Nga Jamarbër Malltezi
Thënë shkurt, Soros ka pasur (i) momente që ka luajtur rol pozitiv, (ii) momente për të cilat nuk ka prova të mjaftueshme, ose kanë ndodhur gjetiu dhe (iii) disa momente të shëmtuara dhe hipokrizi me parimet që shpreh me fjalë. Si anë pozitive mund të përmenden programi i granteve të studimit, me anë të së cilës qindra studentë dhe studiues u ndihmuan disi të studionin apo merrnin pjesë në ndonjë kualifikim në perëndim në vitet e para pas rënies së komunizmit. Pozitive ka qenë mbështetja në fushat e rëndësishme, por të marxhinalizuara si çështjet e fëmijëve, mjedisit, romëve, si edhe projekti i Arsimit (AEDP). Mund të quhet pozitive edhe nisma për 2-3-fishimin e pagave të drejtorëve që mori Edi Rama në Bashkinë e Tiranës, ndonëse këtë e kreu veç për drejtorët e Ramës dhe jo, p.sh., për ata të bashkive Shkodër apo Korçë. Edhe kapjen e gjithë qeverisë së Ramës në 2013 duke i sjellë eminenca nga jashtë (si jugosllavët Enverit në 1945), ndonëse e papranueshme për vende sovrane mund të mos e paragjykojmë pasi mund edhe të konsiderohet dëshirë për të ndihmuar një vend që drejtohet nga një i pashkollë.
Ka disa momente që akuzohet jashtëzakonisht shumë në nivel ndërkombëtar si, p.sh., për çështjen e mbështetjes së emigracionit nga Azia për të destabilizuar vende të BE, por për këtë temë nuk ka prova të pakundërshtueshme. Ai është akuzuar publikisht nga qeveria e Britanisë së Madhe për spekulimet financiare që dëmtuan ekonominë dhe vendet e punës së mijëra njerëzve dhe për pasojë e shpallen non grata në Britaninë e Madhe për më shume se 10 vjet, si edhe u akuzua publikisht nga Kryeministri i Malajzisë për spekulime financiare që mund të rrezikonin financat, por edhe jetesën e mijëra qytetarëve në Malajzi. Kapja e institucioneve europiane (Parlamenti apo Gjykata Europiane) përmes personave të besuar dhe mbështetur me pagesa është një shfaqje e shëmtuar dhe minon pavarësinë e institucioneve. Gjithsesi, këto momente mbeten jashtë Shqipërisë, ndonëse kemi parë që influencojnë vazhdimisht edhe në Shqipëri përmes emisarëve që mbajnë kapele zyrtare, por luante rol për interesa private.
Por, ka të paktën 4 raste në Shqipëri kur Soros paraqitet si personazh jopozitiv e që u bën dem parimeve të demokracisë, për të cilat me hipokrizi flet se duhen mbrojtur:
1. Në 2015, kompania e Soros e quajtur San Leon shpoi për naftë në Zvërnec, fiks në zonën qendrore (core area) të zonës së Mbrojtur të Nartës. Asnjë dëgjesë publike e kryer, asnjë banor i Nartës nuk dinte gjë. Dy ministra të Ramës (Koka dhe Gjiknuri) si ushtarë të Soros deklaruan se ndonëse ligji e ndalon shpimin për naftë në zonën qendrore të zonës së mbrojtur, ne e lejuam pasi do t’i kushtonte me shumë kompanisë të shponte në det! Pra, u shkel haptazi ligji i zonave të mbrojtura veç për të kursyer xhepin e Soros dhe nuk pati asnjë përgjegjësi.
2. Në 2015, një shpërthim gjatë kërkimeve për naftë në Marinëz shkaktoi emetime të rrezikshme toksike në tokë dhe ajër. Një ministër i Ramës deklaroi se ishte gaz i ëmbël, por monitorimi i ISHP i kryer 2 javë më pas tregoi se niveli i gazit toksik H2 S ishte 2 jave pas shpërthimit deri 20-fish i normave të lejuara, imagjinoni sa ishte ditët e para të shpërthimit ku nuk u evakuuan banorët. U fol që Soros ishte pjesë e skemës në investimin për naftë. Një ambasador shkeli tagrat diplomatike duke bërë presion në shkelje të ligjit që të mos nisnin hetimeve penale. Dy vjet më pas u pa se Soros kish investuar mbi 10 milionë dollarë lobime që ai ambasador të vijonte karrierën. Mediat lokale kanë raportuar se qindra banorë në Marinëz kanë pasur sëmundje pulmonare dhe shtim të rasteve të tumoreve që pas 2015, por meqë nuk pati asnjë përgjegjësi, të shkretët banorë nuk kanë ku kërkojnë ndihmë për të përballuar shpenzimet shëndetësore. Por, ndërsa Soros pagoi mbi 10 milionë USD për lobim, pjesërisht për ambasadorin që shkeli ligjet dhe ndaloi hetimet, nuk pati asnjë qindarkë as për monitorime mjedisore, për kompensim të dëmeve dhe as për kompensim të shpenzimeve shëndetësore të banorëve vendas.
