Këto janë pamjet e një feste ilegale të të rinjve nga gjithë Europa të cilët për 5 ditë me radhë qëndruan të grumbulluar në Viterbo, një provincë në periferi të Romës.
Për shkak të grumbullimit masiv, por edhe zbulimit të përdorimit të hapur të drogërave u desh ndërhyrja e policisë italiane për ta ndërprerë festën.
Grumbullimi shkaktoi polemika të shumta në vendin fqinj edhe për shkak të mosrespektimit të masave të pandemisë. “Corriere della Sera” shkruan se destinacioni i radhës i tyre është pikërisht vendi ynë.
“Takimi tjetër është përcaktuar më 1 shtator në Shqipëri. Por detajet në lidhje me eventin do të bëhen publike në grupet e aplikacionit Telegram”, thotë një nga të rinjtë pjesëmarrës i cituar nga gazeta.
Autoritetet shqiptare thanë se nuk kanë ndonjë kërkesë apo informacion për një grumbullim të tillë.
Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen është përdorimi i lëndëve të shumta narkotike në këtë festë. Një nga të pranishmit u tha gazetarëve italiane se nëpër makina ishin vendosur edhe tabela me çmimet e substancave. Ketaminë 5 euro, LSD 10 euro ndërsa janë konsumuar pica të përgatitura me miell kërpi.
Pak ditë më parë në këtë festë humbi jetën një 24-vjeçar italian banues në Londër dhe policia vendase vijon hetimet për shkaqet. Edhe në 2017-ën një i ri humbi jetën për shkak të overdozës ndërsa një vit më pas një tjetër në një aksident.
Kjo festë, ku të rinjtë mblidhen me rulot nga e gjithë Europa për të dëgjuar muzikë me volum të lartë nisi fillimisht në Francë, por autoritetet atje më pas e ndaluan. Organizatorët kanë bërë përpjekje për ta mbajtur më pas edhe në Belgjikë dhe Gjermani, por kanë dështuar.
A do të mbahet ajo në Shqipëri? Mbetet të shihet.