Nga Ilir Kalemaj
Lëvizja Vetvendosje qysh prej themelimit të saj si një levizje sociale deri te shndërrimi si parti politike, nga protestat në Merdare dhe Dheu i Bardhë për të vendosur një bllokadë ndaj mallrave serbe deri te hedhja e gazit lotsjellës në kuvendin e Kosovës që solli dhe penalizimin e pakuptimtë si prijës i listës të vet Albin Kurtit në këto zgjedhje, ka ruajtur një identitet politik solid. Një identitet që entuziazmon ithtarët, tërheq të lëkundurit dhe zhgënjen kritizerët.
Kjo parti që lindi si një lëvizje sociale, por që nuk pati fatin e simotrave të saj gjëkundi (fjala bie lëvizja “Mjaft” e kthyer në një parti politike të pasuksesshme G99), u kthye brenda një kohe shumë të shkurtër në partinë e parë më të madhe në Kosovë dhe së fundmi dhe në zërin kryesor opozitar në vend. Një platformë e lëvizshme opozitare siç e kishte përkufizuar vetë Kurti, duke i’u referuar filozofisë së vetë kësaj force që shkon aty ku nevoja apo zëri për të protestuar i qytetarëve është. Pra nëse një grup qytetarësh bllokoheshin në pikë kufitare, dikujt i kërkohej ryshfet në një zyrë administrate, apo për të sensibilizuar masat me “bli shqip” apo për të kundërshtuar fuqishëm proceset e demarkacionit apo Zajendicës, Vetvendosja ka qenë aty për të bërë të ndjehet prania e saj, për të dhënë mbështetje morale dhe për të rritur peshën specifike të saj si një forcë e zëshme politike.
Kjo, së bashku me daljen në skenë të një sërë figurash të tjera, të reja dhe dinamike (përveç vetë Kurtit) ka bërë që brenda një kohe të shkurtër, kjo forcë të pozicionej qartë në skakierën politike të vendit dhe me të drejtë të kërkonte të ishte forcë e parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend. Pavarësisht gjithë këtyre faktorëve, Vetvendosja ka disa probleme të cilat shkurtimisht po i ravijëzojmë si më poshtë.
Disa kufizime ngelen gjithsesi pavarësisht vlerës së shtuar që solli dhe presidentja në detyrë Vjosa Osmani duke shtuar gravitet dhe peshë elektorale. Së pari, kjo forcë politike ende nuk e ka bërë kthimin dhe shndërrimin e saj identitare nga një parti populiste, e aftë të mobilizojë në kohë reale mbi njëzet-tridhjetë mijë pjesëmarrës në shesh, në një forcë të mirëfilltë politike, me një agjendë të vërtetë qeverisëse dhe me plan konkret për zhvillimin e vendit.
Është një anë e medaljes të kritikosh çfarë nuk shkon mirë në politikën institucionale të shtetit të ri të Kosovës, gabime, gafa, politika të gabuara të qeverisjes aktuale, nivele korrupsioni galoponte, kapje të shtetit nga interesa okulte, privatizim dhe shitje të aseteve shtetërore për të mbuluar vrimat e zeza të buxhetit, ndër-varje thuajse fatale ndaj investimeve të huaja të cilët natyrisht nuk vijnë aty në rolin e filantropëve, apo politikë e jashtme e pazëshme. Të gjitha këto arsye të mira për të protestuar, por po aq edhe për të justifikuar ngritjen e një aksioni politik konkret, me propozime reale dhe politika alternativëve bindëse në rast së Vetvendosja kthehet në forcë të parë me Albinin kryeministër.
Cila do jetë marrëdhënia e tyre me ndërkombëtarët? Me fqinjët, përfshirë Serbinë? Në lidhje me investimet e huaja, asetet ndërkohë të privatizuara (pra a do respektojnë kontratat ekzistuese apo jo?), me luftën ndaj varfërisë, me planin për shpëtimin e fondeve të pensionit e kështu me radhë. Këto nuk janë pyetje abstrakte, por konkrete për të korrektuar sa më shpejtë defiçitin buxhetor, atë të tregtisë me jashtë, nivelin e borxhit dhe parandaluar recesionin ekonomik.
