Nga Ilir Kalemaj
Një nga tre komponentët kryesorë të një beteja elektorale janë natyrisht dhe listat e kandidatëve me të cilat partitë paraqiten në zgjedhjet parlamentare. Listat e momentit të fundit shkaktuan si zakonisht habi, konfuzion, kritika nëpër dhëmbë dhe të hapura, pakënaqësi të fshehura dhe publike, zukamë, çoroditje dhe vende-vende dhe neveri. Nuk kishte si të mungonin dhe në këto palë zgjedhje kandidatë që ndërrojnë jo vetëm partinë por edhe kahun politik në çdo palë zgjedhje si në pazar të Roskovecit apo të fortë të zonave që ende vijojnë të preferohen ndaj figurave të ardhura nga bota universitare.
Këta të fundit vijojnë ende përdoren rëndom si shenjë apo simbol por jo si vlera të shtuara në mendim dhe artikulim. Nuk munguan as partitë satelite, partitë fantazma apo ato fort të sponsorizuara për të dëmtuar elektoralisht kundërshtarin politik.
Ndër partitë e mëdha ajo që u vu re te Partia Socialiste është që i’u përmbajt premtimit për të pasur minimumi 20 përqind prurje të re, për disa figura simbolike si Bozo dhe Çomo në Tiranë apo Krashi në Dibër, por pa një metodologji të qartë dhe koherëncë politike për ata që u zëvendësuan apo u spostuan në lista në zona jo-fituese. Fjala bie, cili ishte kriteri që hoqën profesorë si Eglantina Gjermenin nga Durrësi dhe Elona Gjebrenë apo Besnik Baren nga Tirana, por lanë Ndraxhin, Çyrben apo apo Rrahjen në Durrës apo ca sivëllezër të tyre në Tiranë? Apo që spostuan në zona jo-fituese Pandin, Mimin, Ulqini apo Angjelin që në njëfarë mënyre përfaqësonin një bosht politik të partisë socialiste ndër vite? Apo dhe përjashtuan totalisht nga gara Ditmir Bushatin që vetë kryetari i partisë edhe në mbledhjen e djeshme të kryesisë e përsëriti që kishte qenë ministri më i mirë dhe i suksesshëm i tij?
Ndërkohë për të paqtuar zërat kritikë vetë Rama, Taulant Balla dhe Gramoz Ruci u pozicionuan në pozicione ne zonën e riskut në të paktën katër qarqe por duke pasur parasysh staturën e tyre në parti, ky është një rrezik simbolik pasi natyrisht të tre do të mbledhin shumë më tepër vota nga militantët dhe simpatizantët socialistë për të qenë rehatshëm mbi mesataren e votave të qarkut për të qenë deputetë të sigurtë.
Partia Demokratike arriti të suprizojë edhe njëherë me shpalljen e listave në limitet e kohës ku nuk mungonin befasitë nga bota akademike vençarisht në qarqet Lezhë dhe Elbasan por edhe mungesat që binin në sy si rastet e Pollos, Boçit, Bozdos apo Kadillit fjala bie. Natyrisht diferenca me PS-në këtu është që janë përzgjedhur figura politike që të udhëhequr listat në të 12 qarqet kurse në rastin e PS-së është ëprzgjedhur strategjia që drejtuesit politikë të jenë në zonën e zjarrit apo edhe teorikisht pa asnjë shans në rast se partia ngelet në opozitë si rasti i Çuçit në qarkun Gjirokastër.
LSI po ndjek një strategji për t’i besuar edhe më tepër të rinjve dhe brezit të mesëm të kësaj partie me Xhixhon, Brahimllarin, Mehmetaj apo Gjoshën në lista që kosniderohen si fituese, por edhe me befasi si rasti i Shehajt në Tiranë që u la e fundit ndonëse u promovua fort kohët e fundit si prurje e re. Ndërkohë që ende nuk ka një fabulë politike apo edhe tharrmin minimal ideologjik që të arrijë të tërheqë votues të rinj përtej pjesës pragmatike e të qënurit patjetër pjesë e tryezës së nesëme të pushtetit. Ndër partitë e tjera, ajo që duket se ka negociuar më suksesshëm duket PDIU e cila përvec Idrizit dhe Dodës në Tiranë duket se ka shanse për të pasur fitues edhe në listat e koalicionit të përbashkët me PD-në në qarqet Vlorë dhe Fier.
Ky është një lexim i sipërfaqshëm i emrave me të cilat partitë kryesore në mazhorancë dhe opozitë paraqiten në këto zgjedhje por natyrisht që rëndësi primare ka programi politik, mënyra si komunikohet ky program, lidershipi politik dhe se sa besim gjeneron si dhe alternativa për zhvillimin e qëndrueshëm në katër vitet e ardhshme.
*Shkruar enkas për BoldNews.al