Kandidati i PD, Nard Ndoka, i ftuar në Breaking në Top Neës, tha se i kishte paralajmëruar të gjithë se Edi Rama do fitonte zgjedhjet, nëpërmjet blerjes së votës.
Ai tha se tani është koha që opozita të reflektojë mbi defektet dhe të bëhet një analizë e thellë politike.
“E njoh strategjinë e Ramës në detaje, të grupit të tij, i kam paralajmëruar se çfarë do ndodhi. I kam bërë publike qëndrimet e mia për blerjen e votës nga eksponentë të PS dhe z. Doshi. Hera e parë që socialistët dalin në terren dhe blejnë vota. Jemi futur në një terren të minuar ashtu si 4 vite më parë. Rama është kthyer në autokrat tani, që i ka kapur të gjitha institucionet dhe po i përdor të gjitha ato për të fituar zgjedhjet. Ndryshe nga Basha, një lider perëndimor me propozime konkrete, që për hir të realitetit rezultuan të dështuara. Ia kam thënë dhe Bashës,” tha Ndoka.
Çfarë pret nga Basha?
“Kjo është situatë e papritur për shqiptarët dhe politikën në tërësi. Kemi përballë një mazhorancë që vetëm skandale e kanë shoqëruar për 8 vite. Askush nuk e mendoi se do zgjidhej sërish. Kjo ndodhi. Jemi përballë këtij realiteti. Kërkohet reflektim nga Basha dhe gjithë opozitës së bashkuar, për të parë defektet tona. Janë 15 mandate që Rama i ka blerë, janë 7-8 mandate me fletë të pavlefshme në kuti,” tha Ndoka.