e nënshkrimit të kontratës së huas me z. A. K., por edhe aktualisht është të sigurojë një banesë për familjen time”, është shprehur Dyla gjatë procesit të vetingut, por ky deklarim ka forcuar dyshimet e trupit gjykues se qëllimi i subjektit ka qenë përfitimi i apartamentit dhe ka nënshkruar kontratë fiktive.
Megjithëse Dyla ka pretenduar se mes tij dhe huamarrësit ka pasur një marrëveshje paraprake verbale për dorëzimin e apartamentit që në momentin e nënshkrimit të kontratës së huas, trupi gjykues e konsideron këtë deklarim në kundërshtim me parashikimet e kontratës ku është përcaktuar se pasuria do të dorëzohej në rast të moshlyerjes së huasë.
“[…]Në dhjetor të vitit 2016, subjekti i rivlerësimit ka nisur të banojë në apartamentin e lënë si garanci, çka bën që ky apartament ta humbasë kuptimin e garancisë të rregulluar nga dispozitat përkatëse[…]”, konstaton KPK.
“[…]Sjellja e subjektit si një institucion financiar, duke pranuar me vullnetin e tij një interes huaje që kapërcen çdo limit të lejuar dhe tej arsyes dhe logjikës ekonomike, e ndërthurur me elemente faktike të ekzistencës së një marrëdhënieje që nuk ka pasur si qëllim dhënien e huas, por përfitimin e pasurisë apartament banimi, vlerësohet nga Komisioni në disfavor të tij”, arsyeton KPK.
Ndërkohë, nisur nga fakti se apartamenti ishte i pa regjistruar, trupi gjykues vlerëson se subjekti nuk ka pasur ndonjë garanci reale. Gjithashtu, Komisioni konstaton se Dyla duke bllokuar krusimet e jetës të pretenduara prej tij për 5 vjet ka humbur mundësinë për të blerë banesë tjetër. Bazuar në këto gjetje, trupi gjykues dhe çmon se kontrata e huas duket të jetë një veprim juridik fiktiv.
Megjithëse në analizën paraprake Komisioni ka konsideruar se Dyla e ka paguar gjithë vlerën 110 mijë euro për apartamentin në vitin 2016, në analizën përfundimtare është përfshirë si shpenzim vetëm huaja 50 mijë euro, pasi nuk është provuar dhënia e pjesës tjetër 60 mijë euro. Pavarësisht zbritjes së vlerës 60 mijë euro, Dyla ka rezultuar në pamundësi finaciare edhe për krijimin e shumës 50 mijë euro të dhënë hua.
Komisioni konstaton se gjendja cash e deklaruar çdo vit nga subjekti nuk përputhet me vlerën 50 mijë euro të pretenduar gjatë procesit të rivlerësimit se përbënë shumën e dhënë hua.
Dyla ka pretenduar se ai ka deklaruar çdo vit shtesat e gjendjes cash egzistuese pasi ashtu e ka kuptuar ligjin dhe ka këmbëngulur se e ka zotëruar vlerën 50 mijë euro në fund të vitit 2016. Ndërsa për mosdeklarimin e paksësimit të gjendjes cash për shkak të dhënies së huasë, ai e ka pranuar pasaktësinë. Por, pretendimet e Dylës për gjendjen cash dhe për moskuptimin e ligjit janë gjetur deklarative dhe janë rrëzuar.
“Pretendimi i subjektit se shumat e deklaruara në çdo vit janë shtesa likuiditetesh dhe jo gjendja cash mbetet në nivel deklarativ përderisa në dy nga DPV-të subjekti ka deklaruar shtesa dhe pakësime”, vëren trupi gjykues.
Në vendim thuhet se është vërtetuar se subjekti ka qenë në disa raste kontradiktor në deklarime për shkak të mospërputhjes se deklarimeve në DPV krahasuar me ato të dhëna në ILDKPKI dhe ato gjatë procesit të rivlerësimit.
Gjithashtu, komisioni e cilëson të paqartë arsyen e pretenduar nga subjekti se i ka mbajtur në banesë të gjitha kursimet e krijuara gjatë periudhës 2003-2015 duke kryer konvertim në euro vit pas viti të shtesave të likujditeteve, pa i depozituar ato në bankë.
Duke iu referuar deklarimeve të kursimeve të gjendjes cash në vite, Komisioni konstaton pamundësi financiare në vlerën 5.2 milionë lekë për dhënien e huasë 50 mijë euro në vitin 2016, si dhe për mbulimin e shpenzimeve të tjera.
/Reporter.al/