Në një artikull të gjatë në gazetën e tij Shqiptarja.com, gazetari italian Carlo Bollino u tregua mjaftueshëm i sjellshëm për t’iu përgjigjur recesionit tim mbi Bunk’Art 2 , publikuar në Exit.al më 21 nëntor.
Në përgjigjen të tij, Zoti Bollino më drejtohet mua me fjalët “bashkëpunëtori hollandez” i gazetës Rilindja Demokratike e Partisë Demokratike.
Përveç faktit ironik se “bashkëpunëtor” është një fjalë tipike e gjuhës së diktaturës komuniste, duket se Bollino ra pre e situatës, e cila është shumë e zakonshme. Unë mendova se dikush me përvojën e tij në fushën e medias shqiptare do ta kishte kuptuar se Rilindja Demokratike kopjoi, pa lejen time apo lejen e Exit.al, një variant në gjuhën shqipe të artikullit të publikuar më 3 dhjetor.
Rezultati është se Bollino shpenzon pjesën më të madhe të artikullit të tij duke sulmuar “argumente qesharake” të “analistit Berishian”, i cili ekziston vetëm në imagjinatën e tij paranojake.
Por në ndryshim nga amatorizmi i tij në vërtetimin e fakteve – unë nuk jam i punësuar në gazetën Rilindja Demokratike, dhe as nuk mbështes politikat editoriale të saj.
Artikulli i gazetarit Bollino paraqet një fakt të ri rreth Bunk’Art 2, të cilin unë nuk e kisha kuptuar në kohën kur shkrova recesionin tim: Carlo Bollino është vetëemëruar “kurator i përgjithshëm” i Bunk’Art 2.
Le ta sqarojmë edhe njëherë, se Carlo Bollino është aktualisht pronari i disa mediave të afërta me Kryeministrin Rama, duke përfshirë gazetën Shqiptarja.com, e cila kishte të drejtën ekskluzive të mbulonte hapjen e muzeut të kuruar nga vetë Bollino.
Në fakt, Bollino thotë se Bunk’Art 2 nuk është një muze, por “një ekspozitë moderne video-muzeale, në të cilën historia rrëfehet në një formë më tërheqëse dhe, ku është e mundur, artistike.”
Fatkeqësisht, mendjemprehtësia artistike e Bollinos është e zhvilluar njësoj si cilësia e gazetarisë së tij.
Përpos paaftësisë së tij për të vërtetuar faktin se unë nuk kam punuar apo shkruar kurrë për Rilindjen Demokratike, ai është edhe përgjegjësi kryesor për gabimin trashanik dhe të turpshëm, të citimit të Primo Levit me atë të George Santanas, në hyrje të ekspozitës – “Të gjithë ata që harrojnë të shkuarën e tyre, janë të dënuar ta rijetojnë atë”.
“Një kurator i përgjithshëm” duhet ta dijë shumë mirë këtë gjë.
Duket se ai nuk e kupton se unë as komunist as antikomunist, nuk jam fare i interesuar të ngre bllokada kulturore, por e bëra recesionin e Bunk’Art 2 i bazuar në disa parime të thjeshta dhe të zakonshme, si:
- A është informacioni që jepet në ekspozitë i saktë?
- A është informacioni që jepet në ekspozitë i kuptueshëm si për shqiptarët, ashtu dhe për të huajt?
Ashtu sikurse e bëra të qartë në recesionin tim, elementë të ndryshëm të ekspozitës janë thjeshtë të rreme. Për më tepër, përkthimi i tyre në gjuhën angleze ishte i një cilësie të tmerrshme, i cili mund të keqkuptohet nga një turist i pafajshëm.
Bollino dështoi t’i përgjigjet çdonjërës nga këto vëzhgime. Sa për kuptueshmërinë e ekspozitës ai e gjen absurd faktin se unë kërkoj “interpretim”:
- Muzeu i Holokaustit “Yad Vashem” në Jerusalem (duke qenë se kam jetuar për gati katër vjet në Izrael si korrespondent, ishte e pashmangshme të mos influencohesha) nuk bën asnjë interpretim të shfarosjes naziste të cilën e rrëfen: thjesht e tregon.
Së pari paranteza, e cila supozohet të justifikojë plagjarizmin e dobët të Bollinos (jo “influencë”) e Yad Vashem në hyrje të Bunk’Art 2, nëse ai me të vërtet do të ishte kaq shumë i ndikuar nga trashëgimia e holokaustit, si mundet ai të gabonte shprehjen e Primo Levit? Apo ai e ka shkruar atë vetëm për të rënë në sy?
Problemi qëndron në faktin se Bollino ngatërron atë të cilën unë e quaj “interpretim” me “shpjegim”.
