Nga BoldNews.al
Komisioni i Prokurorimit Publik (KPP) e dha më në fund përgjigjen e saj për tenderin prej 6.5 miliardë lekësh për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT), pas ankesës së disa kompanive të interesuara.
Në fund të Gushtit 2021, KPP urdhëroi Qendrën QSUT-në për të modifikuar disa nga kriteret e përcaktuara në tenderin “Menaxhim dhe Mirëmbajtje e Aparaturave Mjekësore në QSU “Nënë Tereza” me afat 4 vjet (48 muaj)”, me fond limit 645.887.198,99 lekë pa TVSH, bazuar në ankimet e disa prej kompanive të interesuara për të garuar në këtë procedurë.
Në pamje të parë, vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik duket se u jep të drejtë firmave-ankimuese.
Por, gjithçka duket si një dredhi e radhës, e cila u pa edhe në protestën që iu bë Agjencisë së Prokurimit Publik.
Tashmë, të gjithë kompanitë e kanë të qartë që Drejtori i QSUT, Enkelejd Joti, është një i privilegjuar për tenderat që ai organizon.
Nëse Prokuroria Speciale (SPAK), do të hapte një hetim penal mbi të gjithë protestat e kompanive të interesuara për këtë tender dhe se sa të drejtë u është dhënë atyre nga KPP, do të kuptohej qartësisht se titullari i QSUT mbështetet dhe mbrohet nga zyrtarë lart tij, si edhe të gjitha strukturat e tenderimit janë në dispozicion të tij.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët për dyshimet mbi këtë tender gjigand, i cili duket se është i paracaktuar për t’u fituar nga një kompani e huaj, me aktivitet minimal në fushën e mirëmbajtjes së pajisjeve mjekësore.
Për shumëkënd, është e habitshme se pikërisht, në momentin kur kryeministri Edi Rama ka përmendur gjithnjë e më shpesh “tenderat grabitqarë” të administratës shtetërore, Komisioni i Prokurimeve Publike e bën “të zezën të bardhë”, për të mbrojtur tenderat e Q.S.U.T të organizuara prej kryetarit të entit prokurues, i kryesuar nga Enkelejd Joti.
Aq më tepër në një tender, kur dihet që nga gjeneza e saj, se fituesi është paracaktuar kompania gjermano-folëse “V…D”.
Dyshimet për bashkëpunim të Jotit me nivele të larta, bëhen gjithmonë e më të mëdha, falë fakteve të cilat tashmë janë bërë publike.
Përse “tender i paracaktuar”?
Në vijim është një analizë dhe disa pikëpyetje të ngritura nga ekspertë të fushës, të kontaktuar nga redaksia, mbështetur në faktet e njohura deri më tani, si edhe në arsyetimin logjik mbi këtë tender gjigand.
– Në komisionin e tenderit për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore janë përfshirë dy punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ky është një veprim i paprecedent, pasi ministria e drejtuar nga Ogerta Manastirliu nuk ka asnjë lidhje zyrtarisht me këtë procedurë tenderuese dhe nuk ka ndodhur asnjëherë më parë një praktikë e ngjashme.
– Agjencia e Prokurimit Publik (APP), pas ankesave të kompanive të interesuara për këtë tender, “lau duart”, duke u shprehur se me shqyrtimin e dokumentave të tenderit merret Komisioni i Prokurimit Publik (KPP).
Kjo ështyë tërësisht e pavërtetë. APP ka përgjegjësitë e saj ligjore për monitorimin e procedurave tenderuese.
– Tenderi për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore tashmë është “i dalë boje”, siç ka raportuar më parë “Boldnews.al”.
E, megjithatë, drejtori i QSUT-së, Enkelejd Joti, është i vendosur për të përfunduar këtë tender. Sipas të dhënave konfidenciale, besohet se ai do të largohet në drejtimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare pasi të mbyllet procedura 6.5 miliardë lekëshe e mirëmbajtjes së aparaturave mjekësore
Specialistët e fushës së pajisjeve mjekësore vlerësojnë se tenderi gjigand i Jotit është abuziv.
Sipas tyre, shumica e pajisjeve qe ka vënë në listë (dhe jo pa qëllim), janë blerë me tenderat e COVID-it dhe nuk iu dihet çmimi.
