Një punonjës policie dhe një tjetër person u arrestuan nga Policia e Pogradecit, ndërsa 3 të tjerë u shpallën në kërkim, në kuadër të një operacioni kundër trafikut të narkotikëve.
Policia tha se ka sekuestruar 23 kg kanabis, ndërsa arrestoi Blenard Vathin, punonjës policie, dhe Rexhep Toshin, ndërsa u shpallën në kërkim 3 persona të tjerë.
Lënda narkotike ishte e ndarë në pako, dhe dyshohet se sasia ishte e destinuar për t’u trafikuar jashtë vendit.
“Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve, Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të trafikimit të lëndëve narkotike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, u finalizua operacioni i koduar “Hudënishti”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasi R. T., 44 vjeç, banues në Tiranë dhe u shpallën në kërkim shtetasit Sh. I., 48 vjeç, S. O., 44 vjeç dhe M. T., 32 vjeç.
Gjithashtu në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat u bë ndalimi i shtetasit B. V., 35 vjeç, banues në Borizanë, Krujë (punonjës policie).
Në bazë të informacioneve të grumbulluara gjatë periudhës hetimore 2-mujore se disa shtetas, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike dhe synonin të trafikonin një sasi droge jashtë vendit, forcat e policisë organizuan veprimet dhe bënë të mundur sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të sasisë prej 23 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis”, njoftoi policia.













