Vdekja e nënë e bijë që tronditi Tiranën dhjetë muaj më parë është kualifikuar si ngjarje që nuk ka nevojë të ndiqet nga drejtësia, pasi Prokuroria e Tiranës ka vendosur të pushojë hetimet për shkaktim të vetëvrasjes.
Zhaneta Josifi dhe vajza e saj Anisa, u gjetën të vdekura në banesën e tyre në kryeqytet, kurse pranë trupave të tyre ndodhej vajza tjetër, Blerta.
Ajo ka bërë një përshkrim final të asaj që ndodhi, duke u bërë kështu zëri kryesor i pushimit të çështjes nga prokuroria.
Blerta pranoi se e motra Anisa vendosi të vetëflijohet nën besimin se një jetë e përtejme e bukur e priste me ringjallje pas flijimi. Të njëjtën gjë bëri dhe nëna e tyre, Zhaneta.
Të dyja u gjetën të dekompozuara në shtëpi pasi kishin vdekur, Anisa prej 15 muajsh dhe nëna Zhaneta, prej disa javësh.
Blerta ka pohuar se edhe ajo ashtu si nëna dhe motra, qëndroi për disa kohë e paushqyer. Por u gjet në gjendje të rëndë dhe mbijetoi.
Nën rrëfimin e vajzës dhe provat e mbledhura nga hetimi, Prokuroria e Tiranës ka arritur në konkluzionin se vdekja e nënë e bijë ka ardhur për shkaqe natyrore dhe jo nga ndonjë veprim kriminal. As akuza e shtytjes në vetëvrasje nuk gjeti bazë.
Në këto kushte organi i akuzës ka pushuar hetimet të nisura për shkaktim të vetëvrasjes, vendim i cili është miratuar në gjykatë nga gjyqtari Kastriot Gramshi.
Por pse trupat e të ndjerave u mbajtën në banesë? Blerta Josifi ka treguar para përfaqësuesve të akuzës se së bashku me motrën e saj Anisa Josifi kishin filluar të shkonin ne Kishën Ungjillore që në moshë të vogël kur jetonin në qytetin e Përmetit dhe më pas kanë vijuar ta ndjekin këtë kishë edhe kur kanë ardhur ne Tiranë.
E mbijetuara ka treguar se nuk kanë qenë të shtyrë nga asnjë person i jashtëm për të bërë zgjedhjet e tyre rreth besimit fetar, madje mamaja e tyre Zhaneta në fillim kishte qenë kundër po më pas e kishte praktikuar edhe ajo vetë këtë besim. Ato kishin rreth 5 vite që nuk shkonin më në kishë por e kishin vazhduar vetë rrugëtimin me Zotin.
Blerta ka thënë se motra Anisa Josifi kishte më shumë se 15 muaj apo 450 ditë që kishte ndërruar jetë, por sipas saj, për shkak të besimit të krishterë që thotë se kufoma nuk mbante erë të keqe, trupat u lanë aty njëra pas tjetrës.
Blerta ka treguar se më 3 qershor 2020, së bashku me nënën e saj kanë mbajtur agjërim duke mos ngrënë asnjë ushqim dhe që nga ai moment filloi t’i vinte era kufomës së motrës së saj Anisa. Arsyeja përse e kanë mbajtur motrën ka qenë prej vegimeve dhe besimit në Zot që ato kishin dhe shpresën se ajo do të ringjallej.
Më 2 korrik 2020 vdes edhe nëna Zhaneta pasi kishte ndalur ushqimin. Nga ajo ditë, Blerta ishte e vetme në shtëpi, me dy kufoma.
Sipas rrëfimit të Blerta, vetëflijimin e kanë nisur ajo dhe e ëma Zhaneta, duke u mbyllur në një dhomë. Duke qenë se nuk ia dolën dot, dolën nga dhoma. Pas tyre u fut Anisa.
Blerta Josifi ka pohuar se motra e saj Anisa përpara se të ndërronte jetë kishte qëndruar rreth 52 ditë pa ngrënë e pa pirë. Provën e ngujimit e bënë sërish nënë e bijë, Zhaneta dhe Blerta, tashmë me kufomën e Anisës në shtëpi. Zhaneta vdiq më 2 korrik 2020 kurse dy ditë më vonë u gjet Blerta në gjendje shoku. Tani ajo po jeton nën kujdesin e xhaxhait të saj.