Çdo orë nga një i shtruar me koronavirus në spitalet COVID. Ky është bilanci i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë për 24 orët e fundit në Shqipëri, ku u arrit edhe numri rekord i viktimave.
Dje ishin 594 pacientë në spitalet COVID, ndërsa sot +24, duke kapërcyer në 618 të shtruar. 36 pacientë janë në terapi intensive, nga të cilët 12 janë të intubuar.
Sot u shënuan 19 viktima duke arritur rekordin e fataliteteve të regjistruar vitin e kaluar. Por shqetësim mbetet fakti që numrat që prej fundit të muajit janar vijojnë që të jenë në rritje alarmante.
Të dhënat tregojnë për rritjen e agresivitetit të virusit, por konfirmimi nga laboratorët e huaj nuk ka mbërritur ende.
Në një intervistë për Tv Klan, zv/ministrja e Shëndetësisë, njëherësh edhe anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Eugena Tomini tha se nuk përjashtohet mundësia që rritja e infektimeve të ketë ardhur për shkak të prezencës së mutacioneve të reja të Covid.
Mostrat e dërguara në Berlin janë edhe ato të ri-infektimeve.
“Mund të kemi një qarkullim të mutacioneve britanik dhe Afrikës së Jugut. Detektimi i rasteve të riinfektimit apo ekspozimit sërish drejt virusit ka bërë që mostrat e personave të riinfektuar apo kanë shfaqur shenja klinike të dërgohen në Berlin”.
Aktualisht Shqipëria ka një transmetueshmëri të shtuar të virusit.
“Situata është delikatë për rastet e konfirmuara me Covid-19. Edhe në javët në vijim sipas projeksioneve janë javë kritike delikate për Covid. Në varësi të fluksit, incidencës dhe pozitivitetit të rasteve do hapen edhe spitalet rajonale”.
Tomini thotë se jemi larg imunitetit të tufës jo vetëm në Tiranë, por në rang kombëtar. Deri tani nuk është vendosur për ndryshim të masave nga Komiteti Teknik të Ekspertëve.
Problem mbetet transporti publik dhe bar-restorantet, për të cilat zv/ministrja Tomini tha se janë në monitorim të vazhdueshëm.