Megjithatë, hulumtimet e bëra në Doganën Shqiptare, si dhe nga çmimet e disa pajisjeve të njohura, malli që Joti dhe QSUT kanë vendosur t’u kryejnë mirëmbajtjen 4-vjeçare, nuk kalon më tepër së 800 mijë Euro, ndërkohë që janë lënë jashtë tenderit shumë pajisje mjekësore jetike, të cilat, fare mirë, mund të rregullohen, por që nevojitet specialistë të trajnuar nga firmat distributore.
Ekspertët vijojnë: “Natyrisht, duke i shtuar kësaj vlere koeficientin 7% të mirëmbajtjes në vit, kuptohet lehtësisht se sa është vlera reale e këtij tenderi, të cilin Joti, me skualifikimet e veta, synon që ta arrijë në rreth 6.5 miliardë”.
Në vitet e fundit, Joti ka fituar eksperiencë në zhvillimin e tenderave, për të cilët ka dyshime të forta për manipulim.
Në prokurimet publike të zhvilluara së fundmi, Joti dhe administrata e tij vendosin specifikime teknike të ulta, të cilët fitohen nga kompani kineze. E, më pas, ajo që mund të konsiderohet si “krim ekonomik”, kryhet, si në këtë rast me mirëmbajtjen e këtyre aparateve, të cilët nuk kanë një çmim në proporcion me parametrat ndërkombëtarë.
Ekspertët e aparaturave mjekësore vlerësojnë se, me kaq fonde sa ka alokuar Joti dhe administrata e tij, u bëhej mirëmbajtje të gjithë pajisjeve që ka QSUT.
Por, siç ekziston dyshimi i fortë, kompania e paracaktuar për fitimin e këtij tenderi, në bashkëpunim të ngushtë me Jotin, përzgjedh aparatet më të thjeshta dhe që kanë kosto minimale për mirëmbajtjen.
E, pavarësisht se gjërat janë të dukshme për ekspertët e fushës, ajo që i çudit më shumë është fakti se “akrobatët” e Komisionit të Prokurimit Publik, nga njëra anë iu japin të drejtë firmave ankimuese, por nga ana tjetër nuk cënojnë atë që konsiderohet si “dredhi” e Jotit për të shpallur fitues të tenderit kompania e huaj, “V…D”.
– Përshembull, KPP u jep të drejtë firmave ankimuese dhe i kërkon autoritetit kontraktor që, për eksperiencat e ngjashme, të pranohen variante të ndryshme, si fatura tatimore; kontrata të ngjashme; vërtetime realizimi, etj.
Diku sqarojnë dhe modifikojnë kërkesat për nënkontraktim dhe vlerën e kontratave të ngjashme që duhet të plotësojë ofertuesi dhe nuk merr parasysh kërkesën e ankimuesve për ndarjen e procedurës në lote. Pra shkurt makiazh.
– Nga ana tjetër, ata janë kundër së ndarjes në lote, që është momenti kryesor. Pasi, pikërisht te ndarja në lote, Joti ka mekanizmin për të hequr autorizimin e prodhuesit.
Në një kohë që shteti shqiptar, në blerjen e pajisjeve mjekësore, ka harxhuar miliona e miliona lekë duke skualifikuar kompani që nuk kishin autorizim prodhuesi, pasi nuk kishin garanci për mirëmbajtjen.
Natyrisht, K.P.P-ja e pranon pjesërisht ankesën e firmave, duke i dhënë dorë të lirë Jotit që t’i ndryshojë ashtu siç do, por nuk i jep guideline fikse përjashtuese për truket që ai bën në tender. Pra K.P.P-ja vetëm e fton Jotin të korrigjojë, por jo të ndryshojë thelbin.
Situata bëhet më interesante kur, autoritetet prokamojnë me zell luftën kundër korrupsionit në QSUT, duke u fokusuar tek tenderat, në të cilat ka marrë pjesë mjeku kardiolog i proceduar penalisht, Edvin Prifti.
Por, të njëjtët autoritete hetimore, “harrojnë” që kryetari i Entit Prokurorues është Enkelejd Joti dhe korrupsioni në QSUT nuk është i kufizuar vetëm në kardiologji, por dyshohet se është në të gjithë institucionin.