3. Vitet e fundit u pa se Reforma në Drejtësi u përdor veç për kapjen e drejtësisë nga Soros dhe Rama. Ajo që u nis si një marrëveshje e gjithë palëve, si nevojë e shoqërisë për të luftuar korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë, degjeneroi në kapje të të gjithë sistemit. Në vitet 2014-2017 kishte disa tregues, por jo prova të mjaftueshme për kapjen e sistemit. Kjo, pasi pagesat për grupin e punës mund të pranohen si mbështetje e konsulentëve të pavarur. Por, zbardhjet e shumë dokumenteve të firmosura nga ministri i PS-së, Xhafaj, mbi rolin e fondacionit, si edhe zbardhjet e dokumenteve të vetë fondacionit, treguan rolin e qartë aktiv politik të Soros për kapjen e gjithë sistemit të drejtësisë. Kemi një sistem drejtësie ku motra e ministres së Ramës (Balluku) është shefe e vetingut, që heton dhe shkarkon gjyqtarët, kunati i ministres së Ramës emëron prokurorët dhe vëllai i ministres tjetër të Ramës inspekton gjyqtarët. Për pasojë kemi Dvoran-drejtësi, ku ndonëse kish marrë dhuratë një apartament 80,000 eurosh nga një kompani telefonie celulare, asaj kompanie më pas i kish kryer edhe gjyqet në konflikt interesi. Asnjë bandit nuk ka arritur dhe as imagjinuar që të kapë gjithë sistemin e drejtësisë, siç po bën Soros për interesa të lidhjeve korruptive të Edi Ramës. Për pasojë, dosjet e rënda që shokojnë Europen, si 139 dhe 384, mbyllen ose degjenerojnë. Ministri i Ramës kapet që ka hapur 8 kompani brenda ditës me familjarët e tij që të përlajë 3 milionë euro nga firma, së cilës bashkë me Ramën i ka dhuruar 22 milionë euro për inceneratorin e Elbasanit, por për Prokurorinë e partisë vjedhja e parave publike nuk përben vepër penale nëse është përfshirë Edi Rama. Në vend të kësaj batërdie, hapet çështje penale për ryshfetin 10-eurosh të policit të trafikut.
4. Në verën e 2018 plasi skandali i ndryshimit të kufijve të Kosovës. Qartazi serbët kishin marrë peng një njeri jo të lirë në Kosovë, por dalja në dritë e dokumentit zyrtar të fondacionit Soros mbi mënyrën e zgjidhjes së konfliktit përmes ndryshimit të kufirit qartësoi edhe vizitat e përmuajshme të Soros në aksin Beograd-Prishtinë-Tiranë në krah të Vuçiç, Thaçit dhe Ramës. Ky është një skenar serb që e kam dëgjuar për herë të parë nga Presidenti i ndjerë Rugova qysh në 1995. Ndarja e kufijve në territore të pastra etnike bie ndesh me parimet europiane dhe ato që jemi mësuar të besojmë si njerëz të lirë. Ironia është që fondacioni Soros, që predikon shoqëri të hapur, bashkëjetesë paqësore mes komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare, u bë – në një akt hipokrizie të pashoqe – promotori i ndarjes së Kosovës sipas kufijve etnikë.
Fondacioni Soros mund të jetë një network me vlerë për atë që e përdor, por me ndërhyrjet në ndryshimin e kufijve jo vetëm tregoi dy politikanë shqiptarë të kapur, por dhunoi parimet kryesore, mbi të cilat është themeluar Bashkimi Europian, tradhtoi parimet që predikon nëpër botë për shoqëri të hapur dhe bashkëjetesë dhe në fund tentoi kapjen dhe ndryshimin e politikës zyrtare të SHBA, e cila ka sakrifikuar shumë për Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Qartazi të gjitha këto raste konkrete u përkasin gjashtë viteve të fundit. Nuk ka sulmuar njeri Soros as pse mbështet fëmijët, mjedisin, romët etj., as pse mbështet Ramën apo gratë e Ramës që i ka në bordet e veta, se mbetet zgjedhje personale si të shpenzoje paratë. Por gjithsesi – pa pretenduar monopolin e së vërtetës – si njerëz të lirë kemi të drejtën dhe detyrën qytetare të shprehim haptazi dhe qartë kundërshtimin kur shohim veprime të dëmshme ndaj shqiptarëve dhe demokracisë.
/Panorama.al/