Një javë pas rrëzimit të helikopterit të marinës amerikane në oqeanin Paqësor, shpallen të vdekur 5 marinarë. Mediat amerikane shkruajnë se sot operacionet e kërkim- shpëtimit u kthyen në operacione rekuperimi. Sipas autoriteteve zyrtare, ky përfundim vjen pas 72 orësh kërkime, ndërsa identiteti i marinarëve ende nuk është bërë me dije.
Në deklaratën zyrtare të Flotës amerikane të Paqësorit bëhet me dije se 5 marinarë të tjerë u plagosën në bordin e aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln në kuvertën e së cilës po operonte helikopteri MH-60S para përplasjes. Të plagosurit ishin sot në gjendje të stabilizuar
Hetimet mbi shkaqet që sollën rrëzimin e mjetit rreth 112 kilometra larg brigjeve të San Diego vijojnë ende, por fakti që janë plagosur edhe marinarë në bordin e aeroplanmbajtëses, ngre dyshime nëse helikopteri i fatkeqësisë ka goditur edhe luftanijen gjigande. Kur helikopterët ngrihen ose ulen mbi një luftanije, kjo asistohet nga trupat në tokë ose në kuvertë.
Marina tha se helikopteri ishte rrëzuar gjatë atyre që quante “operacione rutinë”. Helikopterët e tipit MH-60S mbajnë zakonisht një ekuipazh prej katër vetësh dhe përdoren në mbështetje ndaj luftimeve, operacione ndihmash apo kërkim-shpëtimi.