Roli i Manastirliut
Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila mori konfirmim në detyrë nga kryeministri Edi Rama, duket se i ka zhdërvjelltësuar aftësitë e saj për të kontrolluar me dorë të fortë dhe deri në detaje tenderat gjigandë të strukturave të saj të varësisë.
Siç deklarojnë burime nga administrata e saj, Manastirliu e fillon punën për tenderat, sidomos atyre të QSUT-së, duke vendosur si koordinatorë njerëz të saj të besuar.
Koordinatorja ose “personi i besuar” i Manastirliut, kinsë pa dijeninë e Ministres, kërkon futjen e specifikimeve të caktuara dhe respektimin e tyre në tender, pavarësisht se fituesit kanë çmimin më të lartë, duke shkaktuar habi edhe tek të huajt, të cilët çuditen se ku e gjen kurajën kjo Ministri Shëndetësie të skualifikojë firmat më të mëdha të botës, kur nuk ka para’ që të bëjë një repart të ri.
A nuk veproi kështu tani sapo UNOPS-i u vendos në Shqipëri për të ndihmuar shëndetësinë shqiptare ? Ajo vendosi shefen e kabinetit të saj si koordinatore e projektit.
Çfarë do të koordinojë një ekonomiste, e cila nuk e ka idenë si të ndërtimit, ashtu edhe atë të pajisjeve mjekësore. Detyrat e shefit të kabinetit janë tërësisht të tjera si p.sh
-Koordinon oraret e Ministrit në mënyrë që koha e tij/saj të fokusohen në prioritet e Ministrisë.
– Analizon kërkesat e marra të cilat kanë të bëjnë me mënyrën se si do të veprohet dhe ia delegon ato zyrtarëve përkatës.
– Kontrollon përgjigjet që do iu dërgohen grupeve kryesore të interesit të inicuara nga ministri.
– Vendos prioritete në lidhje me kërkesat e marra dhe cakton burime të cilat mund t’i përmbushin.
– Asiston drejtpërdrejt ministrin në hartimin e politikave dhe i përçon ato në strategjinë kombëtare të zhvillimit të shëndetësisë.
Dhe jo që të hiqet si specialiste në ndërtimin e spitaleve dhe pajisjeve mjekësore.
Natyrisht, informacionet thonë që E.H në projektin e UNOPS-it do të mbështetet nga një inxhinier i teknologjisë së informacionit dhe pa lidhje me pajisjet biomjekësore, i emëruar nga Ogerta Manastirliu si drejtor i Qendrës Kombëtare Teknike Biomjekësore (Q.K.T.B).
Sa për kronikë, ish-drejtori i Q.K.T.B-së, personi D.L., pas një kontrolli të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), ku iu gjetën shkelje gjigante me dyshime për korrupsion marramendës, u largua nga Manastirliu dhe u dërgua si inxhinier te Fondi i Kujdesit Shëndetësor, për t’u harruar dhe për të mos qenë në qendër të vëmendjes pas “zullumeve” që bëri në kohë të Ogertës, kur kjo e fundit ishte drejtore e Q.S.U.T.
Natyrisht në shëndetësi koha për t’u çuditur ka mbaruar.
Duke ditur nivelin e lartë të korrupsionit dhe paaftësinë ekstreme bëhen fajtorë disa njerëz lateralë që nuk janë persona përfaqësues në shëndetësi.
Në shëndetësi, ndryshe nga sektorët e tjerë “peshkohen” dhe goditen gjithnjë peshqit e vegjël, pasi ata që me të drejtë mund të konsiderohen si “bajlozët e tenderave”, janë të paprekshëm
Të vegjlit, janë rilindas pa përkrahje, të cilët përdoren dhe digjen si zhurmues në luftën kundër korrupsionit, por çifti Joti-Manastirliu mbetet i paprekshëm.
Ekspertët e Shëndetësisë ngrenë pikëpyetjen: “A nuk vëreni një mënyrë të sofistikuar për të mbrojtur injorancën e tyre, kur në stafe nuk ka asnjë profesor dhe asnjë këshilltar nuk është profesor i Ministrit ose i Jotit? Ata i duan profesorët si dekor në inaugurime”.