Ish-ministri i Jashtëm dhe përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara Nickolay Mladenov është përmendur si politikani i dytë bullgar emri i të cilit shfaqet në Pandora Papers – së bashku me oligarkun Delyan Peevski.
Nickolay Mladenov, ish-ministër, Përfaqësues i OKB-së dhe Anëtar i Parlamentit Evropian, është identifikuar si politikani i dytë bullgar që ka fshehur pasuritë offshore të ekspozuara në Pandora Papers, tha gazetari Atanas Tchobanov i bird.bg, i përfshirë në investigim.
Mladenov i mohoi akuzat, duke thënë se ai e themeloi firmën për të zhvilluar një praktikë konsulence që nuk funksionoi kurrë për shkak të përfshirjes së tij në OKB.
Mladenov e regjistroi firmën Afron Enterprises Ltd në Seychelles përmes agjencisë zvicerane SFM Corporate Services S.A, më 9 gusht 2013, shtatë ditë pasi u emërua përfaqësues special i OKB-së. Afron u mbyll në 2018.
“Kjo firmë nuk la qenë kurrë aktive dhe asnjë transaksion parash nuk është bërë përmes saj”, tha Mladenov për bird.bg. Ai konfirmoi se kishte kontaktuar agjentët zviceranë për procesin dhe këmbënguli që, pavarësisht datave të listuara, firma ishte hapur para fillimit të mandatit të tij në OKB.
“Firma që shfaqet nën emrin tim nuk ka qenë kurrë aktive dhe kurrë nuk ka kryer transaksione financiare”, tha ai.
“Në vitin 2013, pas përfundimit të mandatit tim si Ministër i Jashtëm, doja të filloja të filloja si i pavarur, të filloja nga e para. Vendosa të regjistroja një firmë, përmes së cilës do të punoja. Kontaktova me konsulentët financiarë zviceranë dhe nisa një korrespondencë. Pastaj më erdhi oferta nga OKB-ja dhe planet e mia ndryshuan”, shtoi Mladenov.
OKB-ja ka thënë se nuk ka të dhëna që Mladenov të ketë deklaruar aktivitete të tilla biznesi.
Kjo vjen pas raportimeve se në dokumentet e rrjedhura shfaqet dhe emri i oligarkut bullgar Delyan Peevski, i cili u pyet para Agjencisë së të Ardhurave Kombëtare më 6 tetor.
Mladenov lindi në 1972 në Sofje në një familje të afërt me regjimin komunist. Babai i tij, Evtim Mladenov, ishte pjesë e aparatit represiv të sigurimit shtetëror dhe xhaxhai i tij, Mladen, ishte një ambasador i epokës komuniste.
Pavarësisht prejardhjes së tij, karriera politike e Mladenovit është lidhur me qendrën e djathtë. Si anëtar i Forcave të Bashkuara Demokratike, ai ishte deputet midis vitit 2001 dhe 2005.
Nga viti 2005 deri në 2007, ai ishte konsulent në Bankën Botërore, Institutin Republikan Ndërkombëtar dhe Institutin Demokratik Kombëtar, në Bullgari, Afganistan dhe Jemen.
Në 2007, ai ndërroi parti dhe iu bashkua GERB, e cila u bë forca dominuese në politikën bullgare deri në fillim të vitit 2021. Në të njëjtin vit, ai gjithashtu u bë anëtar i Parlamentit Evropian.
Në qeveri, ai ishte Ministër i Mbrojtjes (2009-2010) dhe i Punëve të Jashtme (2010-2013). Në vitin 2013, ai u emërua Përfaqësues Special i OKB-së për Irakun dhe Shef i Misionit të Asistencës së Kombeve të Bashkuara për Irakun. Ai në atë kohë ishte një ndërmjetës në konfliktin izraelito-arab deri në fund të vitit 2020.
Një artikull i New York Times, nga janari 2021, e përshkruan atë si njeriun që “qetësoi Gazën, ndihmoi lidhjet arabe të Izraelit dhe ruajti shpresat për paqe”, ndërsa media liberale izraelite Haaletz e vlerësoi atë si “një nga të dërguarit më të suksesshëm të OKB-së në konfliktin Izrael-Palestinë” dhe “një ndërmjetës kryesor midis Izraelit dhe Hamasit”.
Në atë kohë mediat në Bullgari po e cilësonin Mladenovin si një pasardhës të mundshëm të Boyko Borissov si kryeministër, pas pakënaqësive në rritje ndaj politikave të GERB. Spekulimet u mohuan nga Mladenov. /BIRN/