Drejtuesja e prokurorisë së Kukësit Rita Gjati ka kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre tre anëtarët e trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa, Alma Faskaj dhe Lulezim Hamitaj për shpërdorim detyre.
Arsyeja?
Prokurorja e komanduar në rolin e drejtueses në verilindje të vendit, pretendon se njëri nga anëtarët nuk ka qenë në Shqipëri në momentin kur është refuzuar kërkesa e saj për marrjen në konsideratë të dokumenteve shtesë në kuadër të procesit të verifikimit që po kryhet kundrejt figurës së saj në tre shtylla e vettingut.
Anëtarët e KPK-së kanë refuzuar të marrin si provë disa shkresa që prokurorja i ka paraqitur pranë këtij organi dhe për këtë arsye ka ardhur edhe kallëzimi penal për shpërdorim detyre, raporton abcnews.
Por ku bazohet prokurorja që njëri nga anëtarët nuk ka qenë në Shqipëri në momentin që kërkesa e saj për marrjen në shqyrtim të materialeve shtesë është refuzuar? Në shkresë, prokurorja Gjati tregon si u njoftua se në 10 shkurt kur KPK mori vendimin kundër saj, njëri nga anëtarët ishte jashtë vendit.
“Jam njoftuar nga avokati im se një person i panjohur në datë 5 mars i ka dorëzuar një zarf ku brenda së cilit ka qenë një fotokopje e sistemit TIMS ku provohet se njëri nga anëtarët e trupës gjykuese nuk ka qenë prezent te tre anëtarët e komisionit ditën kur është marrë vendimi”, thotë ajo në kallëzim, por nuk e specifikon se cili është ai.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shtyu të martën me një ditë seancën dëgjimore ndaj prokurores Rita Gjati, pas kërkesës së kësaj të fundit për përjashtim të trupës që kryesohej nga Alma Faskaj, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtar Lulzim Hamitaj.
Përfaqësuese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ishte Elka Ermenkova. Ndërkohë, Gjati ishte e pranishme në seancë e shoqëruar nga avokati Saimir Visha.
Sipas BIRN, pa u lexuar plotësisht procedura dhe menjëherë pas përfundimit të prezantimit të trupës dhe palëve, avokati Saimir Visha kërkoi përjashtimin e trupës së komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që kishte hetuar klienten e tij, prokuroren Rita Gjati.
Visha pretendoi se kryesuesja e trupës nuk kishte qenë e pranishme në marrjen e një vendimi të ndërmjetëm, pasi kishte qenë jashtë Shqipërisë dhe hodhi dyshime për njëanshmëri të trupës.
Duke iu drejtuar Faskajt, Visha tha se ajo ishte larguar nga Shqipëria dhe nuk kishte qenë e pranishme në datën kur ishte marrë nga KPK një vendim i ndërmjetëm për të refuzuar kërkesat e bëra nga Gjati. Sipas avokatit, kjo vinte në dyshim njëanshmërinë e trupës, duke përjashtuar Faskajn nga përgjegjësia. Ai këmbënguli se vendimi i ndërmjetëm që fillimisht u ishte dorëzuar pa firmë ishte “absolutisht i pavlefshëm”.
Trupa nuk reagoi pas kërkesës së Vishajt dhe dyshimeve të ngritura prej tij, por vëzhguesja e ONM-së, Elka Ermenkova kërkoi fjalën dhe kërkoi që fjala e saj të shënohej në procesverbal.
Ermenkova sqaroi se mbledhja e KPK-së në të cilën ishte marrë vendimi i ndërmjetëm ishte zhvilluar online dhe se të pranishëm kishin qenë të gjithë anëtarët si dhe ajo vetë.
Ermenkova tha se për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, kjo ishte një praktikë procedurale që po ndiqej nga gjykatat në të gjithë botën, të cilat po zhvillonin edhe dëgjesa në mënyrë virtuale.
Pas fjalës së vëzhgueses së ONM, trupa u mblodh për vendim dhe njoftoi shtyrjen e seancës derisa një trupë tjetër e KPK-së të vendoste mbi kërkesën për përjashtim.