Këto na çojnë te problemi numër dy që është kundërthënia ideologjike që kjo forcë politike ngërthen në sendërtimin e saj. Duhet risjell në vëmendjen e lexuesit boshti nacional-majtist që kjo parti ka si gur themeli të saj. Nëse deklaratat e saj patriotike që ideologjikisht anojnë djathtas dhe janë shprehje tipike të konservatorizimit politik janë tashmë të mirënjohura për publikun e gjerë, thirrjet për bashkim të Shqipërisë me Kosovën, krijimi i një zone ekonomike të përbashkët etj, është më pak e njohur pozicioni i saj ekonomik që është shprehimisht majtas. Vetvendosja është krijuar si një parti që këmbëngul në rritjen e politikave proteksioniste për të mbrojtur sektorët vulnerabël në Kosovë (si industrinë minerare, bujqësinë etj), që këmbëngul për një ngrirje të çdolloj privatizimi dhe rishikim të atyre ekzistues, për një ndërhyrje më të madhe të shtetit në ekonomi, për një rishpërndaje më të drejtë të të ardhurave në shoqëri etj.
A do vazhdojë të jetë kjo një parti socialiste (apo social-demokrate) apo me frymë liberale dhe përkrahëse e politikave të tregut? A do të jetë për taksimin e sheshtë që synon rritjen e sipërmarrjes private apo progresiv që synon rishpërndarjen e pasurisë në shoqëri? Cilat do jenë politikat e saj publike dhe roli i ndërhyrjes së shtet/pushtetit në ekonomi? Cili do jetë raporti me investitorët dhe sipërmarrësit? A do zgjedhin bashkëpunimin me institucione me fryme neoliberale si FMN dhe BB apo do i kundërshtojnë ato si forma neo-kolonialiste pushteti?
Së treti, Albini kryeopozitar dhe kryeministër jo domosdoshmërish do jenë e njëjta gjë. Në fakt, me shumë mundësi do jetë e kundërta, sic ka demonstruar historia në thuajse çdo rast të ngjashëm. Mjaft të kujtojnë këtu liderë anarkistë, radikalë apo populistë të kthyer në politikanë mainstream si Joshka Fisher në Gjermani, David Trimble, Ian Paisley dhe Gerry Adams në Irlandën e Veriut, Yehud Barak në Izrael, Napoletano në Itali, Presidenti Lula në Brazil apo qoftë edhe Malkolm X në SHBA. Natyrisht, kostumi i kryeqeverisësit të bën të modifikosh, modelosh apo ndryshosh kryekëput qëndrimet apolitike apo qëndrimet margjinale duke qenë i detyruar të ndërmarrës politika që kërkojnë bashkëpunim me aktorët dhe faktorët e ndryshëm politikë brenda dhe jashtë vendit.
A do e cënonte ky bashkëpunim aurën e Albinit të sotëm, a do zhgënjente pasuesit e sotëm apo do vazhdonte të luante kaubojin e vetmuar dhe djaloshin plëngprishës të politikës kosovare? Në fakt, sjellja e tij mund mos të ishte asnjë nga të treja, mund të ngrihej në nivelin e një burri shteti, që aq shumë mungon këtejpari, një politikani të përgjegjshëm, patriot dhe të ndershëm, të hapur për bashkëpunim, të moderuar në qëndrimet ndaj faktorit ndërkombëtar, bashkëpunues me forcat e tjera politike, gjithëpërfshirës në lidhje me minoritetet dhe t`i arrinte të gjitha këto duke imponuar staturën e tij dhe kredon personale apo të forcës politike që ai drejton.
Politikanët misionarë për fat të keq koha i ka tejkaluar, kështu që Albini do të kishte pak mundësi të sillej si një Havel apo Rugovë e dytë, kështu që modeli i tij do ishte më tepër i një politikani aktiv, të aftë të prodhonte politika publike dinamike, reformatore dhe nxitëse të zhvillimit. Të përcjellësh besim të elektorati, të arrish të mobilizosh njerëzit dhe të inspirosh shpresë është një hap jo i vogël për të qenë një politikan i suksesshëm afatgjatë. Por të arrish të kthehesh t`u mbijetosh kurtheve të pushtetit, të ruash staturën prej burrështetasi dhe besimin e qytetarëve është një sfidë jo e lehtë. Shembujtë në botë janë të shumtë dhe ka plot modele frymëzuese të kaluara apo aktuale që vlejnë të ndiqen nga aspirues të ngjashëm, si puna e Kurtit.