Për Eraldo Çinarin, goli ndaj Laçit ishte i katërti pas rikthimit, duke treguar formën e mirë që po kalon. Mirëpo, barazimi ia zbeh disi gëzimin, me shkodranin që priste tri pikët në këtë ndeshje. Për mediat në përfundim të takimit ai pohoi se ishte një përballje e luftuar dhe ka besim se pak e nga pak do të arrijnë edhe vendin e parë.
Ndeshja – “Ishte një ndeshje e luftuar nga të dyja palët. Besoj se duhet të shfrytëzonim më shumë rastet që kishim dhe mund të dilnim me një tri pikësh. Nuk jemi të kënaqur, sepse duhet të merrnim maksimumin e pikëve, por e rëndësishme nga ana tjetër është që nuk humbëm”, u shpreh fillimisht shkodrani.
Ecuria– Në lidhje me ecurinë, ai pohoi se ka qenë e mirë dhe duhet të vazhdojnë me këtë rrugë, duke besuar tek fitorja ndaj Apolonisë. “U bënë disa ndeshje që nuk po humbim, ku këtë takim kishim një kundërshtar të fortë si Laçi që vinte pas një serie fitoresh dhe ishte një nga ekipet e momentit bashkë me ne. Duhet t’i marrim seriozisht ndeshjet në vijim dhe të marrim maksimumin e pikëve. Për vend të parë, besoj se të gjitha skuadrat aty-aty do jemi.
Sfida e radhës- “Apolonia? Ndoshta e lehtë në letër siç thoni ju, por ne do përgatitemi maksimalisht që të shkojmë atje edhe për të marrë tri pikët”, përfundoi 24 vjeçari prononcimin e tij.