Zv.Kryeministri Erion Braçe duket se ka marrë flamurin për t´u shfaqur në publik se është kundër betonizimit, edhe pse shumë nga vendimet që ai firmos në emër të qeverisë, me porosi të Kryeministrit, i çelin dritën jeshile pikërisht betonizimit.
Mes qëndrimeve që shfaq në rrjetet sociale dhe vendimeve që firmos si zv.Kryeministër është e vështirë të gjesh se cilit Erion duhet t´i besosh, atij që bën gam-gam si kone në rrjetet sociale, apo atij që hedh firmën rëndë rëndë në vendimet e Qeverisë, duke legjitimuar betonizimin.
E ndërsa përmes rrjeteve shfaqet si Erioni që është shumë i shqetësuar nga betonizimi, si zv.Kryeministri Braçe, është ai që i detyruar ose jo, hedh firmat mbi vendime, që më pas favorizojnë edhe oligarkun e Palasës edhe çdo oligark apo biznesmen tjetër që po betonizon sa të mundet territorin.
Duket se Erioni duhet të mposhtë Braçen, ose ky i fundit duhet të urdhërojë Erionin e rrjeteve sociale që të mos bëjë më zhurmë, të paktën për ato që firmos ditën për diell dhe ndoshta pendohet në orët e natës.
Pak ditë më parë Braçe përmes rrjeteve sociale ankohej lidhur me ndërtimin e një pallati, që po ngrihet ngjitur me atë ku banon zv.Kryeministri.
Ankesa e Braçes në rrjetet sociale vinte pak ditë pasi ai kishte firmosur një vendim në emër të Qeverisë, që i zgjaste afatin e përdorimit të bregdetit oligarkut Samir Mane, që përmes kompanisë Green Coast, do të mund të shfrytëzojë për 30 vjet, nga 20 që ishte, zonën në Palasë.
Zgjatja e afatit të përdorimit të bregdetit për oligarkun Mane ishte hapi i rradhës që vinte, pas vendimeve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili i dha dy leje. Një nga lejet ka lidhje me një restort turistik të emërtuar Green Coast 3 një projekt që duket se do të jetë vazhdim i atij ekzistues, si dhe një leje zhvillimi për objektin: “Green Coast Hotel”, me vendndodhje në Bashkinë Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Green Coast” sh.p.k.
Për ti shtuar 10 vite, vendimit të mëparshëm lidhur me shfrytëzimin e bregdetit, Qeveria ka miratuar një vendim të veçantë, duke zgjatur jo vetëm afatin e përdorimit nga 20 në 30 vjet, por duke ndryshuar edhe koordinatat e sipërfaqes së lejuar që më herët ishte përcaktuar nga vendimi i Këshillit të Investimeve Strategjike.
Kordinatat e reja janë brenda asaj që ka përcaktuar Qeveria në vendim dhe përmes një shtojce, e cila ende nuk është është publike.
Ndërkohë dy javë pas këtij vendimi në favor të Manes dhe kompanisë së tij, Braçe po përmes rrjeteve sociale, thumbon oligarkun.
“Nëse do plazh të pastër e me hapësirë pa fund, ja ku e ke, zgjidhe vetë ku do të rrish dhe po deshe ngul çadrën tënde e rri rehat! Të gjitha, po të gjitha TË KUSHTOJNË SA 40% E PALASËS! E di, e di, çmenduri është, por njëherësh është edhe stil jete; ÇMO NATYRËN, MOS PAGUAJ BETONIN!”, shkruan Braçe.