Kolapsi sot duket kaq i shpejtë. Në pak muaj gjatë verës, forcat talebane u rikthyen në revansh në pjesën më të madhe të Afganistanit. Njëra pas tjetrës, qendrat e provincave në veri dhe në perëndim të vendit, po pushtohen nga rebelët, ndërsa rezistenca qeveritare po zhbëhet.
Kur militantët fituan qytetin e Ghaznit ditën e Martë, kjo ishte provinca e dhjetë që binte në duart e tyre brenda javës. Pastaj, ndodhi ai që mund të quhet kapitullimi i qeverisë së presidentit Ashraf Ghani: forcat talebane morën qytetet e Heratit dhe Kandaharit, po ashtu edhe Lashkar Gah, qendrën e provincës së Helmandit.
Me Kabulin si shënjestër e radhës, talebanët e gjejnë veten në pozicionin më të mirë që nga viti 2001, kur e lanë pushtettin, të detyruar forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Raportimet që vijnë sot nga zonat e kontrolluara nga talebanët dëshmojnë për sulme ndaj civilëve në zonat e pushtuara dhe martesa abuzive me vajzat e reja. Ndërkohë, ushtria afgane- e ndërtuar në vite përmes stërvitjes së amerikanëve dhe përmes një ndihme të madhe financiare- është në tërheqje dhe krejtësisht e demoralizuar. Qytet pas qyteti, ushtarët u dorëzuan apo dezertuan nga pozicionet e tyre. Në disa zona, talebanët mund të shihen duke patrulluar me pajisjet ushtarake amerike, përfshi këtu armë apo mjete.
Zyrtarë amerikanë kërkuar zhvendosjen e ambasadës së tyre pranë aeroportit dhe i bënë thirrje shtetasve amerikanë të largohen menjëherë nga vendi.
Mijëra trupa shtesë do të dërgohen përkohësisht për të siguruar stafin për një evakuim të mundshëm. Administrata e Biden po bën disa përpjekje të dëshpëruara për të bërë bashkë aktorë të ndryshëm diplomatikë, që nga fqinjët e Afganistanit deri të Bashkimi Europian, Rusia dhe Kina për të krijuar një front të përbashkët në bisedimet me të dërguarit e talebanëve në Katar. Por fuqia e rebelëve është në rritje, ndërsa jehona e Saigonit të 1975 ushton sot më fort se kurrë në Kabulin e 2021.
Sipas të dhënave të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, shpërbërja e shpejtë e forcave ushtarake të Afganistanit do të thotë se Kabuli do të pushtohet nga talebanët në pak javë, në mos në pak ditë.
Sukseset e ofensivës talebane koinçidojnë me tërheqjen e trupave të fundit ushtarake të SHBA dhe të NATO-s, të lajmëruara nga Presidenti Biden këtë vit.
Shtëpia e Bardhë e kishte planifikuar tërheqjen në përvjetorin e 20 të sulmeve të 11 Shtatorit, që kryen militantët e Al-Kaeda-s, të strehuar nga qeveria e Afganistanit e asaj kohe. Me talebanët në revansh, Biden i duhet t’i japë zgjidhje një situate të vështirë. Në fillim të korrikut, presidenti kishte folur me ironi për mundësinë që talebanët të përmbysnin gjithçka. Shpresat i pati në një marrëveshje politike mes partive konfliktuale të Afganistanit.
Kritikë të tjerë, më agresivë argumentuan se Shtetet e Bashkuara duhet të ishin një kërcënim konstant ndaj rikthimit të talebanëve.
Por kundërshtarët e kësaj ideje, këmbëngulën se destabiliteti në vend edhe pas dy dekadave nga ndërhyrja amerikane, ishte dëshmi se misioni duhej të merrte fund.
Për javë me radhë, Shtëpia e Bardhë e mbrojti vendimin për t’i tërhequr trupat amerikane- një objektiv për të cilin punoi më herët edhe ish-presidenti Donald Trump dhe që ishte mbështetur nga shumica e amerikanëve sipas sondazheve të fundit- si një lëvizje e nevojshme të cilës tashmë i ka ardhur koha.
