Aktorja e njohur Ema Andrea ka folur hapur dhe ka pranuar se është ngacmuar seksualisht në punë. Gjatë një interviste për DW, ajo rrëfeu se ka pasur meshkuj që e kanë përdorur pushtetin e tyre “për të mos i dhënë atë që ka merituar ku ka pasur nevojë”.
“Kam pasur nga të dyja rastet si, bashkëpunëtorë burra që kam punuar mirë, jam respektuar për profesionin, kemi ecur përpara shumë mirë.
Si dhe ato raste kur pamundësia, refuzimi apo çdo gjë tjetër që ka qenë kompleksive në personin që ka pasur pushtet, e ka përdorur këtë pushtet ose këtë ‘Jo’ ose këtë refuzim, për të mos më dhënë atë që meritoj kur kam pasur nevojë,”– tregoi aktorja.
Ema Andrea u shpreh se nuk është ndjerë viktimë, pasi gjithmonë i ka refuzuar por kur përballej me ngacmime seksuale i ngrinte pyetje vetes “se ku ishte gabimi i saj dhe çfarë bëri që i krijoi idenë se mund të donte të krijonte një raport banal”.
Aktorja, e cila sot është mjaft e suksesshme, theksoi se ngritja në karrierë dhe të ecurit përpara ka qenë e vështirë për të, por kjo gjë e ka bërë më të fortë. Ndërsa shtoi se kjo ka bërë që humbasë mundësi që i ka merituar.
“Në fillim nuk e kupton, thua ‘ku është gabimi im?’. Ja, kjo është pyetja që të lodh shumë: ‘Çfarë bëra unë që t’i krijoj idenë se kam aq nevojë sa të mund të krijoj raporte banale?”
Ka qenë e vështirë ngritja e karrierës, ecja përpara, të konsideruarit, të pranuarit në profesion. Gjë që më ka bërë më të fortë, më ka bërë të kërkojë forma të tjera të reja. Por kur largohem në distancë kuptoj që kam humbur mundësi që i kam merituar. Dhe kjo natyrisht që e ka bërë më të vështirë. Paguan me vetmi, paguan me paragjykim, paguan me përjashtim”,– përfundoi Ema Andrea.