Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur pas votimit në Këshillin Kombëtar të PD. Përpara mediave, Berisha tha se demokratët sot nuk duhet të jenë të dëshpëruar, pasi janë mbi 710 mijë persona që kërkuan ndryshimin dhe vota e tyre nuk u vodh.
Për sa i përket 25 Prillit, Berisha u shpreh se ishin zgjedhje në një narkoshtet, por kërkoi nga të gjithë demokratët që të mos lënë asnjë gur pa lëvizur për të përmbysur atë që ai e quan regjimin e Edi Ramës.
“Pra nuk ka diskutim që këto ishin zgjedhje të një regjimi mafioz dhe të një narkoshteti, por detyra e çdo demokrati është një betim solemn për të mos lënë gur pa kthyer dhe përpjekje pa bërë për të përmbysur sa më shpejt narkoshtetin e vetëm në Evropë. Ky narkoshtet duhet të ketë orët e numëruara dhe natyrisht opozita është sot jo në një situatë të favorshme. Por opozita ka mbi 700 mijë anëtarë që nuk iu grabit dot vota. Ndaj duhet t’i shihni gjërat në kompleks, e sigurt është që çdo demokrat dhe çdo opozitar do të thotë fjalën e tij fuqishëm. Këto janë të gjitha probleme, ajo që them unë është kjo. Thirrja ime është jo dëshpërim, se jemi 710 mijë, jemi një armatë e fuqishme, mjafton që të vendosemi dhe të përballemi me regjimin më të urryer pas Enver Hoxhës”, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët, ai konfirmoi se do të jetë pjesë e parlamentit të ri. “Mezi po pres”, u shpreh.
Më tej, ka komentuar edhe njëherë vendimin e Departamentit të Shtetit për shpalljen e tij ‘non grata’. “Beteja ime ligjore po ecën dhe ju e kuptoni se procedurat nuk janë emergjente dhe unë kam besim tek avokati im që mbarë Evropa ia njeh të gjitha meritat. Unë qëndroj i vendosur tek drejtësia, për hir të transparencës dhe u bëj thirrje të gjithëve që të sjellin një provë të vetme për ato që kanë shkruar. Ato shpifje që janë sajuar nga multimiliarderi Xhorxh Soros”, u shpreh Berisha.