Përveç faktit se ajo është një keqkuptim i madh dhe e thjeshtëzon pohimin se Yad Vashem është “vetëm një shfaqje” (kontrolloni faqen zyrtare të tyre) unë nuk kërkova një shpjegim për krimet e diktaturës komuniste dhe për njerëzit që kanë vuajtur nën të.
Unë kërkova që ekspozita të tregojë një interpretim të fakteve historike sepse ato janë e vetmja mënyrë për të “treguar historinë”: shkakun dhe pasojën, veprimin dhe kundërveprimin, lidhjet logjike, pra një narrativë koherente.
Mund të jap një shembull të prekshëm. Në recesionin tim, unë kundërshtova pohimin se Bunk’Art 2 është i vendosur në një bunker atomik. Nuk ka asnjë provë të dokumentuar se bunkeri u ndërtua për të përballuar sulme atomike, dhe as nuk është bërë kurrë, dhe me aq sa kam unë njohuri – në asnjë dokument shtetëror nuk i referohet si një “bunker anti-bërthamor”.
Në dallim nga kjo, argumenti i Bollinos bazohet në një spekullim të pastër.
- Ndërtimi gjatë viteve 1970 dhe 1980 me mure guri, hekuri dhe betoni me trashësi prej 240 cm , me pesë hyrje të blinduara, nuk e bëjnë atë një bunker atomik? Çfarë teknologjie tjetër më shumë se kaq mund të zotëronte Shqipëria për të ndërtuar një bunker kundër sulmeve atomike?
Për të quajtur ndërtimin poshtë Ministrisë së Brendshme një bunker atomik ashtu sikurse e quan Bollino, është një veprim interpretimi, duke sugjeruar një narrative që mund të lidhë bunkerin shqiptar me një kontekst më të gjerë të kërcënimit atomik të Luftës së Ftohtë.
Bollino në mënyrë retorike pyet, “në fund të fundit, çfarë ndryshon në se janë anti-bërthamorë apo jo?”
Unë do të thoja se ka shumë rëndësi, sepse po të përpiqesh t’i vesh emrin e duhur gjërave, të përdorësh prova, të diskutosh, të mbrosh, dhe të zhvillosh argumente në një debat të hapur, janë fillesat e një dialogu të vërtetë me të shkuarën. Nëse Bollino nuk do t’ia dijë për hollësi të tilla, ai nuk duhet kurrë të kishte nisur një projekt për diktaturën komuniste.
Rezultati i kësaj moskokëçarje përballë fakteve del qartë në të gjithë ekspozitën. Sepse Bunk’Art 2 nuk interpreton dhe tregon historinë.
Ai thjeshtë mbush një hark kohor, i cili nis me historinë e xhandarmërisë në vitin 1913 dhe mbaron me laboratorin kriminalistik të vitit 2000, me “terrorin komunist” të ngjeshur në mes instalacioneve artistike të palidhura dhe zhurmave çoroditëse. Të krahasosh Bunk’Art 2 me Yad Vashem është deluzionale, në mos – një fyerje për këtë të fundit.
Ndoshta , në një kontekst tjetër, ne mund t’ia falin amatorizmin dhe mungesën e dijes Bollinos, përpos kësaj, ai asnjëherë nuk ka studiuara për kurator arti apo nuk ka publikuar diçka thelbësore për të shkuarën komuniste.
Ndoshta i frymëzuar nga shembulli ndriçues i shefit të tij (i cili meqë ra fjala, nuk ndrit shumë larg plagjarizmit), ai mendoi se mund të bëjë diçka në “një mënyrë artistike”.
Gjithmonë, amatorët janë ato që reagojnë më shumë ndaj çdo kritike – ndaj ndoshta ne duhet ta kuptojmë paranojën e tij për larot e Berishës të cilët e persekutojnë atë në çdo kthesë të karrierës së tij, dhe nga të cilët ai nuk mund të shkëputet.
Por ne nuk mund dhe nuk duhet ta falim Bollinon për Bunk’Art 2.
Sepse ai është ndërtuar me para publike – para të qytetarëve shqiptarë, të cilët do të donin që qeveria e tyre ta marrë seriozisht historinë, në vend që ta kthejë atë një park tematik në duart e një gazetari italian.
Paratë të cilat u shpërdoruan në mënyrë të papërgjegjshme nga Bollino mund të ishin përdorur për qëllime më të mira: për një kërkim të vërtetë, për diçka që do t’i mbijetojë kohës, ose të paktën për zgjedhjet e ardhshme.
Mbrojtja e fundit e Bollinos, e cila është edhe më e dobta, është se Bunk’Art 2 ka patur “sukses të madh”.
Si mundet ai të ketë quhet i suksesshëm? Për kë ka qënë i suksesshëm?
Apo sepse ai, me sukses të madh, fiton 500 lekë për çdo vizitues, të cilin me hile e fton të hyjë brenda?
Marrë nga Exit.al
Titulli origjinal: Një përgjigje për Carlo Bollinon nga “bashkëpunëtori hollandez”