Nga Ivana Kottasova and Valentina Di Donato, CNN
Europa e ka humbur shansin e saj për të ndaluar valën e tretë të epidemisë së koronavirusit para se të dilte jashtë kontrollit. Tani po paguan një çmim të lartë, me bllokime të reja që po imponohen në të gjithë kontinentin.
Të enjten në mbrëmje, Franca njoftoi kufizime të reja në 16 rajone, përfshirë Parisin dhe Nicen, megjithëse Presidenti Emmanuel Macron ka refuzuar të rivendosë një bllokim kombëtar ndërsa rastet rriten.
Të hënën, pjesë të mëdha të Italisë, përfshirë Romën dhe Milanon vendosën masa të ashpra, ndërsa në Spanjë, të gjitha rajonet përveç Madridit kanë vendosur të kufizojnë udhëtimet gjatë Pashkëve.
Berlini nuk do të lehtësojë masat, pas rritjes të rasteve me Covid-19.
Kritikët thonë se kufizimet e reja janë vendosur shumë vonë dhe se problemet aktuale të Europës mund të gjenden tek politikanët shumë të etur për të filluar lehtësimin.
“Vala e dytë nuk mbaroi, masat u lehtësuan shumë shpejt, ” tha për CNN epidemiologia franceze Catherine Hill.
Ajo tha se nivelet e infeksionit mbetën në një nivel të lartë. “Kohët e fundit shtrimi në njësitë e kujdesit intensiv është rritur dhe situata tani është kritike në disa pjesë të vendit, përfshirë Parisin.
Një variant më ngjitës i virusit , i njohur si B.1.1.7, duket se është fajtori i përbashkët pas kaosit. Të dhënat e reja të botuara në British Medical Journal sugjerojnë që varianti, i zbuluar për herë të parë vitin e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar, mund të jetë gjithashtu më vdekjeprurës .
Alessandro Grimaldi, drejtori i sëmundjeve infektive në Spitalin Salvatore në qytetin italian të L’Aquila, tha për CNN se varianti i ri më ngjitës kishte “ndryshuar lojën”, duke shtuar se “në mënyrë të pashmangshme, masat e marra për të parandaluar infeksionin duhet të bëhen të jenë më të ashpra.”
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi për një rrezik të tillë, gati dy muaj më parë, kur u bë e qartë se varianti i MB ishte duke qarkulluar në pjesën më të madhe të Europës.
Qendra gjermane për kontrollin e sëmundjeve njoftoi më 10 mars se varianti në Mbretërinë e Bashkuar ishte bërë lloji dominues në Gjermani.
Varianti i ri është gjithashtu përgjegjës për shumicën e rasteve të reja në Francë dhe Itali, sipas zyrtarëve shëndetësorë. Në Spanjë, B.1.1.7 është tani lloji dominues në nëntë nga 19 rajonet e vendit.
Situata e përkeqësuar në Europë duhet të jetë një paralajmërim për Shtetet e Bashkuara. Varianti që shkakton një krizë të ripërtërirë në të gjithë kontinentin po përhapet shpejt në SHBA. Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë parashikuar se do të bëhet lloji dominues në Shtetet e Bashkuara deri në fund të këtij muaji ose në fillim të prillit.
Por ka një arsye tjetër pse ekspertët amerikanë janë të shqetësuar për atë që po ndodh në Europë tani.
Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja të gjithë shmangën kulmin e infeksioneve që kishin paralizuar Mbretërinë e Bashkuar pas Krishtlindjeve.
Me fillimin e vaksinimit në të gjithë kontinentin, njerëzit kishin filluar të shihnin dritën në fund të tunelit.
Por ndërsa tendencat dukeshin premtuese, numri i rasteve ishin akoma shumë të larta. Dhe ky u bë një problem i madh kur filloi vala e re – duke i bërë të domosdoshme bllokimet e reja, tha Grimaldi.
Ai tha se të dhënat nga një studim i fundit nga Universiteti në Bolonjë kanë treguar se masat më të rrepta të bllokimit, të referuara si “zonat e kuqe” në Itali funksionojnë – duke çuar deri në 91% rënie të numrit të të infektuarve me Covid-19.
Vonesa në vendimin për të vendosur bllokime mund të jetë vdekjeprurëse.
Zyrtarët amerikanë të shëndetit publik janë të shqetësuar se SHBA po shkon në të njëjtin drejtim – me disa shtete që kanë filluar të lehtësojnë masat e sigurisë edhe kur numri i rasteve mbetet i lartë.
Ai vuri re se pas rënies premtuese të rasteve me Covid-19, disa vende europiane lehtësuan masat duke çuar në rritjen e rasteve.
Mike Tildesley, një ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin Warwick dhe një këshilltar shkencor i qeverisë britanike, tha se ngadalësimi i fushatës së vaksinimit në shumë vende europiane do të thotë se ata po përballen me një rrezik më të madh në rritjen e rasteve.
Grimaldi tha se ndërsa vaksinimi luan një rol të madh në luftën kundër epidemisë, edhe masat duhet të jenë të njëjta, sepse sa më shumë që virusi vazhdon të përhapet në popullatë, aq më i lartë është shansi që situata të rëndohet edhe më tej.
“Virusi do të përpiqet të mbijetojë pavarësisht vaksinës, kështu që bllokimet janë me të vërtetë mënyra e vetme për të ndaluar qarkullimin e tij,”tha ai.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të enjten se fushatat e vaksinimit të Europës nuk po ngadalësojnë ende transmetimin e koronavirusit.
Kontinenti regjistroi më shumë se 1.2 milion infeksione të reja javën e kaluar dhe më shumë se 20,000 njerëz në javë po vdesin nga Covid-19.
“Numri i njerëzve që vdesin nga COVID-19 në Europë është më i lartë tani në këtë periudhë se sa vitin e kaluar,” tha Dr. Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Europën .
Dhe pandemia është “duke lëvizur drejt lindjes”, shtoi Kluge, me normat e infeksioneve dhe viktimave në Europën Qendrore, Ballkanin dhe vendet Baltike ndër më të lartat në botë.
Një model i ri i botuar në revistën Lancet të enjten tregoi se vaksinimet mund të mos jenë të mjaftueshme për të mbajtur nën kontroll epideminë.
Hill, epidemiologia francez, shtoi se testimi duhet të mbetet gjithashtu një pjesë kryesore e strategjisë.
“Për të mbajtur nëm kontroll epideminë duhet të testohet masivisht popullsia për të gjetur dhe izoluar bartësit e virusit,” tha ajo.
Vala e re nuk është e kufizuar në Europë. Numri i rasteve është rritur 10% në rang global gjatë javës së kaluar në mbi 3 milion raste të reja të raportuara, sipas raportit të fundit të OBSH.
Numri i rasteve të reja arriti kulmin në fillim të janarit, por më pas ra për katër javë rresht përpara se të rritej përsëri në tre javët e fundit. Numri i njerëzve që vdesin është ende në rënie dhe ka rënë në nën 60,000 javën e kaluar, hera e parë që nga fillimi i nëntorit. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al