Pas deklaratave në media të një marokeni që pretendonte se është dhunuar nga efektivët e policisë në komisariat, ka reaguar Policia e Durrësit.
Policia tha se marokeni me inicialet M.N, 29 vjeç, është dhunuar nga E.V, 30 vjeç, i cili punonte si kamarier në një lokal në lagjen nr.6 të qytetit bregdetar.
Shtetasi E. V., është shoqëruar në ambientet e komisariatit për sqarime të mëtejshme, ku ka deklaruar se shtetasi maroken kishte shkuar me sy të nxirë, në gjendje të dehur në ambientet e lokalit ku ai punonte. Marokeni ka shqetësuar klientët, sipas dëshmisë së kamerierit në polici, çka solli edhe konfliktin mes tyre.
“Pasi i ka kërkuar të dalë nga ambientet e lokalit ai e ka kundërshtuar duke e goditur, dhe për vetëmbrojtje e ka goditur edhe shtetasi E.V., duke i shkaktuar dëmtime”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Në kushtet e mësipërme është bërë shoqërimi i shtetasit në fjalë në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës, me gjeneralitete të vetëdeklaruarara, me shtetësi marokene, M.N, 29 vjeç”.
“Shtetasi E.V është proceduar penalisht nga ana e Specialistëve për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës për veprën penale ‘‘Plagosja e lehtë me dashje“.
Gjatë ditës nga qytetarë të ndryshëm është telefonuar në Sallën Operative të DVP Durrës të cilët kanë njoftuar se një shtetas i huaj në vendin e quajtur ” Sheshi Pranvera” është konfliktuar me kalimtarë të rastit.
Në vijim të veprimeve grupi hetimor ka sekuestruar edhe pamje filmike.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës garanton çdo qytetar që në rastin e lartpërmendur ka respektuar me rigorozitet të gjitha procedurat ligjore.