“Shikoni, ne shpenzuam më shumë se një trilion dollar në këto 20 vite” u tha Bajden reporterëve së fundmi në Shtëpinë e Bardhë. “Ne trajnuam dhe i pajisëm me armë moderne më shumë se 300 mijë forca afgane. Tashmë liderët politikë afganë duhet të bëhen bashkë”
Për Biden, situata precipitoi si pasojë e nervozizmit në rritje për shkak të afrimit të talebanëve. Por për shumë afganë, situata prej kohësh ka qenë e pashpresë. Evakuimi me nxitim i diplomatëve perëndimorë nga kryeqyteti afgan e shtoi më shumë perceptimin e krizës.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet ta ketë prioritet absolut sigurinë e diplomatëve të tij” tha Majkëll Kugelman, një studiues i Azisë Jugore, “Por të jemi të qartë: Largimi i tyre nga Afganistani do të dërgonte një sinjal të qartë se bota ka vendosur t’i lërë afganët në mëshirë të fatit”.
Por e gjithë kjo që po ndodh nuk ishte një surprizë. Siç ka raportuar Craig Whitelock në një shkrim të tij, që citon dokumenta të qeverisë amerikane për dështimin në Afganistan, administratat e kaluara ishin të ndërgjegjshme se talebanët nuk do të sfidoheshin lehë, se shteti afgan ishte i dobët dhe i kalbur nga korrupsioni dhe se të vazhdonin para, pa një strategji të qartë, ishte më mirë se të pranonin disfatën.
“Intervistat dhe dokumentat, shumë prej të cilave ishin të papublikuara më parë, tregojnë se si administrata e presidentëve George W. Bush, Barack Obama dhe Donald Trump e fshehu të vërtetën për dy dekada” shpjegoi Whitelock. “Ata po humbnin ngadalë një luftë, të cilën dikur amerikanët e kishin mbështetur bindshëm. Në vend të pranonin humbjen, drejtuesit politikë dhe ushtarakë vendosën t’i varrosin gabimet e tyre dhe ta vazhdonin luftën”.
Në më pak se pesë vjet nga ndërhyrja në Afganistan, zyrtarët e administratës Bush po evokonin analogjitë me luftën ne Vietnam, pasi po bëhej e qartë se talebanët mbeteshin ende një kërcënim.
“Pika e kthesës erdhi në fund të 2005, në fillim të 2006, atëherë kur kuptuam se po ndodhte një rebelim i tillë, që mund të përmbyste gjithçka” u tha gazetarëve një ish-zyrtar i administratës. “Gjithçka po shkonte në drejtimin e gabuar në fund të 2005”.
“Pavarësisht kësaj, shkruajti Whitelock “administrate Bush i pushoi paralajmërimet e brendshme për dështimet dhe u fokusua tek lufta”.
Thuajse një dekadë më vonë, në fund të vitit 2014, Obama tentoi të pranonte fundin e misionit ushtarak në vend, pas disa vitesh kundërsulm ndaj rebelëve, kur deklaroi se “lufta më e gjatë në historinë e Amerikës po vjen drejt një fundi të përgjegjshëm”. Por zyrtarët e SHBA ishin të ndërgjegjshëm se fundi ishte ende larg dhe administrata e Obamës thjesht “projektoi një iluzion” raportoi Whitelock. “U komunikoi amerikanëve se trupat ushtarakë po qëndronin në pozicione joluftarake. Por Pentagoni here pas here bënte “përjashtime” në terren, që do të thotë nuk kishte asnjë ndryshim” shkruan Whitlock.
Pastaj erdhi Trump, i cili kërkoi t’i jepej fund fushatave të kushtueshme ushtarake jashtë vendit. Por ai autorizoi një intensifikim të fushatave të bombardimeve ajrore kundër shënjestrave të militantëve islamikë, që sipas një studimi, i shtoi fatalitetet mes civilëve afganë me 330%.
Biden, një veteran i viteve të Obamës, ka rolin e tij për të luajtur në historinë e Afganistanit, një tragjedi e cila ka vite që ndodh./ Përshtati nga Washington Post, Lapsi.al