Nevojat për vitamina dhe minerale varen pikërisht nga fazat e ndryshme të jetës. Përballja me sëmundje të ndryshme që organizmi mund të zhvillojë është sigurisht shumë e vështirë dhe e mundimshme.
Ajo çfarë është e rëndësishme është kujdesi që secili duhet t’i kushtojë mirëqenies dhe shëndetit të tij.
Sipas ekspertëve, përtej kurimit të saktë, parandalimi i sëmundjeve me anë të jetës së shëndetshme është elementi kyç për një jetë të gjatë. Megjithëse mund të duket sikur ndikimi i tyre në organizëm nuk është i menjëhershëm, vitaminat janë thelbësore për shëndetin.
Por sipas të dhënave, plakja e popullsisë dhe rritja e interesit për parandalimin e rreziqeve ndaj shëndetit, kanë nxitur shitjet e vitaminave edhe në Shqipëri.
Si tendencë në të gjithë botën, njerëzit gjithnjë e më shumë po kuptojnë vlerën e të qenit i shëndetshëm, ndaj dhe vitaminat janë kthyer në pikën më thelbësore.
Rritja e imunitetit është një nga qëllimet kryesore të njerëzve që marrin multivitamina dhe suplemente, thekson mjekja Denisa Nika, nëndrejtoreshë e QSUT për Monitor.
Në nivel global, tregu vlerësohet në 82 miliardë dollarë, me afërsisht 28% të saj në SHBA.
Çfarë ndodh kur e teproni me vitaminat?
Nëse merrni më shumë vitaminë C apo zink nga se ju kërkon, trupi juaj do të reagojë duke shkaktuar dhimbje stomaku, diarre dhe të përziera.
Teprimi me selenium, shkakton rënien e flokëve, lodhje dhe dëmtim të nervave.
Gjithashtu, nivele toksike të vitaminës A dhe D shkakton probleme me gjumin, përqendrimin, por edhe me mpirje të gjymtyrëve.
Nëse e teproni me mineralet si hekuri, kalciumi apo kaliumi, do të rrisni rrezikun e problemeve me veshkat.
Përse vitaminat dhe mineralet po konsumohen kaq shumë?
Një nga arsyet kryesore është pikërisht ndërgjegjësimi i popullsisë. Ndërgjegjësimi, sigurisht që është diçka pozitive, pasi informon në mënyrën e duhur popullsinë për rëndësinë e vitaminave.
Por me sa duket, ndërgjegjësimi ka shkaktuar një mbipërdorim të vitaminave.
Një tjetër faktor është plakja e popullsisë
Duke qenë se trupi i njeriut me kalimin e moshës ka nevojë për më shumë vlera ushqimore se zakonisht, ndaj dhe vitaminat janë të parat që blihen.