Anëtari i KAS, Ledio Braho, në një intervistë në Syri Tv, deklaroi se nëse nuk do të ishin bërë ndryshimet kushtetuese në reformën Zgjedhore, në 25 Prill PD dhe LSI do të kishin fituar 70 mandate.
“Sistemi u deformua, për shkak të ndryshimeve kushtetuese. Opozita ka ngritur pretendime se maxhoranca, duke kontrolluar pushtetin vendor, arrin të veprojë siç dëshiron. Kushtetuta u ndryshua në mënyrë të njëanshme. Opozita tha se qeveria ka dhënë para për rindërtimin vetëm pak ditë para zgjedhjeve. Pretendimet e opozitës në KAS janë depozituar në kërkesat ankimore.
Pavlefshmëria e zgjedhjeve nuk ka lidhje vetëm më diten ë zgjedhjeve, por edhe ajo që ka ndodhur edhe përpara 25 prillit. Vullneti i popullit u deformua në zgjedhjet e 25 prillit. Opozita në KAS ka sjellë një sërë denoncimesh. Drejtësia nuk ka dhënë drejtësi për krimet zgjedhore. Sot ata që janë përfshirë në vjedhje votash në Dibër e në Durrës janë me poste e kjo dëshmon se nuk ka drejtësi. SPAK duhet të thërrasë kreun e AKSHI-së për patronazhistët. Pa blerje votash, PD dhe LSI do kishin sot 70 mandate”, tha Braho.
Ledio Braho nënvizoi se krimet zgjedhore në vend janë dënuar në mënyrë qesharake.
“Çdo gjë bëhet me urdhër politik. Krimet zgjedhore në Shqipëri ose janë dënuar në mënyrë qesharake ose zgjasin me vite të tëra. Janë blerë votat me legalizime dhe me punësime. Vullneti i votuesit nuk diskutohet në asnjë vend në Ballkan, vetëm në Shqipëri ndodh kjo.
Në Shqipëri ka dështuar sistemi i drejtësisë, sepse për blerjen e votës duhet të funksiononte drejtësia. Vullneti i votuesve është cenuar para se qytetarët të votojnë dhe kjo është shumë e rëndë. Provat janë aty dhe Prokuroria duhet të mbledhë provat dhe të hetojë kallëzimet e opozitës. Edhe OSBE ODIHR vinte re elementët që ka ngritur opozita, deri tek çështja e patronazhistëve. Shteti në tërësi nuk funksionon. Edhe reforma terriroriale ka qenë gabim e duhet që të rishikohet”, u shpreh Braho.