Policia turke nisi një operacion mbarëkombëtar të premten kundër bosit të krimit të organizuar Sedat Peker, duke i dhënë atij një goditje të re që kur ky i fundit nuk shihet më me sy të mirë nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan dhe u largua në Ballkan.
Tepër i ndjekur në rrjetet sociale, 50-vjeçari Peker është i njohur për deklaratat e tij të ashpra nacionaliste, kërcënimet grafike dhe, për një periudhë kohe, për lavdërimin e qeverisë me rrënjë islamike nën drejtimin e Erdoganit.
Ai ka kaluar dy vitet e fundit në Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku gjithashtu ka pasur një përplasje me ligjin.
Në një deklaratë të premten, Departamenti i Policisë në Stamboll tha se policia kishte kontrolluar 121 adresa në shtatë qytete turke, duke arrestuar 49 persona nga një listë prej 63 personash për të cilët dyshonin se ishin anëtarë të atij që quhej “Grupi i Krimit të Organizuar Sedat Peker” . Peker nuk ishte mes tyre pasi besohet të jetë jashtë vendit, tha policia.
Grupi dyshohet për grabitje, ryshfet, lëndime trupore, rrëmbime dhe kërcënime ndaj njerëzve.
Peker ende nuk kishte komentuar ende mbi operacionin në kohën e publikimit.
“Do të lahemi me gjakun tënd”
Bir i një familje emigrantësh me origjinë nga Kaukazi, Peker u arrestua në 2005 dhe u dënua në 2007 për krijimin dhe drejtimin e një organizate kriminale, grabitje dhe falsifikim. Ai u dënua me 14 vjet burg, i cili më vonë u ul në 10.
I liruar në vitin 2014, Peker u bë një mbështetës i zëshëm i Erdoganit, duke përdorur rrjetet sociale për të komentuar mbi nacionalizmin dhe historinë turke dhe për të bërë kërcënime kundër intelektualëve, politikanëve të opozitës dhe rivalëve kriminalë.
Peker mburret me më shumë se 1,6 milion ndjekës në Facebook, gati një milion ndjekës në Instagram, më shumë se 215,000 në Twitter dhe gati 100,000 në YouTube.
Në 2016, ai doli në gjyq për një kërcënim kundër një grupi akademikësh të cilët kishin nënshkruar një peticion që kërkonte t’i jepte fund konfliktit gati katër dekadash midis forcave qeveritare dhe Partisë të Punëtorëve të Kurdistanit, PKK.
“Do t’jua derdhim gjakun lum dhe do të lahemi në gjakun tuaj”, tha Peker në një mesazh të postuar në llogaritë e tij në rrjetet sociale. Një gjykatë e liroi Pekerin nga çdo keqbërje në korrik 2018.
Ai gjithashtu ka shënjestruar kritikët dhe kundërshtarët e sundimit gjithnjë e më autoritar të Erdoganit. Në korrik 2017, ai kërcënoi se do të varte në stizat e flamujve dhe në pemë çdo anëtar të lëvizjes Gulen e akuzuar nga autoritetet se organizoi një grusht shteti të dështuar një vit më parë.
Peker u takua me Erdoganin në një pritje në 2015, ku biseduan dhe bënë fotografi.
Por duket se ai nuk u pa me sy të mirë dhe në vitin 2019 Peker njoftoi se ishte vendosur në Malin e Zi për arsim dhe qëllime biznesi. Ai hodhi poshtë çdo raportim se kundër tij ishte lëshuar një urdhër arresti.
“Nuk u arratisa nga Turqia, u vendosa jashtë vendit”, shkroi Peker në faqen e tij të internetit.
Ai për herë të fundit e vizitoi Turqinë në vitin 2020, por u detyrua të priste për orë të tëra nga policia kufitare në aeroportin e Stambollit. Në atë kohë, Peker akuzoi dhëndrin e Erdoganit dhe ministrin e atëhershëm të financave të Turqisë, Berat Albayrak, se donin ta fusnin atë pas hekurave.
Telashe me pasaportën
Munir Kolasinac, udhëheqësi i Partisë Boshnjake në Mal të Zi (djathtas), Sedat Peker (në mes) dhe Enes Ibrahim, udhëheqësi i Partisë së Lëvizjes Turke në Maqedoninë e Veriut (majtas). Foto: Facebook/Sedat Peker.
Në Ballkan, Peker është takuar rregullisht me liderë etnikë turq, boshnjakë myslimanë dhe shqiptarë. Në tetor 2019, ai u takua me zv/kryeministrin e atëhershëm të Malit të Zi, Rafet Husoviç, dhe Ministrin e Transportit Osman Nurkoviç, me zyrën e Husoviçit që tha se Peker kishte sjellë në Mal të Zi një grup investitorësh të mundshëm.
Peker, shpesh i rrethuar nga truproja, gjithashtu kaloi kohë në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri, duke u takuar me politikanë vendas, përfshirë këtu Enes Ibrahimin, kreun e Partisë së Lëvizjes Turke në Maqedoninë e Veriut, Fikrim Damkën, kreun e Partisë Demokratike Turke të Kosovës dhe, në Mal të Zi me kreun e Partisë Boshnjake Munir Kolasinaç.
Por Pekeri pati përsëri probleme me ligjin.
Në janar, ai u arrestua në Maqedoninë e Veriut dhe më vonë u dëbua në Kosovën fqinje pasi kaloi limitin prej 90 ditësh të vizës së tij. Në Kosovë, autoritetet i thanë BIRN se Peker kishte një leje qëndrimi të përkohshme biznesi të lëshuar në vitin 2014.
Të martën, autoritetet në Maqedoninë e Veriut urdhëruan arrestimin e të paktën nëntë oficerëve të policisë nën dyshimin se kanë dhënë pasaporta të rreme për shtetas të huaj, mes tyre Pekeri.
Ministri i brendshëm tha se Peker ishte pajisur me një pasaportë nën identitetin e rremë të banorit të Shkupit Djadin Ademovski.
Të enjten, raportet e mediave në Maqedoninë e Veriut thanë se avokatët e Pekerit ishin shprehur se ai nuk kishte përdorur mjete identifikimi të rreme. /BIRN/