Autoritetet në Kosovë thonë se brenda vitit kanë trajtuar 41 raste korruptive të nivelit të lartë, duke ngritur aktakuza në 12 raste, me gjithsej 129 persona të profileve të ndryshme të përfshirë në këto aktakuza.
Policia e Kosovës dhe drejtoria për krime ekonomike, thonë se brenda të njejtës periudhë kohore kanë arrestuar 40 persona të dyshuar për raste të korrupsionit dhe qindra kallëzime penale i kanë ngritur pranë institucioneve hetuese.
Shënimet e institucioneve zyrtare për luftimin e korrupsionit në Kosovë vijnë në kohën kur Kosova sërish është radhitur në mesin e vendeve me shkallën më të lartë të korrupsionit dhe kur qytetarët e kanë cilësuar këtë dukuri si më shqetësuesen në vend.
Institucionet e vendit, gjatë gjithë vitit thonë se e kanë vënë në prioritet çështjen e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se askush nuk është imun dhe as mbi ligjin, por ekspertët e fushës kanë deklaruar se problemet qëndrojnë, sipas tyre, “pikërisht në faktin e vullnetit të paktë për luftimin e kësaj dukurie”.
Në fjalimin e tij vjetor në Kuvendin e Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, tha se “korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdimisht paraqiten lart në listën e shqetësimeve të qytetarëve të Kosovës. Prandaj, lart janë edhe në listën e prioriteteve të çështjeve që duhet zgjidhur menjëherë nga politika dhe institucionet e Kosovës”.
Institucionet ndërkombëtare, në mesin e të cilave edhe Transparency International thonë në raportet e tyre se Kosova ka shkallën e lartë të korrupsionit dhe një kulturë të pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në aferat korruptive.
Sipas tyre Kosova ka edhe institucione jo shumë të qëndrueshme për luftimin e kësaj dukurie.
Organizatat vendore ndërkaq thonë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është plotësisht i politizuar dhe prandaj sipas tyre edhe mungojnë rezultatet në luftimin e kësaj dukurie.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, tha për Radion Evropa e Lirë se pikërisht ky ndikim i politikës në sistemin e drejtësisë ka bërë që rastet e nivelit të lartë të përfshirë në korrupsion të mos gjykohen.
“Institucionet e drejtësisë në Kosovë janë të ndikuara nga politika dhe ky është çelësi kryesor pse nuk ka pasur fuqizim të institucioneve të drejtësisë të cilat do të duhej të dëshmonin rezultate në luftën kundër korrupsionit. Natyrisht, duke parë ndikimin praktik politik në sistemin e drejtësisë kjo edhe e dëshmon mungesën e rezultateve konkrete në ndjekjen e profilit të lartë të korrupsionit në Kosovë”, tha Musliu.
Megjithëkëtë, brenda vitit 2016, një ministër në Qeverinë e Kosovës është dorëhequr pas ngritjes së akuzave për shpërdorim detyre dhe të fondeve për shërim të pacientëve jashtë institucioneve publike. Një deputet i Kuvendit të Kosovës është gjithashtu nën akuzat për, siç thuhet, krim të organizuar dhe korrupsion.
Por, për Betim Musliun, më 2016 ka pasur raste kur janë dënuar persona për korrupsion të nivelit të ulët, por siç thekson ai, nuk ka rezultate në aktakuzat e ngritura për rastet e nivelit të lartë.
“Ka pasur gjatë vitit 2016 disa aktakuza të ngritura, por të cilat pritet se si do të procedohen dhe a do të provohen ato në gjykatë. Bazuar në praktikat e deritanishme del që shumica e këtyre akteve akuzuese ndaj profilit të lartë dështojnë”, tha Musliu.
Jeton Zulfaj nga Organizata Fol, tha për Radion Evropa e Lirë se një ndër sektorët e prekur nga korrupsioni edhe gjatë vitit 2016 ishte gjyqësori.
Ai tha se gjykatësit dhe prokurorët e kanë humbur besimin e qytetarëve për shkak se siç tha ai, një pjesë e tyre ose është caktuar nga politika ose bashkëpunojnë me politikën në këmbim të favoreve.
“Kosova vazhdon të jetë e prekur rëndë nga korrupsioni në nivel qeveritar ku zyrtarët e lartë keqpërdorin pozitën për përfitime personale, sidomos në prokurimin publik-tenderët dhe në nivel më të ulët nga zyrtarë të nivelit të ulët dhe të mesëm të administratës që kushtëzojnë shërbimet në këmbim të ryshfetit”, tha Zulfaj.
Lufta kundër korrupsionit dhe rezultatet më konkrete janë bërë pjesë e kritereve të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Po kësaj lufte iu janë bashkuar edhe ambasadorët e pesë vendeve më të zhvilluara, të njohur si QUINT, të cilët u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës, në veçanti sistemit të drejtësisë në vend, që të fuqizojnë luftën kundër korrupsionit. /REL