Nga Boldnews.al
Gjykata Kushtetuese i heq të drejtën abuzive Policisë së Shtetit që të kryejë përgjime dhe vëzhgime pa autorizimin paraprak të prokurorit.
Trupa gjykuese ka pranuar padinë e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili kishte kundërshtuar ndryshimet e bëra vitin e kaluar në nenin 131 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, i cili lejonte efektivët e uniformave blu që, në kushte të caktuara, të kryenin me inciativë interceptime dhe vëzhgime të personave të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale.
Ky ndryshim ligjor, i cili u konsiderua në atë kohë nga “Boldnews.al” si një “skenar për të kthyer përmbys Reformën në Drejtësi”, ishte në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, i cili në hierarkinë juridike është më lart se ligji “Për Policinë e Shtetit”.
Këtë të Hënë (05.07.2021), Gjykata Kushtetuese njoftoi se pranoi kërkesat e ankimuesit, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, për;
– Shfuqizimi i nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
– Pezullimi i zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese vlerëson se “Neni 131…vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues “vetëm me ligj”, sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik”.

Në projektin e propozuar nga ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, dhe i miratuar më pas në Parlamentin thuajse një-ngjyrësh, parashikohej që përgjimi ambjental, vëzhgimi e fotografimi dhe mbikëqyrja e fshehtë e personave bëhet me vendim të titullarëve të policisë në nivel drejtorie vendore e qendrore.

Pra, drejtuesve policorë u jepej tagri që të ndërmerrnin këto masa të veçanta, duke anashkaluar kontrollin ligjor të prokurorit, duke e shndërruar mekanizmin e përgjimit në një mundësi për abuzim nga ana e forcave policore.
Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Sandër Lleshaj, në mbrojtjen publike që i bëri çështjes së përgjimeve, u shpreh se “Policia është një organ ligjzbatues i këtij shteti, i cili ka detyrë ekskluzive parandalimin e krimit. Dhe, në funksion të këtij parandalimi, Policia do të ketë edhe këto instrumente (përgjimin) në dorë”.
Por, siç ka raportuar më herët “Boldnews.al”, çështja e përgjimeve nuk është kaq e thjeshtëzuar.
Madje, mënyra se si do të realizohen përgjimet në procedimet penale ka qenë një prej pikave më delikate që kur, për herë të parë, Kodin i Procedurës Penale në Shqipëri parashikoi mundësinë e interceptimit.
Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale shqiptare janë mbështetur në ligje të ngjashme italiane dhe gjermane.
Legjislacioni shqiptar parashikon dy lloje kryesore përgjimesh; parandalues dhe procedurial.
– Përgjimet parandaluese kryen nga Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, vetëm pas një autorizimi paraprak të Prokurorit.
Teknikisht, përgjimet parandaluese kryen nga struktura, të cilat operojnë pranë institucioneve të renditura më lart
– Përgjimet proceduriale kryen nga Bërthama e Interceptimit në Prokurorinë e Përgjithshme, pas autorizimit që prokurori i çështjes ka marrë në gjykatë.
Pra, në të dy rastet, Kodi i Procedurës Penale, një ligj special, i cili qëndron mbi ligjet e thjeshta, i jep të drejtën e autorizimit të përgjimeve prokurorisë dhe gjykatës, duke krijuar në këtë mënyrë një sistem kontrolli hierarkik.
Por, ndryshimet në ligjin “Për Policinë e Shtetit” parashikonin që, për përgjimet parandaluese, autorizimi të jepet drejtëpërdrejtë nga drejtuesit policor.
Ky parashikim bie ndesh, jo vetëm me Kodin e Procedurës Penale, por edhe me parimin e kontrollit mes pushteteve.
“Decentralizimi” i përgjimeve
Ndryshimet ligjore, në të cilat Policia fiton të drejtën e vetë-autorizimit për kryerjen e përgjimeve, u trajtuan si një formë “decentralizimi” të procesit të interceptimit, me qëllim rritjen e efikasitet në luftën kundër krimit.
Në fakt, për “decentralizimin” e përgjimeve është diskutuar prej disa vitesh, por, gjithnjë duke i dhënë të drejtën prokurorit për të autorizuar interceptimin apo për t’iu drejtuar gjykatës për leje.
Sipas projektit të decentralizimit të përgjimeve, synohet që ky proces të mos jetë i përqëndruar teknikisht vetëm në Prokurorinë e Përgjithshme, por të krijohen mini-bërthama edhe në disa prokurori lokale.
Ky projekt nuk ka avancuar, deri më tani, edhe për faktin se ka një kosto shumë të lartë. Megjithatë, ligjvënësit kanë parashikuar një “decentralizim” të përgjimeve në paketën e Reformës në Drejtësi.
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion-SPAK- prej Dhjetor 2020 ka një njësi të veçantë përgjimi, të shkëputuar nga ajo që gjendet në Prokurorinë e Përgjithshme.
Ligjvënësit parashikuan se, SPAK, duke qenë një institucion tërësisht i shkëputuar nga Prokuroria e Përgjithshme, duhet të ketë mundësinë për të kryer përgjime për procedimet e saj penale, në mënyrë të pavarur nga pjesa e prokurorisë me juridiksion të përgjithshëm.
Pra, në çdo lloj diskutimi, përgjimi lidhet me rolin e prokurorit dhe gjykatës.
Por qeveria duket e vendosur që, në bazë të amendimeve të një ligji të thjeshtë, t’i japë Policisë kompetenca, të ngjashme me ato që Gjykata Kushtetuese i konsideroi anti-kushtetuese në një ligj të miratuar në vitin 2015.













