“Në fillim na thanë që maskat nuk funksionojnë. Më pas ndodhi e kundërta. Tani duket se vetëm një s’mjafton”, kështu nis një artikull i Daily Mail, ku flitet për trendin më të ri, atë të vendosjes së dy maskave në të njëjtën kohë, trend ky i cili nisi në Amerikë.
Presidenti Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris u fotografuan teksa mbanin dy maska mbrojtëse, në një kohë kur këshilltari kryesor mjekësor i vendit, Dr. Anthony Fauci, prej muajsh deklaron se vendosja e vetëm një maske nuk e siguron mbrojtjen e duhur nga Covid-19.
Po kështu, javën e shkuar, ekspertët e shëndetit amerikan rekomanduan zyrtarisht që qytetarët të mbanin dy maska, duke argumentuar se kjo mund të zvogëlojë përhapjen e mundshme të grimcave të virusit. Udhëzimi erdhi pasi vëzhguesit shëndetësorë të SH.B.A.’së, nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), testuan një numër mënyrash të ndryshme, sa i takon mbajtjes së maskës.
Ata vunë re se vendosja e një maske kirurgjikale dhe e një tjetre, leckë neutralizoi 92 përqind të grimcave që dilnin nga goja, në krahasim me vetëm një maskë kirurgjikale, që ia doli të bllokonte 42 për qind të grimcave.
Ekspertët britanikë të viruseve sugjerojnë që maska e dyfishtë duhet të vendoset me detyrim edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Dr Julian Tang, një konsulent virolog dhe profesor i asociuar nderi në Departamentin e Shkencave të Frymëmarrjes në Universitetin e Leicester, beson se strategjia në fjalë do të ishte një mjet efektiv për të mbyllur “një vrimë të rrezikshme”.
“Sa më i madh numri i maskave që vendosni, aq më shumë shanse do të keni të bllokoni përhapjen e grimcave të virusit”– u shpreh ai.
Udhëzimi zyrtar në Mbretërinë e Bashkuar për maskat thotë se këto të fundit duhet të përshtaten mirë në fytyrë për të mbuluar gojën dhe hundën. Gjithashtu rekomandon që maskat të bëhen me të paktën dy shtresa pëlhure.
Maskat e gradës kirurgjikale bëhen zakonisht me një shtresë të trefishtë, por shumë maska të bëra me dorë apo të blera në internet janë vetëm me një shtresë.