Enver Diva është një prej të arrestuarve si i implikuar në vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia në Durrës, ngjarje kjo e ndodhur në 27 Prill të vitit të kaluar në tregun e makinave në Durrës.
Burime bëjnë me dije se Diva së bashku me shtetasin Besian Xhixha kanë vepruar në rolin e vëzhguesit, dhe ruanin lëvizjet e vëllezërve Haxhia.
Por për Enver Divën, puna duket se është ndërprerë disa ditë përpara finalizimit të vrasjes, për shkak se u infektua me Covid, së bashku me bashkëshorten e tij.
Diva në një intervistë për Fax News asokohe, do të denonconte gjendjen e vështirë ekonomike në të cilën ndodhej familja e tij, sipas të cilit, nuk kishte para për të blerë ilaçe.
Më poshtë deklarata e tij, e dhënë në 24 Prill, 4 ditë përpara vrasjes së vëllezërve Haxhia:
“Bashkëshortja ime ka qenë në punë në Krujë, na ka infektuar dhe mua, dhe nusen e çunit të xhaxhait, ne jemi copë copë, edhe ilaçet i kemi blerë vetë. Pse duhet të ble unë ilaçe kur ato duhet të jenë falas, gruaja punonte te këpucët në Krujë. Erdhën na bërë tamponët, na ka sjellë vetëm një thes miell bashkia dhe vetëm kaq, e dy kile oriz dhe dy kile makarona. Kemi qendruar brenda në shtëpi, kemi mbajtur larg fëmijët, larg njëri tjetrit, janë mirë për momentin,. Bashkia nuk na ka sjellë asnjë ndihmë dhe asnjë gjë. Fëmijët duhet me hëngër përditë, jemi vetë i gjashtë në shtëpi. I bëj thirrje edi Ramës që të na ndihmojë, fëmijët po hanë bukë thatë, gruaja do kthehet prapë, se do punojë ça të bëjmë”.