Nga Leonard Bakillari
Nuk e kam thënë asnjeherë publikisht, por miqte e mi e dinë që unë në vitin 2013 kam votuar Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Pra shkurt kam qenë 1 nga 1 milion shuplakat kundër qeverisë së PD që sollën Edi Ramen në pushtet.
Unë nuk jam aktivizuar asnjëherë në politike, as kam patur ndonjëherë simpati për ndonjë forcë politike. Madje për herë të parë në jetën time kam votuar në vitin 2013. Arsyet e votës pro Ramës ishin dy. E para kishte të bënte me keqqeverisjen e Partisë Demokratike, qeverisje e cila kishte degraduar në një pikë të tillë që të krijonte një mjedis mbytës. Madje pata edhe një arsye konkrete: Gazeta ku unë punoja u mbyll pas një gjobe qindramilionëshe që u vendos nga administrata tatimore e PD. Kjo për faktin se kjo media mbante qendrim opozitar. Madje mbaj mend asokohe që eksponentë të Partisë Demokratike në qeveri më akuzonin si të Rames. Kjo sepse nuk e kuptonin dot çfarë do të thotë të jesh gazetar. Ndoshta edhe gazetarët i shihnin si militantë.
Dhe arsyeja e dyte kishte të bënte me shpresën për të ardhmen. Mbaj mend zyrtarë të PS në opozitë që dilnin me vezë e kastraveca dhe akuzonin qeverinë e PD për rritjen e çmimit të ushqimeve. I bindur nga programi dhe premtimet e Edi Ramës, besova dhe e votava. Sepse premtimet ishin vërtetë shpresëdhënëse. Heqja e TVSH-së për ushqimet e shportës; ulja e çmimit të naftës, hapja e 300 mijë vendeve të punës; shëndetësia falas; rritja e rrogave dhe pensioneve; zbutja e pabarazisë sociale; stimulimi i të rinjve për një të ardhme më të mirë këtu në Shqipëri duke krijuar mundësi të barabarta për të gjithe. E tje e tje, që ashtu si unë, bindën edhe 999 mijë e 999 shqiptarë të tjerë të votonin Edi Ramën.
Po çfarë ndodhi në të vërtetë?
Ndodhi që menjehërë sapo erdhi në pushtet, Ministri i Brendshëm i asaj kohe filloi të konkretizonte marrëdhëniet me elementët kriminal që e kishin ndihmuar në fushatë. Kulmi arriti në 2016 kur u kanabizua gjithë vendi dhe situata paraqitej si më normalja e mundshme. Më pas shëndetësia jo vetëm që nuk u bë falas, por me firmën e Ilir Beqjas dhe me bekimin e Ramës u dhanë mbi 300 milion euro koncensione në shëndetësi.
Nuk u hapën vendet e premtuara të punës, nuk u krijuan mundësi të barabarta, nuk u ul çmimi i ushqimeve, nuk u ul çmimi i naftës, nuk u sollën investime të huaja, u kriminalizua administrata dhe parlamenti, pra shkurt nuk u mbajt asnjë premtim. Por jo vetëm kaq, Rama dhe njerëzit e tij bënë çmos që gjatë gjithë qeverisjes së tyre të shqyenin dhe rrëmbenin çfarë ju zinte dora dhe ju thoshte mendja, duke fuqizuar pak njerëz rreth tyre. Për të mos përmendur Veliajn që ka masakruar këtë qytet. Pra për çfarë i mori 1 milion vota Rama dhe për çfarë i përdori?
Mandatin e parë e justifikoi me praninë e LSI në qeveri të cilën e quan një bandë hajdutësh që nuk e la të realizonte programin që kishte premtuar gjatë fushatës 2013. Me kazanë, me timon e tepsi, shqiptarët që edhe pse tashmë nuk ishim më 1 milion, por rreth 700 mijë, në 2017 i dhanë një tjetër shans Edi Ramës që të rikuperonte sado pak ato që s’kishte mundur t’i realizonte mandatin e parë.
Por qeverisja vazhdoi të degradonte akoma më shumë dhe nga premtimi për zbutjen e pabarazisë sociale, këto 4 vjet kjo pabarazi u kthye në humnerë. Secili mund ta shoh në xhepin e tij, në buxhetin e familjes, apo edhe në mungesën e mundësive. Është shumë të them që unë i përkas shtresës së mesme, por llogarite për secilin janë të thjeshta. Unë nuk kam biznes, nuk kam të ardhurave të tjera përveç pagave nga dy punë që bëj. Por këto mundësi jo vetëm që s’mi ka krijuar Rama i 1 milion suplakave, por përkundrazi më ka futur dorën në xhep duke më hequr nga rroga mujore nga të ardhurat e familjes time. Kjo me këtë taksimin e famshëm që nuk di cila mendje diallëzore e ka shpikur që une si pagamarrës të paguaj 23% kurse oligarket paguajnë 8% për dividentin që ndajnë.
Nëse mendoni se keni qenë më mirë gjatë këtyre 8 viteve të qeverisjes së Ramës, votojeni. Nese jo, zgjidhni ndryshimin. Më lart janë vetëm disa nga arsyet pse kjo qeveri nuk mund të votohet më, por ka shumë e shumë të tjera që qytetarët e thjeshtë i kanë vuajtur në kurrizin e tyre gjatë këtyre 8 viteve dhe veçanërisht gjatë vitit të pandemisë, kur Oligarkët e shëndetësisë merrnin miliona euro me tendera sekretë, ndërsa qytetarët harxhonin kursimet e fundit të familjes për t’i shpëtuar vdekjes. Ndoshta u zgjata por unë po jap disa nga arsyet e mia përse do votoj ndryshimin më 25 Prill. Secili besoj e kupton diferencën mes atyre që u premtuan dhe atyre që u bënë gjatë këtyre 8 viteve. Në këtë vend nuk ka më njerëz që nuk bëjnë dot dallimin mes të mirës dhe të keqes!