Shqipëria do të duhet ti paguajë 110 milionë euro gjobë biznesmenit italian, Francesco Becchetti, për mbylljen e televizionit pas humbjes së gjyqit në Arbitrazh.
Kandidati për deputet i PD-së, Ivi Kaso, thotë se ka zyrtarë shqiptarë që kanë pasuri edhe më të mëdha se kjo vlerë, ndaj PD mbetet e vendosur për të konfiskuar çdo pasuri korruptive të tyre.
Kaso: Ka zyrtarë që kanë pasuri edhe më të mëdha se 110 milion euro, të deklaruar ose jo, në Shqipëri apo në parajsat fiskale. Shqipërisë nuk i mungojnë ligjet e mira por vullneti për zbatimin e tyre. Në këtë rast ka një ligj që ekziston prej më një dekade, ligji i përgjegjësisë juridike të personave që mbajnë funksione publike.Këtë mekanizëm ne kemi ndërmend ta përsosim. Të gjithë koncesionet dhe praktikat korruptive që i kemi denoncuar do të jenë subjekt i kontrollit dhe verifikimit nga institucionet e pavarura të drejtësisë dhe gjithë zyrtarët që kanë abuzuar me pushtetin e tyre dhe kanë përfituar në kurriz të shqiptarëve jo vetëm të mbajnë përgjegjësi penale por të paguajnë me pasurinë e tyre personale dëmet.
I ftuar në Rtv Ora, Kaso thotë se reforma në drejtësi ka dështuar dhe se opozita me të ardhur në krye të vendit do ti japë një shans të dytë.
Kaso: Procesi i reformës nisi me këmbën e gabuar nga mazhoranca dhe sot 5 vjet pas miratimit të saj ende nuk duket drita në fund të tunelit. Pas 5 vitesh nuk mund të flitet më për reformë. Kur të marrim përgjegjësinë për drejtimin e vendit pas zgjedhjeve të 25 prillit kemi ndërmend ti japim reformës në drejtësi një shans të dytë dhe të vërtetë në mënyrë që reforma të kthehet në qëllimin e vërtetë që ka pasur dhe formën e parë dhe origjinale sesi është plazmuar kjo reformë. Reforma përceptohet si e dështuar për një sërë arsyesh.
Referuar ndryshimeve të njëanshme në kodin zgjedhor, Kaso thotë se Rama dhe PS e kanë humbjen të pashmangshme në 25 prill por po mundohen të shmangin katastrofën.
Kaso: Interesi i vetëm i mazhorancës dhe kryeministrit ishte të ndryshonte formulën e shpërndarjes së mandateve brenda koalicioneve. Maksimumi që mund të arrijë të bëjë është të shmangë katastrofën njerëzore sepse asnjë lloj marifeti nuk ka për ta shpëtuar kryeministrin nga humbja e zgjedhjeve të radhës. Sondazhet i kemi para syve përditë.E dinë mirë se çfarë i pret në datë 25. Çdo tentativë e tyre është drejtuar për të minimizuar humbjen. Nuk ka asnjë truk apo marifet i menduar në tavolinë apo në zyrën e kryeministrit që mund të ndalë opozitën e bashkuar që të prodhojë ndryshimin në zgjedhjet e datës 25 prill, ndryshim të cilit i prin PD dhe Lulzim Basha.