Struktura e Partisë Demokratike, ka kujtuar këtë të hënë, 22 marsin e vitit 1992, ditën e fitores së zgjedhjeve të para të demokratëve.
Lideri i PD, Lulzim Basha në fjalën e këtij në këtë aktivitet foli mbi vizionin që ka pasur PD gjatë 29 viteve më parë, ku thirrja e tyre ishte “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
Basha tha se PD ka bërë disa angazhime historike kur ka qenë në krye të vendit, si lëvizja pa viza në Eropë dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Basha theksoi, se është premtim i tij që të dërgojë përpara ëndrrën e kahershme të Shqiptarëve, për ta parë Shqipërinë në Bashkimin Europian.
“Të nderuar zonja dhe zotërinj, demokratë dhe demokrate, themelues, drejtues, fitimtarë të betejave të Partisë Demokratike në vite. Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të ndodhemi bashkë sot, ndonëse në këtë realitet diktuar virtualisht nga pandemia për të kujtuar 22 Marsin, ditën e madhe të demokracisë në Shqipëri. Pas një terri të gjatë dhe pas një rrugëtimi në tunel të errët, drita e shpresës shënoi fillimin e udhëtimit tonë drejt Shqipërisë europiane. Fitorja e parë e zgjedhjeve nga Partia Demokratike, është një ditë domethënëse jo vetëm për ne demokratët, po për të gjithë shqiptarët. Ajo ishte ora e ndarjes përfundimtare me diktaturën dhe fillimi i një procesi të ri, vërtet të gjatë dhe të lodhshëm, por të domosdoshëm për një vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian. 22 Marsi, kjo ditë e shpresës, ditë e fitores, kthehet sot në një frymëzim dhe angazhim të ri për ne që të japim gjithçka që kemi për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë. Rrugëtimi ynë nuk ka qenë i lehtë. Ka patur dhe padyshim që do të ketë vështirësi edhe në të ardhmen, por ne demokratët kemi treguar që jemi seriozë dhe këmbëngulës në ato që bëjmë. Gjatë qeverisjes tonë, ne iu mundësuam shqiptarëve lëvizjen e lirë dhe pa viza në Europë. Ne e anëtarësuam Shqipërinë në NATO. Ne e afruam vendin edhe më shumë me Bashkimin Europian ku sot për fat të keq e shohim që ky proces ka 8 vite që ka ngecuar në vend për shkak të keqqeverisjes, për shkak të një kryeministri që mendon vetëm për veten dhe për oligarkët e tij. Sot ne bashkohemi të gjithë me një mision të vetëm: ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo e keqe që e ka mbërthyer dhe që e mban peng. Sot së bashku me ju, të gjithë që jeni të pranishëm në këtë takim mbi themelet që u ngrit dhe qëndron fort kjo parti me aspiratat tuaja, me fëmijët tuaj, me fëmijët e gjithë Shqipërisë, ne do ta bëjmë realitet këtë ëndërr të shqiptarëve. Ju që jeni sot në këtë takim, jeni dëshmi e gjallë dhe dëshirës për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, askush nuk na e mësoi, askush nuk j’ua mësoi shprehjen; “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ajo lindi dhe u ngrit natyrshëm si një dëshirë e ndrydhur thellë në shpirtin tuaj, si një dëshirë e marrë peng nga një regjim i pashpirt. Më 22 mars 1992, e duam Shqipërinë si gjithë Europa ishte thirrja që i buronte nga shpirti i çdo shqiptari i cili flaku tutje zinxhirët e skllavërisë së diktaturës duke e parë të ardhmen tonë drejt perëndimit, drejt Europës. Sot në këtë takim me pjesëmarrjen tuaj, në sytë tuaj, unë dhe çdo shqiptar lexojmë shpresën dhe dëshirën që t’i afrohemi sa më shumë dhe sa më shpejtë Europës. E di që të gjithë do të donit më shumë se kaq, të gjithë shqiptarët duan që ne ta përmbyllim sa më shpejt këtë mision historik që t’i bëjmë realitet ëndrrat tuaja të kahershme, ëndrrën e të gjithë shqiptarëve. Ky është angazhimi ynë, ky është angazhimi im dhe të gjithë së bashku do t’ia dalim. Ju falënderoj nga zemra për të gjithë angazhimin tuaj që ditët e para të kësaj beteje të pashembullt e cila ka dhe do të ketë vetëm një përfundim: mposhtjen e të keqes dhe fitoren e ëndrrës të shqiptarëve të bashkuar, rinisje në rrugëtimin tonë drejt Europës, fitoren e çdo familjeje Shqiptare dhe të Shqipërisë! Ju faleminderit”, tha Basha.